Etiketë: Veri

  • Partitë serbe në Kosovë raportojnë incidente, pretendojnë se janë “sulme politike”

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, njoftoi se persona të panjohur më 25 janar hodhën një koktej molotovi para shtëpisë familjare të aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, në Ranillug, një komunë me shumicë serbe në juglindje të Kosovës.

    Ky mjet shpërthyes, sipas Listës Serbe, e goditi makinën familjare të familjes Popoviqit, duke e “djegur plotësisht”.

    Më herët, Lëvizja Popullore Serbe njoftoi se persona të panjohur më 24 janar tentuan të djegin një billbord të saj në Moguillë, pranë Kllokotit, gjithashtu një komunë me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

    Ky billbord ndodhej përballë shtëpisë familjare të Divna Andrews, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Popullore Serbe.

    Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se të dyja incidentet janë raportuar dhe se rastet po hetohen.

    Lista Serbe dhe Lëvizja Popullore Serbe pretendojnë se këto incidente janë “sulme të motivuara politikisht”.

    “Pa dyshim që bëhet fjalë për një sulm të motivuar politikisht dhe përpjekje për të frikësuar anëtarët e këshillave zgjedhore të Listës Serbe, me qëllim që t’i pengojnë ata nga ndjekja dhe kontrolli i zgjedhjeve, në mënyrë që të favorizohen disa parti të tjera të preferuara nga Prishtina”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

    Ndërkohë, Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë lidhur me përpjekjen për djegien e billbordit të tyre, duke deklaruar se në këto kushte nuk mund të mbahen zgjedhje demokratike.

    “Nuk na keni frikësuar”, deklaruan nga kjo parti.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt dhe, përveç Listës Serbe, në to marrin pjesë edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

    Megjithatë, për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, mbështetjen e Beogradit e ka ekskluzivisht Lista Serbe, e cila bojkoton institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet në përputhje me vendimin për të braktisur institucionet në veri për shkak të insistimit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndaluar targat serbe.

    Lista Serbe i ka fituar mbi 90 për qind të votave në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë që nga formimi i saj në vitin 2013, por misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka shkruar në raportet e tij më 2021 për “monopolin dhe frikësimin” nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL

  • Policia e Kosovës gjen kamerën e tretë të maskuar në Veri – VIDEO

    Policia e Kosovës ka gjetur të hënën, më 20.01.2025, një kamerë të maskuar, në Leposaviq.

    Kështu konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani i cili tregoi qëllimin e kësaj kamere, si dhe bëri të ditur se është njoftuar Prokurori.

    “Kjo është vendosur, me qëllim, ashtu e maskuar për syrin e njeriut. Dje e kemi largu e jemi në konsultim me Prokurorin, se si të procedohet në rast. Por, po ashtu konfirmoj që nga Prokuroria është hap rast ‘incizim i paautorizuar’.” – tha Elshani.

    Elshani shtoi se kjo është kamera e tretë e maskuar që gjendet në Veri. Sipas tij, dy janë gjetur në Mitrovicë të Veriut në “air conditioner”.

     

    Pamjet: Policia e Kosovës

     

     

  • Inspektorati Policor rekomandon shtimin e policëve në Veri në Njësinë e Trafikut Rrugor

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar shtimin e policëve në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë – Veri, përkatësisht në Njësinë e Trafikut.

    “IPK i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë së Personelit, që në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Policore – Mitrovicë Veriu, të sigurojnë personel të mjaftueshëm për të përmbushur strukturën dhe kapacitetet e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veriu.” – thuhet në Raportin e Inspektimit të IPK-së.

    Lista e Personelit të Autorizuar (LPA) ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Veriut janë tre rreshterë dhe 30 policë në Ekipe patrulluese, ndërsa në Ekipin e hetimeve janë vetëm tre policë e nuk ka rreshter fare.

    “Nëse e përcjellim individualisht gjendjen sasiore me burime brenda secilës Njësi, pasqyrohet se Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut ka tre rreshterë – 21 policë më pak krahasuar me Listën e Personelit të Autorizuar. Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë – Pejë në Ekipe patrulluese ka pesë policë më shumë.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    IPK njofton se janë kontrolluar 658 mostra të ngjarjeve, ku ka pasur reagim për dalje në vendin e aksidentit. Në Mitrovicë të Veriut, nga pranimi i informatës në arritjen e tyre në vendin e ngjarjes shënohet kohëzgjatja prej 21 minutash.

    Ndonëse, në Raport thuhet se në përgjithësi zyrtarët policorë të trafikut kanë të kryer trajnimin bazik në fushën e sigurisë së trafikut rrugor. Sipas IPK-së ka prej tyre që nuk kanë trajnime nga fusha e trafikut, për shkak se janë policë të rinj apo të lëvizur nga Njësi të tjera.

    “Nga të gjitha këto Njësi, vetëm 26 zyrtarë policorë kanë të kryer trajnime të avancuara për analizën e aksidenteve, edhe atë: Njësia për Kontrollin e Autostradës – tre policë, ndërsa sa i përket Njësisë së Trafikut Rrugor në Pejë janë trajnuar shtatë policë; në Mitrovicë të Veriut – tre, Mitrovicë të Jugut – dy, Gjilan – pesë, Gjakovë – dy, Ferizaj – një dhe Prishtinë – tre.” – përfundon IPK-ja.