Etiketë: William Walker

  • William Walker me pikëpyetje se çka e pret Kosovën pas fitores së Trumpit

    William Walker, ish-ambasadori i Misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, nuk e di ende se çka do ta presë Kosovën gjatë mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Walker tha se shumë njerëz kanë qeverisur në Amerikë në 25 vjetët e fundit, por shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës.

    “Çfarë do të thotë për marrëdhëniet me Kosovën, nuk e di. Jam i brengosur, thellësisht i brengosur. Njerëz kanë ardhur gjatë 25 vjetëve në Departamentin e Shtetit. Njerëz të mirë, me qëllime të mira. Por, shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës. Diçka për të cilën duhet të krenohemi, për sa i përket mënyrës se si ishim të përfshirë 25 vjet më parë.” – tha Walker në një intervistë për KALLXO.com, gjatë vizitës së tij në “Reporting House”.

    Walker shprehu një shqetësim që kosovarët dhe diaspora e Kosovës mendojnë se çkado që të ndodhë në Kosovë, Amerika do t’i shpëtojë si gjatë luftës.

    “Një shqetësim që kam është se kosovarët këtu dhe kosovarët në diasporë mendojnë se nëse diçka nuk shkon, Amerika do të hyjë dhe do ta zgjidhë situatën si ne në vitet ’90-ta. Nuk do të ndodhë.” – tha ai.

    Më 20.01.2025, Trump dha betimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej Presidentja e parë grua në Amerikë.

    Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President. Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ndërkaq, Walker njihet për kontributin e tij në Kosovë.

    Tmerrin që pa me sytë e tij në tokën e Reçakut, më 15.01.1999, Walker i ka vendosur në faqe libri, që dokumenton një nga masakrat më të përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë, të titulluar: “Reçak: Historia e një krimi lufte”.

    Ish-ambasadori, William Walker e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

     

  • U pa në tubim, por a e mbështet ish-ambasadori William Walker Koalicionin për Familjen?

    Në ditën kur Koalicioni për Familjen hapi fushatën zgjedhore me një tubim, mes shumë e shumë përkrahësish aty u pa edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

    I pyetur se a do të thotë pjesëmarrja e tij mbështetje për Koalicionin për Familjen gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 09.02.2025, Walker tha edhe para 15 viteve pati marrë pjesë në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Së pari, nuk kam mbështetur partinë e Behgjet Pacollit. Po i tregoj botës që, hej, 15 vite më parë mbështeta Vetëvendosjen”- tha Walker në një intervistë për KALLXO.com.

    “Erdha këtu gjatë periudhës së zgjedhjeve, shkova në tubimet e tyre fillestare, kur sapo ishin bërë parti politike”- shtoi ai, duke treguar edhe arsyen se pse shkoi në tubimet e Vetëvendosjes para 15 viteve: “Sepse po kërkonin të arrinin pushtetin përmes votës, që sipas meje është thelbi i demokracisë”.

    I pyetur se a është i kënaqur në përfundim të mandatit të Vetëvendosjes, William Walker tha se tash pas katër vitesh dëgjon kritika të forta për kryeministrin Albin Kurtin, “mirë, kjo është demokracia”.

    “Nuk mendoj që njerëzit po e vlerësojnë realisht çfarë po ndodh këtu politikisht. Behgjet Pacolli më tha që atëherë unë shkoja në tubimet e Vetëvendosjes vetëm për të treguar që mbështesja këdo që përpiqej të bindte popullin që vizioni i tyre për të ardhmen e këtij vendi meritonte një votë. Thjesht doja të thosha: Shikoni, jam këtu për të parë tubimin, nuk u bashkova me Vetëvendosjen atëherë, nuk po bashkohem as me partinë për Familjen”- shtoi Walker.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Walker njihet për kontributin e tij në Kosovë në dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

    Tmerrin që pa me sytë e tij në tokën e Reçakut më 15.01.1999, Walker i ka vendosur në faqe libri që dokumenton një nga masakrat më të përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë të titulluar “Reçak: Historia e një krimi lufte”.

    Ish-ambasadori Walker e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

  • Ecje nëpër pamjet e luftës: William Walker viziton ‘Reporting House’

    Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker vizitoi ekpozitën ‘Reporting House’ (Shtëpia e Gazetarëve) në Prishtinë, në të cilën gjenden të ekspozuara video-materiale, intervista e dëshmi të shumta nga lufta e fundit në Kosovë.

    Walker u informua nga afër me përmbajtjen e video-materialeve me dëshmi të ndryshme, protestat në shenjë rezistence të viteve 90-ta, fotografi e artefakte që janë të ekspozuara tek ish-Shtëpia e Mallrave në qendër të Prishtinës.

    Waker u prit nga drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra.

    Walker ka qenë ish-kryesues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.

    Ai ishte personi i cili i dha jehonë ndërkombëtare Masakrës së Reçakut, më 15.01.1999, ku ishin vrarë 45 civilë shqiptarë.

    25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ekspozita ‘Reporting House’ ofron pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

    Përmes ‘Reporting House’, BIRN Kosova, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor të cilat reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’
    William Walker viziton Shtëpinë e gazetarëve ‘Reporting House’