Kategori: Lajme

  • Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë – pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO, KFOR, kryen patrullime të sigurisë në veri të Kosovës, si pjesë e operacioneve për të ofruar sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në mbarë Kosovën.

    Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga KFOR.

    “Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur të gjitha komunitetet brenda Kosovës”- thuhet në njoftim.

    Më tej, në njoftim potencohet se KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

    “KFOR vazhdon të zbatojë mandatin- bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”- thekson më tej KFOR në njoftim.

     

  • Rumania dhe Bullgaria bëhen anëtare të plota të Zonës Schengen

    Rumania dhe Bullgaria janë bërë edhe zyrtarisht anëtare të plota të Zonës për lëvizje të lirë Schengen, duke iu bashkuar vendeve të Bashkimit Evropian, plus disa shteteve tjera, banorët e të cilave mund të lëvizin lirshëm pa kryer kontrolle të pasaportës.

    Fishekzjarrët kanë shpërthyer në qiell në mesnatë në zonën kufitare bullgare, ruse teksa ministrat e Brendshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë i kanë hequr simbolikisht barrierat në Urën e Miqësisë mbi lumin Danub.

    Kjo pikë kalimi është rrugë e madhe transiti për tregti ndërkombëtare.

    “Ky është moment historik”, ka thënë kryeministri bullgar, Dimitar Glavchev.

    “Nga Greqia në jug, deri në Finlandë në veri, dhe gjithë rrugën për në Portugali, do të mund të udhëtohet pa kufij”.

    Kontrollet në kufijtë detarë dhe ata ajrorë janë hequr qysh prej marsit të vitit 2024 për këto dy shtete, mirëpo kontrollet tokësore kanë vazhduar derisa Austria nuk ka hequr dorë nga një veto që e ka përdorur, meqë ka shprehur shqetësime për mundësinë e rritjes së migrimit të paligjshëm.

    Kufijtë në mes të Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, janë hequr më 1985. Zona Schengen tani mbulon 25 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

    Irlanda dhe Qiproja nuk janë anëtare të Zonës Schengen./ REL

  • Polonia merr drejtimin e Këshillit të BE-së, Osmani: Koha për t’i dhënë Kosovës statusin kandidat dhe heqjen e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 01.01.2025 ka uruar Poloninë për marrjen e drejtimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

    Përmes rrjetit “X”, Osmani ka theksuar se është koha që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat si dhe t’i hiqen masat e BE-së.

    “Urime Polonisë që merr drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së. Pres me padurim të vazhdojmë punën me Presidentin Andrzej Duda dhe Kryeministrin Donald Tusk për të siguruar të ardhmen që Kosova meriton. Ka ardhur koha për dhënien e statusit të kandidatit dhe heqjen e masave të padrejta të BE-së kundër popullit të Kosovës”- ka shkruar Osmani.

    Bashkimi Europian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

    BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

    Autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë të padrejta.

    Tutje, Osmani i ka shprehur mirënjohje Hungarisë për përkushtimin gjatë Presidencës së saj.