Kategori: Rajon

  • Vuçiq i hapur edhe për qeveri të re, edhe për zgjedhje të reja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh ligji – apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit nga pozita e kryeministrit të vendit.

    “Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.

    “Si president i shtetit, unë duhet të propozoj mandatarin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t’i filloj konsultimet. Në mendje kam pasur tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për mandatarin për kryeministër.”

    Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviqit.

    “Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiq në një adresim para kombit.

    Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.

    Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.

    Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.

    Edhe pas vendimit të Vuçeviqit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.

    Vuçiq, në anën tjetër, ka përsëritur se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur.

    Sipas tij, protestat dhe bllokadat i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Serbisë dhe sektorit të investimeve, dhe njësoj sikurse Vuçeviq ka pretenduar se organizimi është bërë sipas “urdhrit nga jashtë”, por pa përmendur dikë në mënyrë specifike.

    Në natën mes 27 dhe 28 janarit, protestuesit janë përkrahur nga bujqit, të cilët kanë bllokuar me traktorët e tyre rrugë kryesore të kryeqytetit serb, Beogradit. Me kalimin e kohës, zemërimi për vdekjet në Novi Sad është zgjeruar me kërkesa tjera.

    Protestuesit kanë thënë se nuk janë të interesuar në politikë dhe nuk i shohin dorëheqjet si problemin kryesor. Ata insistojnë që institucionet serbe të punojnë siç duhet.

    “Ne do të dëshironim të jetonim në një shtet ku çdo institucion mund të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa korrupsion apo presion të jashtëm”, ka thënë studentja universitare, Jana Llomiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Lëvizja e studentëve nuk ka liderë. Ata i marrin vendimet me shumicë votash./REL

  • Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.

    Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj – raporton Radio Evropa e Lirë.

    Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në Stacionin hekurudhor.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar.

    Gjatë atij fjalimi ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.

    Çka tash?

    Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se Kryeministri e paraqet dorëheqjen te Kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht Presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.

    Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e Kryeministrit.

    Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.

    Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e Kryeministrit, Presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

    Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së Kryeministrit, Presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë Zgjedhjet e reja.

    Kërkesat e studentëve

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata kërkojnë gjithashtu që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për Universitetet./REL

  • Italia dërgon në Shqipëri 49 emigrantë

    Një anije e marinës italiane ka arritur më 28 janar në Shqipëri me 49 emigrantë në bord, të cilët u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare.

    Në Shqipëri atyre do t’iu procedohen aplikimet për azil dhe më pas ata do të dërgohen në Qendrën në Gjadër.

    Kjo është përpjekja e tretë për strehimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi paraprakisht Gjykatat italiane kishin ndaluar një gjë të tillë.

    Ministria e Brendshme italiane nuk ka specifikuar nacionalitetin e emigrantëve të cilët u dërguan në Portin e Shëngjinit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për persona nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.

    Përpjekja për procesimin në Shqipëri vjen pas dy përpjekjesh të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, kur gjykatësit italianë refuzuan të miratonin Urdhra për ndalimin e dy grupeve të vogla emigrantësh në Qendrat e ngritura në Shqipëri, sipas një Marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjykatat vendosën se vendet e origjinës së emigrantëve nuk ishin të sigurta për ta, nëse aplikimet për azil do t’iu refuzoheshin dhe emigrantët do të ktheheshin në shtetet e tyre.

    Rastet janë dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila më herët ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të përshpejtuara që mund të çojnë në riatdhesim – nëse shtetet e tyre të origjinës nuk vlerësohet se janë plotësisht të sigurta.

    Seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është caktuar për 25 shkurt.

    Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni është zotuar se do të rihapë dy Qendrat për Emigrantë në Shqipëri, pasi ato mbeten bosh pas Vendimeve të Gjykatave italiane.

    Qëndrimi i Melonit është mbështetur pjesërisht nga një Vendim i Gjykatës së Lartë të Italisë në dhjetor, në të cilin gjykatësit italianë thanë se nuk mund të zëvendësojnë politikat e Qeverisë sa i përket Vendimit se cilat shtete janë të sigurta për riatdhesimin e emigrantëve, të cilëve u është refuzuar Kërkesa për azil.

    Ky Vendim lejon që Gjykatat e niveleve më të ulëta të bëjnë përcaktime të tilla, në bazë të shqyrtimeve të rasteve individuale, pa vendosur për politikën e përgjithshme.

    Emigrantët priten të regjistrohen në Qendrën e pritjes në Portin e Shëngjinit dhe më pas të dërgohen në Qendrën e Strehimit në Gjadër.

    Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, e arritur në nëntor të vitit 2023, lejon që deri në 3.000 emigrantë të kapur nga rojet bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj të strehohen në Shqipëri, ku do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit për marrjen e mundshme të azilit në Itali.

    Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

    Sipas Marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy Qendra.

    Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa Qendra e dytë në Gjadër, rreth 20 kilometra larg Portit, do të shërbejë për strehim të tyre derisa të procesohen Kërkesat për azil.

    Qendrat do të funksionojnë sipas Ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.

    Emigrantët të cilët fitojnë azil do të mirëpriten në Itali, ndërkaq atyre që iu refuzohet Kërkesa për azil, sipas Marrëveshjes, do të riatdhesohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

    Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë kritikuar Marrëveshjen – duke thënë se krijon një precedent të rrezikshëm.

    Deri më tani gjatë këtij viti 3.704 emigrantë kanë arritur në Itali, apo dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin 1.305 imigrantë.

    Vitin e kaluar 66.317 imigrantë arritën në Itali, apo 58% më pak se viti paraprak. Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, Siria, Tunizia dhe Egjipti – sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane./REL