Etiketë: Vetura

  • Presidenca e Kosovës e riparon veturën që i shpëtoi jetën presidentit Rugova nga eksplozivi

    Para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova. 20 vjet më vonë, vetura e presidentit historik të Kosovës u pa përsëri në rrugë më 21.01.2025, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

    Osmani me këtë veturë udhëtoi për homazhe te varri i presidentit Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

    Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

    Riparimi i veturës, që është prodhim amerikan, Zyrës së Presidencës i ka kushtuar 16 mijë e 700 euro. Përveç në pjesët motorike, sikurse servisimi i motorit është riparuar edhe pjesa e jashtme e veturës dhe janë ndërruar xhamat që ishin të thyer.

    Po ashtu është ndërhyrë edhe në pjesën e brendshme të veturës, ku është bërë riparimi i enterierit dhe është ndërhyrë edhe në mekanizmin e ulëseve.

    Pikërisht falë kësaj veture të fuqishme e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, ish-presidenti Rugova i shpëtoi një atentati.

    Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.

    Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim. Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.

    Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

    Vetura e ish-presidentit Rugova e cila u përdor të martën për homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, do qëndrojë e ekspozuar në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, deri më 23.01.2025.

    Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.

  • Policia po kryen hetime për zjarrin e mbrëmshëm në “Kalabri”

    Dy vetura të djegura tërësisht dhe katër të tjera të dëmtuara, është bilanci i zjarrit që shpërtheu në një garazh nëntokësor në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, rreth orës 18:00 të enjten.

    KALLXO.com ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku përveç veturave janë dëmtuar edhe kabllot elektrike dhe për pasojë dy ndërtesa kanë mbetur pa rrymë.

    Hetuesit policor për gati dy orë kanë qëndruar në vendin ku janë djegur veturat për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa rasti është duke u hetuar. Policia ka marrë edhe pamje nga kamerat në lokalet afër vendit të ngjarjes. Megjithatë, Policia nuk dha detaje duke shtuar se duhet pritur përfundimin e hetimeve për të dalë me një përgjigje.

    Banorët të cilët folën për KALLXO.com, ngjarjen e përshkruan si të tmerrshme.

    “Jemi kanë t`u nejtë edhe t`u këqyrë TV. E kam dëgjuar një krismë të madhe në derë. Mendova mos është dikush i dehur a i çmendur. Kur e kam hapë derën, s’kam pa asgjë prej tymi. Ndoshta edhe personi që ka trokitur në derë ka qenë aty, por nga tymi nuk e kam pa. Kemi dalë, nuk e kemi ditë nëse po digjet një banesë apo diçka tjetër. Pasi kemi zbrit poshtë, e kemi marrë një informatë se po digjet një veturë në garazhin e përbashkët, është shumë e madhe. Ka qenë e tmerrshme, se nuk e kemi ditë çka po ndodhë. Ka pasur raste kur njësia speciale mbi njëri-tjetrin i kanë nxjerrë banorët nga tymi”- tha Haki Shala, banor i ndërtesës ku u dogjën veturat.

    Ndërkohë, për shkak të ekspozimit në tym, 13 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare. Drejtori i Klinikes Emergjente, Naser Syla, konfirmoi për KALLXO.com se të gjithë janë liruar për në shtëpi.

    https://kallxo.com/lajm/zjarri-ne-objektin-banesor-ne-prishtine-policia-13-personave-u-eshte-ofruar-tretman-mjekesor/

  • Qytetari raporton se nga vetura iu vodh çanta me para dhe ‘orë të shtrenjtë zvicerane’

    Në Raportin e fundit të Policisë së Kosovës është raportuar për një vjedhje të rëndë, që dyshohet se është kryer në qytetin e Rahovecit.

    Një burrë ka raportuar në Polici se persona të panjohur kanë hapur me forcë derën e veturës së tij dhe të njëjtit kanë vjedhur një çantë dore, ku brenda saj ka qenë një orë e shtrenjtë dhe para të gatshme.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se persona të panjohur kanë hapur me forcë veturën e tij dhe kanë vjedhur një çantë dore, ku kishte një orë dore të shtrenjtë zvicerane dhe para të gatshme.” – thuhet në Raport.

    Ndërsa, sipas Policisë rasti po vazhdon të hetohet.