Kategori: Kulturë

  • Klodiana Millona dhe Endi Tupja, fituese të çmimit “Gjon Mili” – FOTO

    Vepra “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” e autorëve Klodiana Millona dhe Endi Tupja ka fituar çmimin “Gjon Mili”, që ndahet në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”.

    Edicioni 17 i kësaj Ekspozite të titulluar “Ajo që ia thotë këngës…” është hapur më 23.01.2025. Ekspozita dhe çmimi “Gjon Mili” organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK).

    GKK ka bërë të ditur se çmimi “Gjon Mili” është ndarë nga një juri në përbërje të: Marina Grzinic (Slloveni), Zef Paci (Shqipëri) dhe Stamatis Schizakis (Greqi).

    “Çmimi i ndahet veprës ‘Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita’ nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së Ekspozitës – duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mospërkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme.” – thuhet në njoftimin e GKK-së.

    Ekspozita e 17 Ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, “Gjon Mili”, e titullar  “Ajo që ia thotë këngës…” është kuruar nga Valentina Umansky.

    Në këtë Ekspozitë janë përfshirë veprat e 23 artistëve – pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 30.03.2025.

    Pamje nga ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com
    Pamje nga ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com

     

    Vepra fituese e ekspozitës “Gjon Mili” 2025 / Foto: GKK

     

    Pamje nga Ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com

     

    Pamje nga Ekspozita “Gjon Mili” 2025 / Foto: KALLXO.com
  • QKK-ja e merr me qira për 200 euro në muaj Kino ABC-në, synon pronësinë e saj

    Nga janari i vitit 2025 Qendra Kinematografike e Kosovës ka marrë me qira Kinemanë ABC (Kino ABC) në Prishtinë.

    Marrja e Kino ABC-së nën menaxhim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes QKK-së, është konfirmuar për KALLXO.com nga drejtoresha e kësaj të fundit, Blerta Zeqiri.

    Por, MKRS dhe QKK-ja planifikojnë ta marrin në tërësi në pronësi Kinemanë ABC (Kino ABC), duke përfshirë edhe Ndërmarrjen për Distribuimin dhe Shfaqjen e Filmave “Genci”, e cila menaxhonte me KINO ABC-në. NDSHF “Genci” duke përfshirë edhe Kino ABC-në është nën të menaxhim të Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Më 27.12.2024, QKK-ja përmes një njoftimi pati bërë të ditur se në bashkëpunim me MKRS ka marrë në shfrytëzim këtë kinema.

    Vendimi për dhënien me qira të Kino ABC-së është marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më 27 dhjetor 2024.

    Pas këtij vendimi, më 3 janar 2025, përmes Facebook-ut, Kino ABC njoftoi për ndërpreje të përkohshme të shfaqjes së filmave.

    Me Ligji për Kinematografinë i cili ka hyrë në fuqi më 16.07.2023, fusha e kinematografisë është shpalur me interesat të veçantë. Nisur nga ky fakt, po sipas këtij ligji, edhe kinematë publike janë shpallur institucione të interesit të veçantë.

    Marrëveshja për qiranë

    Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri ka thënë për KALLXO.com se QKK e ka marrë me qira KINO ABC-në për 200 euro në muaj dhe synon marrje në peronës të NDSHF “Genci”.

    “Kinemaja ABC është marrë me qira nga janari i vitit 2025, me një pagesë mujore prej 200 eurosh. Marrëveshja është planifikuar të zgjasë deri në përfundimin e procesit të shpronësimit. Kjo periudhë e qirasë siguron që kinemaja të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje, ndërkohë që punojmë për ta integruar atë plotësisht në pronësi publike, duke garantuar mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”- ka thënë Zeqiri.

    Drejtoresha Zeqiri ka thënë se vendimi për marrjen me qira të Kino ABC-së nga QKK-ja marrë më 27.12. 2024 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    “Vendimi bazohet në nenet 4, 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, si dhe në Ligjin Nr. 03/L-205 për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij ligji. Pas miratimit të kërkesës së QKK-së për marrjen me qira të kinemasë ABC, prona është transferuar nga administrimi i AKP-së në pronë publike.  Ajo do të administrohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përmes QKK-së, duke mbështetur misionin për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës kulturore në Kosovë”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

    Zeqiri ka thënë se rifillimi i punës në kinemanë ABC pritet në muajin shkurt 2025.  Zeqiri thotë se, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema (Kino ABC) si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë.

    “Ne synojmë që ky institucion i dashur kulturor të vazhdojë të jetë një vend i gjallë për artin dhe kinematografinë, duke i qëndruar besnik traditës së tij si një hapësirë ku audienca e Prishtinës dhe më gjerë mund të shijojë magjinë e filmave”- ka thënë ajo, duke shtuar se  QKK do të rikthej në vendet e tyre të punës punëtorët që kanë kontribuar ndër vite në funksionimin e Kino ABC-së.

    Ndërsa, marrë në pronësi edhe të NDSHF “Genci”, së bashku me strukturën menaxhuese , Zeqiri e konsideron me rëndësi. Pasi sipas saj, kjo do të mundësojë një administrim më të qëndrueshëm dhe një fokus më të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore që kinemaja përfaqëson.

    “Arsyeja kryesore është rëndësia kulturore dhe historike e kinemasë ABC. Duke marrë parasysh mandatin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për privatizimin e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë”- ka thënë Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së për KALLXO.com.

    AKP-ja nuk i është përgjigjur KALLXO.com lidhur me vendimi për dhënien me qira të Kino ABC dhe procesin e kalimit të NDSHF “Genci” në pronësi të MKRS/QKK-së, deri në publikimin e artikullit.

    Me Ligji për kinematografinë, neni 4, fusha e kinematografisë është shpallur me interes të veçantë publik. Duke u bazuar në këtë nën të këtij ligji, kinematë publike shpallen gjithashtu institucione me interes të veçantë publik.

    “Në raport me kinematë si në paragrafin 1 të këtij neni, (21) të gjitha institucionet që ushtrojnë autoritet publik në Republikën e Kosovës, nuk mund të ndërmarrin veprime në drejtim të: ndërrimit të destinimit; privatizimit”- thuhet në pikën 2, të nenin 21 të Ligjit për Kinematografinë.

    Në bazë të këtij ligji, në kuadër të QKK-së parashihet edhe themelimi i njësia e veçantë për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike.

    Kinemaja ABC, funksionon që nga 24 maji i vitit 2000 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, kjo kinema ka shërbyer si urë lidhëse e Kosovës me botën e filmit. Në kinemanë ABC shfaqen filma premierë në bashkëpunim me kompanitë më të njohura holivudiane.

    Kjo kinema ishte e para kinema në Kosovë me të drejta të shfaqjes së filmave në formatin 3D dhe atë digjital 2D.

  • Shpallen nominimet për çmimet “Oscar 2025”, prin filmi “Emilia Pérez” i ndjekur nga “The Brutalist” dhe “Wicked”

    Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit “OSCAR” ka shpallur të enjten, më 23.01.2025, listën e filmave të nominuar për ceremoninë e 97-të të çmimeve të Akademisë.

    Filmi “Emilia Perez” ka thyer rekordin me 13 nominime, ndërsa pas tij vijnë “The Brutalist” dhe “Wicked” me nga 10 nominime secili.

    Sipas njoftimit të “OSCARS”, filmi “Emilia Pérez”, që tregon historinë e një bosi meksikan, i cili vendos të zhduket duke kaluar në një tranzicion gjinor për t’u bërë Emilia Pérez, është nominuar në 13 kategori, duke përfshirë edhe regjinë më të mirë, për aktorë më të mirë, kinematografia më e mirë, kostumografia, dizajni më i mirë, etj.

    Kurse, filmi “The Brutalist”, që flet për historinë e arkitektit hungarez i cili emigron në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore për të ndjekur ëndrrën amerikane, është nominuar në 10 kategori, duke përfshirë nominimin për fotografinë më të mirë, regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë, etj.

    Edhe “Wicked” një film muzikor fantastiko-shkencor amerikan që rrëfen historinë e Elphaba Thropp (Cynthia Erivo), e njohur si “Shtriga e Keqe e Perëndimit”, dhe miqësinë e saj me Galinda Upland (Ariana Grande), e cila bëhet Glinda e Mirë, është nominuar në 10 kategori për çmimin më të mirë, ndër të cilat edhe fotografia më e mirë, aktorja më e mirë, regjisori më i mirë, etj.

    Ceremonia e edicionit të 97-të ndarjes së çmimeve “OSCAR” do të mbahet më 02.03.2025 në Teatrin “Dolby” në Hollywood, në Los Anxhelos në SHBA.