Kategori: Rajon

  • Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë

    Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj, të cilët po merrnin pjesë në punëtori për organizatat joqeveritare nga nëntë shtete të ndryshme. Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, duke cilësuar se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë”.

    Në mesin e tyre ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ajo e Jashtme, e as nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se konkretisht çfarë kërcënimi përbënin personat e dëbuar.

    Fondacioni Erste, i cili është ndër organizatorët e punëtorisë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se më 21 janar, vonë në mbrëmje, autoritetet serbe kanë marrë në pyetje 13 pjesëmarrës nga nëntë vende, pas së cilës atyre iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.

    Nga ky fondacion theksuan se as ata, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes nuk janë informuar për arsyet e dëbimit.

    “Ky incident është jashtëzakonisht shqetësues. Së bashku me partnerët tanë po vazhdojmë të ndjekim me kujdes situatën. Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore”, u tha në njoftimin e Fondacionit Erste.

    Nga ky fondacion thanë se programet e tyre organizohen që nga viti 2013, disa prej tyre kanë qenë në Beograd dhe janë mbajtur pa asnjë problem.

    Reagime nga BE-ja, Shqipëria dhe vendet e rajonit

    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke e ftuar Serbinë që të respektojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

    “Ne jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin nga Serbia të aktivistëve paqësorë të shoqërisë civile që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto janë vlera në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçë për të ardhmen e Serbisë si një vend kandidat dhe për qytetarët e sajë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.

    Blloku evropian porositi Serbinë se masat që ndërmerr në interes të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore vendëse dhe evropiane.

    “Masat e tilla nuk duhet të rezultojnë me kufizimin e lirive individuale, përfshirë edhe të qytetarëve të huaj”, u tha nga BE-ja.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar se dy shtetas shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile që po merrnin pjesë në ngjarjen në Beograd, u ndaluan dhe më pas u dëbuan nga Serbia.

    Për këtë ngjarje, kjo ministri ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq.

    Gjatë takimit është shprehur shqetësimi serioz për dëbimin e dy shtetasve shqiptarë, tha Ministria e Jashtme shqiptare.

    “Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka ndikim negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, u tha në reagimin e ministrisë shqiptare.

    Dy të rinjtë, përfaqësues të dy organizatave në Tiranë, thanë për mediat në Shqipëri se u ndaluan nga policia serbe në momentin kur po ktheheshin në hotelin ku kishin qëndruar gjatë punëtorisë. Ata thanë se u shoqëruan në stacion policor ku u është dhënë një dokument, i shkruar në gjuhën serbe, dhe janë njoftuar se duhet të largohen menjëherë nga vendi dhe nuk mund të hyjnë në Serbi për një vit.

    Edhe Kroacia ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se pesë qytetarët e saj u dëbuan nga Serbia. Zagrebi ka thënë se ata ishin në shënjestër të sulmeve nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi dhe mediave të afërta me të, që akuzojnë studentët, gazetarët dhe aktivistët nga Kroacia për organizim të protestave në Serbi.

    Kroacia i ka dërguar notë proteste Serbisë dhe ka këshilluar shtetasit e saj të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti.

    Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka akuzuar autoritetet kroate për një reagim “të papërshtatshëm”, duke deklaruar se shtetasit kroatë janë trajtuar “në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikën e zakonshme ndërkombëtare”.

    Ana Kovaçiq nga Kroacia ishte një nga pjesëmarrëset në ngjarjen në Beograd, që u dëbua nga Serbia.

    Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo tha se rreth mesnatës të 21 janarit, në hollin e hotelit iu afruan policë.

    “Ishin me rroba civile, na treguan distinktivët. Thanë diçka, nëse e mbaj mend mirë, në kuptimin që janë policia për të huajt, dhe na kërkuan që të prisnim për pak kohë në holl. Pastaj na morën tre nga tre, me një makinë pa shenja, dhe na dërguan në stacionin e policisë Novi Beograd”, tregoi ajo.

    Reagime për dëbime nga pasur edhe nga Rumania. Ministria e Jashtme rumune po ashtu tha se një shtetas i saj, pjesëtar i shoqërisë civile, u dëbua nga Serbia, pasi mori pjesë në ngjarjen në Beograd. Kjo ministri tha se autoritetet serbe nuk kanë dhënë shpjegim për këtë ngjarje.

    Ndërkaq, një grup i organizatave joqeveritare në Serbi, përmes një deklarate të përbashkët, kërkoi që shteti t’iu kërkojë familje përfaqësuesve të shoqërisë civile që u arrestuan dhe dëbuan “dhe menjëherë të shfuqizohet vendimi i turpshëm” i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë

    “Trajtimi frikacak, i paligjshëm dhe i poshtër ndaj kolegëve nga sektori civil nga vendet fqinje është një përpjekje e rrezikshme për të forcuar narrativin e agjentëve të huaj, mercenarëve dhe shërbimeve të fshehta, me qëllim frikësimin e qytetarëve të Serbisë”, u tha në deklaratë.

    Dëbimet e shtetasve të huaj nga Serbia ndodhën në kohën kur ky vend po përballet me protesta masive antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 universitete shtetërore.

    Zyrtarë të lartë shtetërorë, pa ofruar dëshmi, kanë pretenduar se bllokadat nga studentët dhe protestat, po organizohet nën ndikimin e shërbimeve perëndimore të inteligjencës, me qëllimin për të rrëzuar nga pushteti presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Studentët protestues vazhdimisht kanë mohuar këto pretendime./REL

  • Shkup, Gjykata Penale liron të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme të vitit 2017 në parlament

    Gjykata Penale në Shkup i liroi të enjten katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.

    Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë.

    Katër të akuzuarit kryesorë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017, ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristevski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski u lanë të lirë sot nga Gjykata Penale.

    Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.

    Procesi gjyqësor zgjati gjashtë vjet; në gjykimin e parë të vitit 2021 Trajko Veljanovski u dënua me 6 vjet e gjysmë heqje lirie dhe tre të tjerët me nga gjashtë vjet burg, por Gjykata e Apelit vitin e kaluar e ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.

    Gjykatësi Ilija Tërpkov tha se “shkatërrimi i Parlamentit paraqet shkatërrimin e shtetit”. “Personalisht por dhe si juri e gjykatës vlerësojmë se qëllimi i ligjvënësve me Ligjin për Amnistinë nuk ishte bërë për të falur organizatorët, por gjithnjë ka një ‘por’ dhe Prokuroria e Përgjithshme si dhe Gjykata e Apelit vendosën që tre të akuzuarit nuk kanë vepruar në kundërshti me autorizimin e tyre”, u shpreh gjykatësi Tërpkov.

    “Mund të shkoni. Jeni të lirë!”- iu drejtua gjykatësi të akuzuarve, ndërsa shtoi se “shkatërrimi i parlamentit dhe rrahja e deputetëve nuk është një akt patriotizmi”. Në një mesazh për të akuzuarit tjerë gjykatësi u shpreh: “Uleni kokën dhe kërkoni falje nga shteti, siç bënë këta këtu dhe mos lejoni që dikush t’ju manipulojë”.

    Katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se më 27 prill të vitit 2017 kishin organizuar hyrjen e grupeve në parlament dhe se angazhonin persona për të ushtruar dhunë. “Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës.

    Njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve theksoi se bëhej fjalë për një proces të montuar politik me qëllim të lirimit të organizatorëve të vërtetë të ngjarjeve.

    “Edhe më parë, por edhe tani i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm që të hetojë se kush janë organizatorët e vërtetë”, tha avokati Jordan Apostollski.

    Megjithatë, edhe avokatët pajtohen se ligji nuk amniston organizatorët e vërtetë të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

    Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.

    Ngjarjeve iu parapriu revolta e nxitur në parlament nga ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së, kur Talat Xhaferi i Bashkimit Demokatik për Integrim u zgjodh për kryetar të parlamentit.

    Aleanca për Shqiptarët ka theksuar më parë se me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u inkurajuan të gjitha elementet antishqiptare brenda shtetit, në gjyqësor dhe prokurori. “Falja e pjesëmarësve të kësaj ngjarjeje është vetëm inkurajim për ata që cënuan rendin kushtetues të shtetit; ushqen nacionalizmin dhe legalizon terrorizmin si formë të veprimit”, qenë shprehur para pak javësh përfaqësuesit e lartë të Aleancës për Shqiptarët./VOA

  • Tetë të vdekur nga zjarri në një Shtëpi të pleqve në Serbi

    Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar të hënën, si pasojë e zjarrit në një Shtëpi të pleqve, në periferi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd – raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

    Zjarri shpërtheu të hënën, rreth orës 3:30, në Komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.

    Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq tha se 13 njerëz janë evakuuar nga ndërtesa, si pasojë e zjarrit.

    Staroviq tha për RTS-në se, sipas të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.

    Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ka licensë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Ai tha gjithashtu se për të evakuuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.

    Luka Qaushiq, ushtrues detyre i shefit të Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpi ndodhshin 30 njerëz.

    Shtatë të lënduar, shtoi ai, janë marrë nga autoambulanca dhe janë dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe në Qendrën Emergjente.

    Një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

    “Ata janë ende duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur, që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim.” – tha Qaushiq.

    Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve u është ofruar ndihmë sa më parë.

    Barajeva është një nga 17 Komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së Kryeqytetit./REL