Etiketë: Zjarr

  • Pas fatkeqësisë së zjarrit ndizet debat i ashpër në Turqi

    Pas fatkeqësisë së zjarrit në Bolu janë ngritur shumë pyetje: A ishin të mjaftueshme masat paraprake të sigurisë? A janë kryer inspektimet e nevojshme? Pse zjarrfikësja u përgjigj kaq vonë?

    Fatkeqësia e zjarrit në zonën turke për ski, Kartalkaya në qytetin Bolu të martën tronditi thellësisht Turqinë.  Që nga e marta, shumë shkolla, klube sportive, individë privat e shoqata profesionale kanë postuar foto të viktimave në rrjete sociale – duke shprehur ngushëllime dhe në disa raste duke ngritur akuza të rënda. Të paktën 78 persona humbën jetën në zjarrin shkatërrues, në një hotel të njohur me 234 vizitorë. Shumë të tjerë u plagosën.

    Të mbijetuarit e hotelit zakonisht të mirëfrekuentuar përshkruajnë skena dramatike paniku nga nata e zjarrit: shumë vetë nuk gjenin dot rrugën e daljes nëpër korridoret e mbushura me tym, ndërsa të tjerë u hodhën nga dritaret të dëshpëruar. Disa raportojnë se njerëzit në katet e sipërme madje bënin litarë të improvizuar nga çarçafët, nga kati i 11 – për të shpëtuar në thellësi.

    Pyetje dhe hetime të hapura

    Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit. Hetimet janë fokusuar aktualisht te mangësitë në mbrojtjen nga zjarri të hotelit dhe nëse ato kanë luajtur rol për katastrofën. Po verifikohet e kontrollohet, nëse janë respektuar masat e parashikuara të sigurisë. Dëshmitarët okularë raportuan mungesën e sistemeve të alarmit për zjarr, shkallëve të posaçme në rast zjarri dhe mungesën e aparateve për shuarjen e zjarrit.

    Hoteli, një ndërtesë shumëkatëshe me fasadë druri në një kodër të pjerrët, është një destinacion i preferuar për turistët vendas. Ekspertët pyesin se pse nuk ka pasur Qendër Zjarrfikësish në zonën përreth dhe pse shërbimeve të para të Emergjencës iu deshën tre çerekore për të arritur në vendin e zjarrit.

    Akuza të rënda nga opozita

    Mbetet gjithashtu e paqartë se cili autoritet ishte përgjegjës për inspektimin e fundit të sigurisë nga zjarri në hotel dhe kush e ka lëshuar për herë të fundit licensën e funksionimit. Kryebashkiaku i Bolu, Tanju Özcan, nga partia opozitare CHP, hedh poshtë përgjegjësinë e qytetit dhe tregon me gisht Ministrinë e Turizmit. Ministri i Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, nga ana tjetër, fajëson zjarrfikësit lokal.

    Kurse, partia opozitare CHP akuzon Qeverinë për lehtësimin e Rregulloreve të Sigurisë nga zjarri në vitin 2012. Ajo kritikon gjithashtu mungesën e një sistemi spërkatës në hotel, i cili mund të kishte ngadalësuar përhapjen e zjarrit. Sipas Rregulloreve aktuale të sigurisë nga zjarri nga viti 2007, një sistem spërkatës është i detyrueshëm në hotelet e kësaj madhësie.

    Ali Mahir Basarir, nënkryetar i Grupit Parlamentar të CHP-së, sheh një problem tjetër: konfliktin e interesit për Ministrin e Turizmit, i cili është edhe pronar i Operatorit të madh Turistik ETS. Ky Operator Turistik e ka vlerësuar shumë pozitivisht hotelin në fjalë. Basariri kërkon dorëheqjen e Ministrit. Në këtë kontekst ka shpërthyer edhe një debat tjetër në Turqi, që lidhet më shumë me faktin që disa Ministra turq vazhdojnë të ndjekin interesa biznesi, duke mbajtur poste politike.

    Të dyja palët përgjegjëse

    Disa Qendra profesioniste dhe ekspertët që kanë komentuar fatkeqësinë nga zjarri në Bolu pajtohen në një pikë: padyshim kishte mangësi serioze në mbrojtjen nga zjarri të hotelit ose monitorimin e tij. Sipas vlerësimit të tyre, me masat e duhura, tragjedi të tilla mund të shmangen. Kurse, numrin e lartë të vdekjeve ato e lidhin me dështimin masiv të autoriteteve.

    Erol Percin nga Dhoma Turke e Inxhinierëve dhe Arkitektëve në Bolu theksoi në një intervistë për DW: “Nëse të gjithë të përfshirët do të kishin marrë përgjegjësinë e tyre dhe do të respektonin Rregulloret sot nuk do të flisnim për 76 vdekje, por vetëm për humbje ekonomike.” (Shën. red. Në momentin e intervistës, numri i vdekjeve ishte 76.)

    Fatkeqësisht, katastrofa e zjarrit në Bolu nuk është një rast i izoluar. Turqia është goditur vazhdimisht nga fatkeqësi të rënda në të kaluarën. Kjo shpesh për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë. Të martën, pak pas zjarrit në Bolu, një shpërthim ndodhi edhe në një resort skish në qytetin qendror të Anadollit, Sivas, ku mbetën të plagosur katër persona, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Pranverën e kaluar, një zjarr në klubin e natës Masquerade në Stamboll u mori jetën 29 personave. Sipas ekspertëve, defekte të rëndësishme në ndërtim luajtën një rol vendimtar në tërmetin shkatërrues të Shkurtit 2023./DW

  • Një ndërtesë banimi përfshihet nga zjarri në Ferizaj, Policia thotë se ka dëme të konsiderueshme

    Një ndërtesë banimi në Ferizaj është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm me 18.01.2025 rreth orës 01:10.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka evakuuar të gjithë banorët dhe se përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, persona të lënduar nuk ka.

    Zjarrfikësit, sipas Policisë, kanë dalë me kohë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin.

    “Lidhur me rastin, prokurori i shtetit është njoftuar dhe nën autorizimin e tij, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit” – ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.

  • Përfshihen nga zjarri 15 njehsorë të rrymës, disa banorë e policë pësojnë asfiksim nga tymi

    Është raportuar se në rrethana ende të panjohura në Vushtrri, në një ndërtesë janë përfshirë nga zjarri rreth 15 njehsorë të rrymës.

    Sipas raportit policor, njësitë policore, zjarrfikësit si dhe një njësi e KEDS-it kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Për shkak të tymit disa banorë si dhe disa zyrtarë policorë kanë pësuar asfiksim dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

    Rasti i cili ka ndodhur më 15.01.2025 është nën hetime nga njësitë relevante.