Etiketë: Volodymyr Zelensky

  • Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurisë

    Shqipëria dhe Ukraina e kanë nënshkruar një marrëveshje afatgjate në fushën e sigurisë të martën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

    Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Në Davos, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, tha Rama në Facebook, duke mos dhënë më shumë hollësi.

    Por, Zelensky tha se Ukraina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshje “afatgjate për bashkëpunim dhe mbështetje mes dy vendeve tona”.

    “Shqipëria i ka dhënë ndihmë ushtarake dhe humanitare Ukrainës prej se nisi pushtimi i plotë dhe do të vazhdojë ta mbështetë atë gjatë periudhës 10-vjeçare të marrëveshjes. Po ashtu, Shqipëria do të kontribuojë edhe në koalicionin e avionëve luftarakë”, tha Zelensky në X.

    Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, e ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione kundër Moskës për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt 2022.

    Po ashtu, Tirana ka ofruar edhe ndihmë tjetër, përfshirë edhe strehimin e shtetasve ukrainas.

    Në fillim të vitit të kaluar, Tirana ishte nikoqire e një samiti për Ukrainën, i bashkoi liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe atë të Moldavisë.

    Në këtë samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit Rama, mori pjesë presidenti Zelensky.

    Shqipëria dhe Ukraina kanë vendosur raporte diplomatike më 1993, dhe ato janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria veçse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim.

    Në fillim të këtij muaji, Shqipëria e inauguroi objektin e Ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës.

    Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se ky objekt nuk do të ishte vetëm një urë bashkëpunimi mes shteteve, por edhe dëshmi për qëndrueshmërinë dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje në paqe dhe një Evrope “të bashkuar, të fortë dhe të begatë”.

    Ambasada, e hapur në fund të vitit 2024, pësoi dëme materiale disa javë më parë si pasojë e sulmeve me raketa ruse./ REL

  • Zelensky ofron shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm t’i dorëzojë Phenjanit dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut, në këmbim të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi.

    “Për ata ushtarë të Koresë së Veriut të cilët nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion.” – shkroi Zelensky në X.

    Atyre që duan “ta sjellin paqen më afër, duke përhapur të vërtetën për këtë luftë në koreanisht, do t’u jepet mundësia” – shtoi ai.

    Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se njëri nga të dy ushtarët u tha zyrtarëve se mendonte se do të shkonte në Rusi për “stërvitje” dhe jo në luftë.

    Atij iu gjet një kartë identiteti ushtarake ruse, e lëshuar në emër të një personi tjetër.

    Ushtari tjetër nuk kishte dokumente.

    SBU-ja tha se të dy burrat, të cilët u kapën më 9 janar, janë në Kiev dhe nën kujdes mjekësor.

    Ata flasin vetëm koreanisht dhe janë duke u marrë në pyetje, me ndihmën e Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut – tha SBU-ja.

    Rusia nuk e ka mohuar se shfrytëzon trupat e Koresë së Veriut, në luftën e saj kundër Ukrainës.

    Presidenti Vladimir Putin tha në tetor se është “vendim sovran” i vendit të tij, nëse do të dislokojë ose jo forca të tilla.

    Zyra e Zelenskyt tha në një deklaratë të shtunën se rusët “po përpiqen ta fshehin faktin se këta janë ushtarë nga Koreja e Veriut, duke u dhënë atyre dokumente që i paraqesin nga Tuva ose territore të tjera nën kontrollin e Moskës”.

    Shërbimi Ukrainas i Inteligjencës raportoi se ushtari i cili mbante kartë identiteti kishte lindur në vitin 2005 dhe se i kishte shërbyer Koresë së Veriut, që nga viti 2021.

    I burgosuri i dytë raportohet t’i ketë dhënë disa nga përgjigjet e tij me shkrim – për shkak të lëndimeve në nofull.

    Sipas SBU-së, ai besohet se ka lindur në vitin 1999 dhe se i ka shërbyer Koresë së Veriut, që nga viti 2016.

    Ukraina dhe Koreja e Jugut raportuan në fund të vitit të kaluar se Koreja e Veriut ka dërguar së paku 10.000 trupa në Rusi.

    Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut tha të hënën se më shumë se 300 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë gjatë luftimeve për Rusinë dhe se të paktën 2.700 të tjerë janë plagosur.

    Zelensky tha të dielën se “nuk ka dyshim se Ushtria ruse është e varur nga ndihma ushtarake nga Koreja e Veriut”./REL

  • Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në takimin e radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të mbajtur në Gjermani.

    “Me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua sot (09.01.2025) në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein të Republikës Federale të Gjermanisë.”- thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Sipas njoftimit, gjatë këtij forumi, gjeneral Jashari pati një takim me gjeneralin Christopher Cavoli, komandant i Forcave Amerikane për Europë.

    “Të dy ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në shërbim të paqes dhe sigurisë euroatlantike. Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj”- thuhet në njoftim.

    Në këtë takim, që sipas njoftimit të FSK u bashkëdrejtua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, dhe ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, mori pjesës edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus.

    Rusia ka nisur agresionin kundër Ukrainës në vitin 2022.