Kategori: Rajon

  • Shqipëri: Raste të reja të gripit të shpendëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

    Organizatat mjedisore shprehën shqetësimin se përhapja e gripit të shpendëve përbën rrezik serioz për shpendët e egër në Shqipëri, pas rasteve të reja të zbuluara në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

    Organizata e Ornitologëve shqiptarë, AOS tha përmes një deklarate për mediat se nga mostrat e marra, shpendët e egër që u gjetën të ngordhur më 8 Janar 2025 në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, konfirmohet se janë prekur nga gripi i shpendëve H5N1.

    Sipas organizatës, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier janë realizuar më 8 Janar monitorime në zonën e Parkut Kombëtar ku u gjetën brenda një dite nëntë raste shpendësh të ngordhur.

    Rastet iu raportuan autoriteteve veterinere, që kryen analizat, të cilat dolën pozitive me gripin e shpendëve.

    Sipas organizatës mjedisore zona Divjakë-Karavasta është zona me numrin më të lartë të shpendëve të egër në Shqipëri dhe e vetmja zonë folezimi e pelikanit kaçurrel, një specie tepër e rrezikuar.

    “Sipas monitorimve të deritanishme infektimet me gripin e shpendëve përfshijnë pulëbardhat dhe dallëndyshet e detit, gjë që tregon për praninë e një epidemie që prek pak a shumë individë të së njëjtës specie”, tha organizata AOS.

    Gripi i shpendëve njihet si një sëmundje infektive me virulencë të lartë që prek kryesisht shpendët dhe në raste të rralla edhe gjitarët, përfshirë njeriun. Shenjat klinike janë vështirësi në frymëmarrje dhe ngrordhje të menjëhershme.

    Në vitin 2022, varianti H5N1 preku popullatën e Pelikanit kaçurrel duke shkaktuar rreth 2500 individë të ngordhur, shumica e të cilave në Prespën e Vogël, kolonia më e rëndësishme botërore e kësaj specie.

    Tre individë të Pelikanit kaçurrel, te prekur nga gripi i shpendëve u gjetën të ngordhur në vitin 2022 edhe në koloninë që jeton në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

    Organizata e Ornitologëve shqiptarë u bëri thirrje autoriteteve dhe shoqatave të specializuara për monitorim në vijueshmëri për shkak se në janar të çdo viti fillon dhe folezimi në koloninë e Pelikanit dhe mundësitë për transmetim të gripit nga një individ tek tjetri janë shumë të larta.

    “I njëjti shqetësim vlen për të gjithë shpendët, sidomos ata që formojnë grupime të mëdha të përbashkëta, përfshirë fjetore dhe koloni folezuese”, tha organizata më e madhe mjedisore shqiptare për mbrojtjen e shpendëve AOS./VoA

  • NIS-i në listën e sanksioneve të SHBA-së, Vuçiq thotë se kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, sanksione që kanë shënjestruar edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS.

    Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Këtyre sanksioneve u është bashkuar edhe Britania.

    Thesari tha se ka ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë që përdoren për luftën kundër Ukrainës.

    Administrata në largim amerikane e demokratit Joe Biden, i cilësoi sanksionet e fundit si më të rëndësishmet deri më tani ndaj sektorëve të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të Moskës, që forcojnë ekonominë ruse.

    Vuçiq: Sanksione të rënda dhe serioze

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    “Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.

    Ai shtoi se Serbisë i janë vendosur afate për të kryer transformimin e pronësisë së NIS-it. Presidenti serb theksoi se NIS-i do të mund të vazhdojë të funksionojë vetëm “në mënyrë të rregullt”, ndërsa transformimi i pronësisë duhet të fillojë menjëherë.

    Vuçiq tha se SHBA-ja ka paralajmëruar mundësinë e konsultimeve me Serbinë lidhur me sanksionet, “gjë që ne do ta shfrytëzojmë që nesër”.

    “Plani për transformimin e pronësisë duhet të miratohet nga OFAC (Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja), brenda Departamentit amerikan të Thesarit”, tha Vuçiq.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

    Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

    NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

    Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miqoviq, ka thënë më herët se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës, por shtoi se për të gjitha pengesat që mund të dalin, ka zgjidhje dhe se furnizimet nuk do të ndërpriten.

    “Unë jam i bindur se ato sanksione – çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen – nuk janë të drejtuara kundër Serbisë. Ndaj, besoj se do të gjendet një zgjidhje për të garantuar furnizim të sigurt të tregut vendas”, thotë Miqoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi.

    SHBA: Sanksionet godasin burimin kryesor të financimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës

    Zyrtarët amerikanë thanë se sanksionet, që shënjestrojnë entitetet që bëjnë biznes me rusët, kanë potencialin që t’i ofrojnë ekonomisë ruse miliarda dollarë në muaj.

    Më shumë se 180 anije, transportuese të naftës, që dyshohet se janë pjesë e një flote në hije, që përdoret nga Kremlini për të shmangur sanksionet ndaj sektorit të naftës, tregtarët, firmat e shërbimit të fushës së naftës dhe zyrtarë rusë të energjisë janë po ashtu pjesë e sanksioneve të reja.

    Zyrtarët e Thesarit thanë po ashtu se disa anije që janë sanksionuar dyshohet se kanë transportuar naftën iraniane, që po ashtu është nën sanksione.

    Sanksionet e reja po ashtu godasin një projekt të madh të gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në Arktik, por edhe zyrtarë të lartë të Rosatomit, që është agjenci për ndërtimin e termocentraleve me energji bërthamore.

    “SHBA-ja po ndërmerr veprime gjithëpërfshirëse kundër burimit kryesor të të ardhurave të Rusisë për financimin e luftës së saj brutale dhe të paligjshme kundër Ukrainës”, tha përmes një deklarate sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

    “Me veprimet e sotme, ne po rrisim rrezikun e sanksioneve të lidhura me tregtinë e naftës ruse, përfshirë transportin dhe lehtësimin financiar për të mbështetur eksportet e naftës ruse”, shtoi Yellen.

    SHBA-ja dhe shtetet evropiane i vendosën sanksione Rusisë disa ditë pas Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, Perëndimi pati një qasje më të kujdesshme ndaj sektorit të energjisë së Rusisë, pas shqetësimeve për ndikimin që do të kishte në çmimet globale të energjisë.

    Çmimet e naftës dhe gazit natyror fillimisht u rritën për shkak të frikës se do të ketë ndërprerje të furnizimeve, por disa muaj më vonë u rikthyen në nivelet që kishin qenë para se të niste pushtimi rus i Ukrainës.

    Në përpjekje që furnizimet me naftë ruse të vazhdonin, por njëkohësisht të prekeshin të ardhurat e Moskës, në dhjetor të vitit 2022 SHBA-ja dhe Evropa vendosën një çmim tavan prej 60 dollarësh për fuçi të naftës ruse. Perëndimi kërcënoi se do të sanksiononte çdo kompani transportuese që nuk do të respektonte këtë vendim.

    Por, duke u përpjekur që të shmangte këtë çmim tavan, Rusia përdori qindra cisterna nafte në tregjet ndërkombëtare që zakonisht njihen me termin “flotë në hije”.

    Pavarësisht sanksioneve, Rusia vazhdoi të kishte miliarda dollarë të ardhura nga sektori i saj i energjisë, duke shtyrë Ukrainën që t’i kërkonte administratës Biden që Moskës t’i vendoseshin sanksione më të ashpra dhe zbatimi i tyre të ishte po ashtu më rigoroz./REL

  • Shkup, interpelancë ndaj një deputeteje dhe katër anëtarëve të qeverisë

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e filloi sot seancën lidhur me pesë interpelanca; katër të ngritura nga partitë shqiptare të Frontit Evropian ndaj tre ministrave dhe një zëvendës-ministri dhe një interpelancë ndaj deputetes Ilire Dauti të Frontit Evropian, të ngritur nga partia “E Majta”.

    Parlamenti me shumicë prej 61 votash e shkarkoi ligjvënësen Ilire Dauti nga pozita e drejtueses së Komisionit parlamentar për Çështje sociale, demografi dhe të rinj për shkak se ajo për javë të tëra nuk pranoi ta vërë në rend dite propozimin e Lidhjes Social Demokrate për ngritjen e statusit dhe pagave për ish-pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe më pas.

    Zonja Dauti dhe deputetët e Frontit Evropian e cilësuan interpelancën si një nismë kundër barazisë etnike dhe propozim-ligjin si diskriminues.

    Partitë shiqptare të opozitës e mbështetën ligjvënësen Dauti, e cila ngulte këmbë që nëse miratohej një ligj për ish-pejsëtarët e forcave maqedonase, atëherë ligji të ishte i përbashkët dhe të përfshinte edhe ish-pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

    Partite maqedonase e quajtën shkelje të rregullave; rregullores së punës së parlamentit nga zonja Dauti mosvënien për debat të propozim-ligjit në komisionin përkatës.

    Deputetët e Lidhjes Social Demokrate u larguan nga seanca duke thënë se interpelancat kishin të bënin me truqe politike mbi baza etnike dhe ata nuk morën pjesë në debat e as në votim.

    Menjëherë më pas, parlamenti filloi interpelancat ndaj Zëvendës-kryeministrit Izet Mexhiti, Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëdvendës-ministrit të Brendshëm Astrit Iseni, si dhe ndaj ministrit për Marrëdhënie ndëretike, Ivan Stoilkoviç.

    Fronti Evropian i akuzon këta pjesëtarë të qeverisë për keqmenaxhimin e situatës me rastin e Ditës së Flamurit shqiptar kur u shkatuan incidente në Shkup dhe qytete të tjera, ose për përpjekjet për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit që avancoi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, apo në rastin e ministrit Stoilkoviç – për veprimtarinë e tij në shërbim të një shteti fqinj, sipas Frontit Evropain, duke aluduar në dhënien e informatave nga ana e ministrit, shërbimeve serbe dhe ruse të zbulimit.

    Por, Fronti Evropian ka vetëm tetëmbëdhjetë vota në parlamentin prej 120 vendesh dhe interpelancat pritet të dështojnë./VoA