Kategori: Rajon

  • Presidentja maqedonase përdor veton ndaj Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova e ka ushtruar veton e saj të parë, prej se u zgjodh në maj të vitit të kaluar – duke mos e dekretuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili, ndër të tjera, parashikonte që licensat për kujdestarët e çerdheve të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase.

    Në një deklaratë për media, të martën, ajo theksoi se vendimi për veton nuk synon “të fyejë asnjë gjuhë, apo të ndjekë këshilla partiake”, por, siç tha, të inkurajojë rishikimin e disa dispozitave të Ligjit të lartpërmendur, veçanërisht të Neneve 9 dhe 10.

    Me këto dy Nene, Ligji parashikon, që përveç gjuhës maqedonase, në licenca të përfshihet edhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve.

    Silanovska në sqarimin e saj thotë se Nenet e kontestuara 9 dhe 10 të këtij Ligji duhet të rishqyrtohen në prizmin e Amendamentit të Pestë të Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për Përdorimin e Gjuhëve, i cili aktualisht është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

    “Vetëm bëra thirrje që Nenet 9 dhe 10 të rishqyrtohen edhe një herë dhe të rishikohet nëse kjo mënyrë e marrjes dhe pajisjes me licensë nuk do të sjellë hapësirë për autorizim diskrecional. Unë nuk jam e njëanshme, por partitë që kërkojnë kualifikime janë.” – tha Siljanovska-Davkova.

    Kryeministri Hristijan Mickoski, në anën tjetër, siguroi se dispozitat e kontestuara nga Presidentja do të korrigjohen dhe të njëjtat do të rikthehen për procedurë në Kuvend.

    “Mendoj se është rutinë dhe formalitet. Do të korrigjohen dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, do të kthehen përsëri në procedurë parlamentare dhe pres miratimin e suksesshëm të këtij Ligji.” – tha Mickoski të martën.

    Mickoski rikujtoi se gjuha zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase, duke shtuar se ata që dëshirojnë që Formularët për provimin dhe licensën të lëshohen edhe në gjuhën shqipe, do të kenë këtë të drejtë.

    Çka është Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve?

    Me këtë Ligj, i kaluar së voni në Kuvend, rregullohet sistemi dhe organizimi i mbrojtjes së fëmijëve dhe realizohet përmes sigurimit të të drejtave të caktuara, mjeteve dhe formave për mbrojtjen e fëmijëve.

    Ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve u miratua më 24 dhjetor të vitit të kaluar, me shumicë të dyfishtë. 63 deputetë votuan “për” dhe 14 “kundër”.

    Për veton e Presidentes ndaj këtij Ligji, opinioni e mësoi përmes reagimeve të opozitës, konkretisht LSDM-së dhe partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

    Të parët e mirëpritën vendimin, ndërsa të dytët e vlerësuan si sulm të hapur ndaj gjuhës shqipe.

    “E mirëpresim mosnënshkrimin e Dekretit nga presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova. Kërkojmë nga Qeveria të tërhiqet nga synimet e saj, për shkak të dispozitave kontradiktore. Neni 9 dhe Neni 10 i Projektligjit për ndryshime të propozuara nga Qeveria nënkuptojnë futjen e licensave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është e diskutueshme që ky segment të rregullohet me një Ligj tjetër, i cili rregullon përdorimin e gjuhëve, si dhe me Kushtetutën e vendit.” – thanë të dielën nëpërmjet një komunikate nga LSDM.

    Por, BDI-ja tha se dënon “ashpër veton skandaloze” të presidentes Gordana Silanovska-Davkova ndaj dygjuhësisë.

    “Ky nuk është një veprim i izoluar, por një strategji qartësisht e koordinuar. Fillimisht, lideri i VLEN-it, Afrim Gashi doli me një deklaratë për të përgatitur opinionin kundër gjuhës shqipe dhe për të krijuar një alibi për këtë lëvizje, e menjëherë pas kësaj nacionalizmi i tërbuar antishqiptar u aktivizua për të mohuar dhe sulmuar gjithçka shqiptare.” – thanë nga BDI-ja.

    Presidentja Gordana Silanovska-Davkova, më 31 dhjetor, i kishte dërguar njoftim kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë Dekretin për Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj Amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse.

    Kjo i referohet Amendamenteve për licensat në dy gjuhë.

    Davkova kishte thënë se Nenet e parashikuara të Ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e Amendamentit 5 të Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për Përdorimin e Gjuhëve.

    “Ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase e shkrimit të saj cirilik dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve e shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me Ligj.” – thuhet në sqarimin e Silanovskës.

    Nga koalicioni i partive shqiptare, VLEN – pjesë e Qeverisë – nuk kanë dalë ende me një qëndrim të përbashkët për çështjen e ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

    Megjithatë, zëvendëskryeministri Arben Fetai, përfaqësues i VLEN-it, në një deklaratë, të dhënë të hënën, siguroi se licensat “do të jenë edhe në gjuhën shqipe”.

    Sipas Ligjit, nëse Presidentja vendos të mos ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit, Kuvendi e rishqyrton Ligjin në përputhje me Rregulloren e Punës – brenda 30 ditëve nga data e miratimit të tij.

    Gjatë rishqyrtimit të Ligjit Amendamentet mund të sillen vetëm në lidhje me nënshkrimin e Presidentit të shtetit.

    Nëse gjatë rishqyrtimit Kuvendi e miraton Ligjin me së paku 61 vota, kryetarja Silanovska-Davkova është e obliguar ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e tij.

    Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve pritet tani të përpunohet dhe t’i dorëzohet përsëri Kuvendit./ REL

  • Vrasja në Shkodër, arrestohen dy të dyshuar – Pamje

    Një 33-vjeçar dyshohet të jetë vrarë në fshatin Dragoç të Shkodrës, më 05.01.2025.

    E vëllai i autorit të vrasjes dyshohet se ndihmoi për të kryer aktin dhe për ta fshehur armën e krimit.

    Policia e Shtetit njoftoi se arrestoi dy vëllezërit gjithashtu në vendbanimin e tyre gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Organet e rendit sjellin pamje nga operacioni i koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri 33-vjeçari.

  • Serbia shqyrton mundësi për furnizimet me naftë e gaz pas sanksioneve të supozuara amerikane

    Qeveria e Serbisë e ka miratuar një vendim për themelim të një trupi koordinues për t’i garantuar furnizimet me gaz dhe naftë, pas vendosjes së sanksioneve potenciale amerikane në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse.

    Në deklaratë është thënë se ky trup do të drejtojë dhe koordinojë punën dhe aktivitetet e grupeve punuese – njërit që vëzhgon aktivitetet e Thesarit amerikan, dhe tjetrit për negociata dhe marrëveshje për furnizimin e Serbisë me gaz natyror të Rusisë.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka thënë Televizionit publik të Serbisë, RTS se pret që SHBA-ja t’i vendosë sanksione NIS-it më 10 apo 13 janar.

    Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompania e saj amë, Gazprom kanë shumicën e aksioneve të NIS-it, 56.15 për qind, prej vitit 2008, ndërsa 29.87 për qind e kompanisë është nën pronësi të shtetit të Serbisë.

    Më 4 janar, Vuçiq ka thënë se nënsekretari amerikan për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernanez, i ka konfirmuar që SHBA-ja do t’i vendosë sanksionet NIS-it.

    Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 16 dhjetor se nuk konfirmon sanksionet, por “është i përkushtuar të pengojë gjenerimin e të hyrave të Rusisë, si dhe rrjetet e financimit që përdor Rusia për të mbështetur luftën kundër Ukrainës”.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë për RTS-në më 23 dhjetor se nuk është në dijeni për vendosje sanksionesh.

    Megjithatë, sipas tij, “ekzistojnë shqetësime” nëse NIS-i në duart ruse është duke ndihmuar disi në financim të luftës së Moskës në Ukrainë, dhe që këto çështje duhet të analizohen me kujdes.

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia pati aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

    Gazprom, ndërkaq, nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.

    Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e funrizimit – pas nisjes së luftës në Ukrainë – Serbia vazhdon të varet në masë të madhe nga burimet ruse të energjisë, dhe kjo varësi ka qenë një prej argumenteve kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, me gjithë insistimin e Perëndimit./REL