Kategori: Rajon

  • Vdes një nga të plagosurit në sulmin në Cetinjë, shkon në 13 numri i viktimave

    Një nga katër të plagosurit në sulmin e një janarit në Cetinë, vdiq të enjten në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Dejan Kokotoviç, është viktima e trembëdhjetë e vrasjes masive të kryer nga Aco Martinoviç.

    Më 1 janar, Kokotoviç u transferua në spital ku iu nënshtrua një operacioni urgjent. Më pas mjekët njoftuan se ai kishte një plagë me armë zjarri në kokë dhe ishte në gjendje kritike.

    Qendra Klinike tha të enjten se 48 orë më parë Kokotoviç po shfaqte shenja të përmirësimit të lehtë, por gjendja e tij papritur u përkeqësua dhe ai vdiq.

    Dymbëdhjetë veta u vranë në sulmin e një janarit që nxiti protesta në Podgoricë dhe Cetinë kundër, siç u tha, mungesës së veprimeve të autoriteteve për ta parandaluar vrasjen e shumëfishtë.

    Ambasada amerikane tha të enjten se e “mbështet fuqimisht të drejtën për tubime paqësore, jo të dhunshme dhe lirinë e shprehjes, si vlera themelore të një shoqërie demokratike”.

    Ambasada amerikane, vuri në dukje, se qytetarët nuk duhet të vuajnë pasojat për ushtrimin e të drejtës së tyre për tubim paqësor dhe shprehje të mendimit.

    “U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile dhe mediave që të tregojnë respekt për viktimat e ngjarjeve tragjike në Cetinë dhe familjet e tyre, të përqendrohen në rimëkëmbjen e komunitetit dhe të punojmë së bashku për të mësuar nga kjo tragjedi dhe për të garantuar siguri më të madhe për qytetarët”, thuhet në një reagim të ambasadës amerikane në Podgoricë.

    Mbi 100 profesorë të universitetit dhe asistentë mësimdhënës dërguan një letër mbështetjeje për studentët që themeluan grupin joformal studentor “Kamo Sutra” (Kah Nesër).

    Ata shprehim mbështetje për organizatën joformale studentore “Kamo śutra” dhe kërkesave të tyre për të sqaruar plotësisht përgjegjësinë për vrasjet masive në Cetinë.

    “Është koha e fundit që të gjithë ne të shqetësohemi për sigurinë e qytetarëve në Mal të Zi dhe, si bashkësi shoqërore, të kërkojmë llogari nga drejtuesit e institucioneve shtetërore përgjegjës për sigurinë e qytetarëve”, thuhet në letrën e profesorëve.

    Një letër të ngjashme dërguan edhe artistët dhe shkrimtarët nga Mali i Zi, të cilët mbështesin kërkesat e studentëve.

    “Me integritetin tonë profesional dhe personal, ne e vendosim veten në mbrojtjen e tyre, sepse studentët janë e ardhmja dhe perspektiva e çdo shoqërie përparimtare. Studentët përbëjnë rrezik dhe kërcënim vetëm për totalitarizmin dhe autokracinë!”, thuhet në reagimin e tyre.

    Vrasjet e një janarit paraqesin vrasjen e dytë në masë brenda më pak se tre vitesh në Cetinë, që gjendet 38 kilometra në perëndim të Podgoricës. Në gusht të vitit 2022, një persona i armatosur vrau 10 persona.

    Shumë banorë të Malit të Zi janë të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh./VOA

  • Republika Sërpska e shënon ditën e saj jokushtetuese, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA dhe BE

    Republika Sërpska, entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, e ka shënuar të enjten me një paradë në rrugët e Banjallukës 9 Janarin, ditën e saj, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shpallur tri herë jokushtetuese. Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar kishte bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese.

    Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk i është përgjigjur pyetjeve së Radios Evropa e Lirë nëse është nisur ndonjë hetim në lidhje me shënimin e kësaj dite këtë vit, dhe nëse është bërë ndonjë gjë në lidhje me shënimin e saj vitin e kaluar, kur siç thuhet, ajo kishte vëzhguar aktivitetet e saj.

    Në paradën e së enjtes morën pjesë, ndër të tjera, përfaqësues të njësive publike dhe të shërbimeve të shpëtimit, anëtarë të çmobilizuar të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe studentë.

    Në mesin e zyrtarëve që morën pjesë, ishin edhe kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq dhe presidenti i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq.

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nuk mori pjesë, pasi është duke shëruar nga një operacion të cilit iu nënshtrua në fillim të dhjetorit.

    Në emër të tij foli ministri i Punëve të Brendshme i Republikës Sërpska Sinisha Karan.

    Në fjalimin e tij, ai e përmendi edhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke vlerësuar se pas përfundimit të procedurës në Gjykatën e Bosnjës kundër Millorad Dodikut “do të dihet nëse Marrëveshja e Dejtonit dhe Bosnja e Hercegovina do të mbijetojnë”.

    Dodik po gjykohet për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Në festimin e 9 Janarit morën pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Serbisë

     Në Banjallukë ka mbërritur edhe një delegacion i Qeverisë së Serbisë. Mes tyre ishte edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq.

    Në Banjallukë mbërriti edhe Aleksandar Vulin, ministër në Qeverinë e Serbisë, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

    Ai tha se “R është festë për çdo serb dhe se është festë për të gjithë serbët”.

    “Prandaj po e rrënojnë, po e sulmojnë çdo vlerë serbe. Po kërkojnë të përcaktojnë se çfarë do të festojmë ne, si do të festojmë ne, prandaj po kërkojnë të përcaktohet flamuri ynë. Ata duan të sundojnë në vendin tonë. Po kërkojnë që Dodiku të gjykohet si hakmarrje, siç e gjykuan popullin tonë në Hagë. Për ta rrëzuar të parin mes nesh, Aleksandar Vuçiqin, dhe atë në rrugë, jo në zgjedhje”, tha Vulin.

    Në mesin e pjesëmarrësve ishin përfaqësues të Ujqërve të Natës, një degë e klubit rus të motoçikletave të kryesuar nga Alexander Zaldostanov, i cili është i afërt me Kremlinin dhe presidentin rus Vladimir Putin.

    Më herët gjatë ditës, Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA-së në Sarajevë dhe Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, bënë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

    Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

    “Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në reagim.

    Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, u bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

    “BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnje e Hercegovinë.

    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023.

    Ai paralajmëroi se mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Pse është kontrovers festimi i kësaj dite?

     Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur, në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i popullit Serb së Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

    Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej.

    Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

    Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska./REL

  • Shkupi e dënon deklaratën e deputetit bullgar për bashkimin e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë

    Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar ashpër një deklaratë të liderit të ekstremit të djathtë në Bullgari, i cili bëri thirrje që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të bashkohet në një shtet të vetëm bazuar në një ide të shprehur rishtazi nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, për bashkimin e SHBA-së me Kanadanë.

    Lideri i partisë politike të ekstremit të djathtë në Bullgari, Rilindja (Prerodbas), Kostadin Kostadinov, tha të enjten se “nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, që të bëhen një shtet i vetëm”.

    Kjo deklaratë u dënua si “e turpshme dhe e pandershme” nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

    “Përkundrazi, synimi për ta shprehur në mënyrë të njëanshme në këtë mënyrë në fakt do të thotë mosrespektim, do të thotë mosnjohje”, tha Gordana Silanovska-Davkova.

    Ministria për Punë dhe Tregti të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër deklaratën e Kostadinovit, i cili është gjithashtu deputet aktual në Kuvendin Popullor të Bullgarisë, duke thënë se kjo deklaratë “shpreh pretendime të qarta territoriale ndaj Maqedonisë së Veriut”.

    “Deklarata të tilla dashakeqe të zyrtarëve të skenës politike bullgare janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së vendit tonë dhe në të njëjtën kohë janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, mosndërhyrjen e shteteve në punët e tyre të brendshme dhe politika e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagim.

    Në anën tjetër, Venko Filipçe, deputet dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, kërkoi që Sofja të reagojë dhe të distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Kostadinovit, ndërsa Bashkimi Evropian, siç tha ai, (BE) të dënojë deklaratën e tij.

    “I bëj thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë qartë këtë qëndrim, i cili cenon të drejtat universale të njeriut dhe vlerat evropiane, dhe të tregojë se deklarata të tilla nuk kanë vend në BE”, shkroi të enjten Filipçe, në profilin e tij zyrtarë në Facebook.

    Çfarë tha Kostadinov?

     Kostadinov shkroi se nuk ka asgjë “më logjike dhe më normale sesa dy vende me histori, origjinë, gjuhë dhe popull të përbashkët, si SHBA dhe Kanadaja, të bëhen një shtet i vetëm”.

    “E njëjta situatë është edhe me Maqedoninë (e Veriut). Nuk ka asgjë më logjike se dy shtete me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe popull të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, që të bëhen një shtet i vetëm”, shtoi Kostadinov.

    Në të njëjtin kontekst, ai mbështeti gjithashtu pretendimet e Trumpit për kthimin e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë, duke theksuar se SHBA-ja ishte pronarja e parë e asaj zone, “të cilët e ndërtuan dhe e kontrolluan deri në vitin 1979”.

    Ky qëndrim i Kostadinov vjen në një periudhë marrëdhëniesh të ndjeshme mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që lidhen me historinë, identitetin dhe gjuhën, çka kanë ndikuar edhe në bllokadën nga ana e Bullgarisë ndaj procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).

    Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut ta njohë pakicën bullgare si pakicë kombëtare. Për ta bërë këtë, nevojiten ndryshime kushtetuese.

    Ndërkohë, Qeveria në Shkup, e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, kërkon zgjidhje afatgjate. Mickoski ka propozuar që, nëse miratohen, ndryshimet të kenë një zbatim të shtyrë, një ide që është kundërshtuar nga BE-ja.

    Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i BE-së, më 19 dhjetor 2024, në Samitin Be-Ballkani, miratoi konkluzionet për zgjerim, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, u theksua nevoja për të përshpejtuar dhe përfunduar ndryshimet kushtetuese, të cilat përfshijnë përfshirjen e minoritetit bullgar në preambulën e Kushtetutës së vendit.

    “Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë mbeten me rëndësi thelbësore”, thuhet në deklaratë.

    Marrëveshja e Prespës me Greqinë, e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, i mundësoi Maqedonisë së Veriut anëtarësimin e saj në NATO, kurse Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, i nënshkruar në 2017, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura mes dy vendeve (Maqedonie Veriut – Bullgari), që burojnë nga dokumenti i njohur si “Propozimi francez”.

    Për të realizuar ndryshimet kushtetuese, nevojitet një shumicë prej dy të tretash. Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut aktualisht përbëhet nga 78 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Parlamenti./REL