Kategori: Lajme

  • Trupat ushtarake franceze do të largohen nga Bregu i Fildishtë

    Bregu i Fildishtë ka bërë të ditur se trupat ushtarake franceze do të tërhiqen nga ky shtet i Afrikës Perëndimore, duke zvogëluar kështu ndikimin ushtarak të ish-fuqisë koloniale në rajon.

    Në adresimin vjetor, presidenti i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, ka thënë se ky vendim është reflektim i modernizimit të forcave të armatosura të shtetit.

    Ndaras, Senegali, i cili muajin e kaluar ka bërë të ditur se Franca do t’i mbyllë bazat ushtarake në territorin e tij, ka konfirmuar se tërheqja do të kompletohet në fund të vitit 2025.

    Në Bregun e Fildishtë është i pranishëm kontingjenti më i madh i trupave ushtarake franceze në Afrikën Perëndimore.

    Aty janë rreth 600 ushtarë, ndërsa 350 të tjerë në Senegal.

    “Kemi marrë vendim në mënyrë të bashkërenduar për tërheqje të forcave franceze nga Bregu i Fildishtë”, ka thënë presidenti Ouattara.

    Ai ka thënë se një batalion ushtarak, që drejtohet nga ushtria franceze, do t’iu dorëzohet trupave vendore.

    Franca, rregulli kolonial i së cilës ka përfunduar në vitet ’60 në rajonin e Afrikës Perëndimore, veçse i ka tërhequr ushtarët nga Mali, Burkina Faso dhe Nigeri, pas puçeve ushtarake në këto shtete, dhe rritjes së sentimentit kundër Francës.

    Këto tri vende i kanë forcuar lidhjet me Rusinë, prej kur i kanë dëbuar trupat ushtarake prej rajoneve të tyre.

    Qeveria e Çadit – aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në rajon – i ka dhënë fund papritur bashkëpunimit me Francën në nëntor.

    Ka sinjale se Franca ka më pak se 2.000 trupa në Xhibuti dhe Gabon.

    Vëzhguesit politikë besojnë se Franca është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të rikthyer ndikimin politik dhe ushtarak në Afrikë.

    Për më shumë se tri dekada pas pavarësimit nga Franca, Bregu i Fildishtë është njohur për harmoninë fetare dhe etnike, si dhe ekonominë e zhvilluar mirë.

    Megjithatë, një rebelim i armatosur më 2002 e ka ndarë shtetin në dysh.

    Pavarësisht jostabilitetit aktual, Bregu i Fildishtë është eksportuesi më i madh i kokrrave të kakaos, dhe qytetarët e vet gëzojnë të hyra më të mira, në krahasim me vendet tjera në rajon/RadioEvropaeLirë/.

  • Mjegull e dendur në rajonin e Ferizajt, Policia bën thirrje për kujdes

    Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes për shoferët në rajonin e Ferizajt, për shkak të mjegullës së dendur atje.

    Policia ka rekomanduar për shoferët që të përdorin dritat e mjegullës; të mbajnë nën vëzhgim rrugën; të kenë vëmendjen.

    “Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë. Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Mediat amerikane raportojnë për të paktën 10 të vdekur pasi një makinë u përplas me një turmë në New Orleans

    Mediat në SHBA janë duke raportuar se të paktën 10 persona kanë vdekur e 30 të tjerë janë lënduar, pasi që një makinë është përplasur me një turmë që po festonin, në New Orleans të Luisianës.

    CNN shkruan se incidenti ka ndodhur në lagjen popullore franceze, vetëm disa orë përpara se qyteti të presë  “The Sugar Bowl”, një lojë futbolli në kolegj që tërheq tifozë nga i gjithë vendi, me Universitetin e Gjeorgjisë që do të përballet me Notre Dame.

    Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, e ka quajtur incidentin vdekjeprurës si një “akt të tmerrshëm dhune” dhe kërkoi lutje për viktimat dhe reaguesit e parë në një postim në X.

    Sipas CNN, turmat ishin mbledhur për të ndjekur një koncert në ajër të hapur dhe numërimin mbrapsht të Vitit të Ri.