Kategori: Rajon

  • Mal i Zi, homazhe për 12 viktimat e sulmit me armë ditën e Vitit të Ri

    Në Cetinjë të Malit të Zi u mbajtën më 04.01.2025 homazhe për 12 personat që u vranë gjatë një sulmi në ditën e Vitit të Ri.

    Në bashkinë e qytetit ishin vendosur fotografi të viktimave të sulmit, ndërsa në homazhe morën pjesë të afërm të tyre dhe zyrtarë të Malit të Zi.

    Të premten (03.01.2025), kryeministri malezez Milojko Spajiq njoftoi një projektligj të ri që ashpërson masat për mbajtjen e armëve.

    Spajiq njoftoi se individët që kanë armë me leje do t’i nënshtrohen një kontrolli të së shkuarës së tyre dhe gjendjes psikologjike ndërsa paralajmëroi për një ndëshkim tejet të ashpër për ata që mbajnë armë në mënyrë të paligjshme.

    Viktimat e sulmit në qytetin perëndimor të Cetinjës ishin 7 burra, tre gra dhe dy fëmijë, të lindur në 2011 dhe 2016.

    Policia tha se autori, i identifikuar si Aco Martinoviq, ka të ngjarë të ketë qëlluar veten në kokë dhe humbi jetën.

    4 persona të tjerë që u plagosën rëndë vazhdojnë të marrin trajtim spitalore.

    Mali i Zi ka një kulturë të rrënjosur thellë të mbajtjes së armëve.

    Televizioni shtetëror RTCG raportoi se Mali i Zi është vendi i 6-të në botë për sa i përket numrit të armëve të paligjshme për frymë./VoA

  • Malazezët protestojnë para Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Cetinje

    Disa qindra malazezë kanë protestuar të premten pranë ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësia politike e sistemit të sigurisë, pas vrasjes së 12 njerëzve më 1 janar në Cetinje.

    Aco Martinoviq vrau dymbëdhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi katër të tjerë më 1 janar në Cetinje. Disa orë më vonë, ai kreu vetëvrasje.

    I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar të bëjë vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Dy djem të moshës 8 dhe 13-vjeçare ishin në mesin e të vrarëve.


    Demonstruesit fillimisht qëndruan të heshtur për t’i nderuar të vrarët dhe të plagosurit. Ata i varën 12 trëndafila në gardhin mbrojtës metalik përreth oborrit të selisë së Qeverisë në Podgoricë, duke simbolizuar numrin e të vrarëve.

    Më vonë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për veprimet e autoriteteve atë mbrëmje, ata brohoritën “Ku ishut më 1 janar?”, “Ku është Daniku Danillo Sharanoviq [ministri i Brendshëm] që nuk shfaqet?”, “A e kanë fajin qytetarët?” dhe ” Vrasës”.

    “Duhet të ishit në Cetinje, jo të na ruani neve këtu”, brohoritën qytetarët, duke aluduar se Martinoviqi nuk ishte kapur as gjashtë orë pas kryerjes së vrasjeve.

    Ata kanë brohoritur edhe emrat e djemve të vrarë “Jovan” dhe “Vukan”.

    Një pjesë e turmës u përpoq ta thyente gardhin mbrojtëse në disa raste.

    “Ne kemi fëmijë dhe kemi frikë se dikush do të përsërisë diçka të ngjashme. Kë po mbroni ju, ne nuk jemi të armatosur dhe nuk kemi armë ilegale”, tha Dushan Drakiq nga Podgorica duke iu drejtuar policëve që ruanin ndërtesën e Qeverisë.

    Drakiq në këtë mënyrë iu referua pretendimeve të policisë, e cila më 1 janar njoftoi se arma me të cilën Martinoviqi kreu vrasjet ishte “pa leje”.

    Drakiq kërkoi nga autoritetet të verpojë, duke theksuar se “përndryshe kjo tragjedi do të na trokasë në derën e të gjithëve”.

    Të enjten, qytetarët në disa qytete të Malit të Zi bënë nderimet e tyre për viktimat e Cetinjës duke ndezur qirinj.

    Vrasja në Cetinje ishte e dyta e shumëfishtë në këtë qytet në dy vjetët e fundit. Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq vrau 10 njerëz dhe plagosi 6 të tjerë, para se të kryente vetëvrasje.

    Për shkak të vrasjes në Cetinje, për të dielën më 5 janar janë paralajmëruar dy protesta – në Cetinje dhe në Podgoricë, para Ministrisë së Punëve të Brendshme./REL

  • 47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

    Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

    Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

    “Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.