Projekti “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” nga Erzë Dinarama do të përfaqësojë Kosovën në Ekspozitën e 19 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.
Ekspozita e 19 Ndërkombëtare e Arkitekturës do të mbahet nga 10 maji deri më 23 nëntor 2025 në Venedik të Italisë.
Për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik me projektin e Dinaramës ka vendosur një juri në përbërje të: Rozafa Basha, Marina Otero Verzier, Poliksen Qorri-Dragaj, Adela Demetja e Rudina Xhaferi.
Sipas Vendimit të kësaj jurie, përzgjedhja e projektit “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” për të përfaqësuar Kosovën në ekspozitën e 19 të Bienales së Arkitekturës në Venedik bazohet në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales.
Sipas vlerësimit të jurisë, projekti ka qasje eksperimentale, dinamike e diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve të Bienales, si dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertet e fushës.
“Propozimi trajton njërën nga sfidat me urgjente globale: ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme – përmes lentës së migrimit të specieve. Ai e pozicionon këtë fenomen si çështje hapësinore dhe ekologjike me pasoja të thella kulturore, gjeopolitike dhe mjedisore.” – thuhet në Vendim.
Po sipas jurisë, projekti i Dinaramës integron në mënyrë efektive kontekstin specifik të Kosovës – duke theksuar sfidat me të cilat përballen rajonet më të dhëna ekologjike të kufizuara dhe rëndësinë e njohurive lokale në formësimin e strategjive përshtatëse.
“Propozimi bazohet në hulumtime shkencore gjithëpërfshirëse të jashtëzakonshme, përfshin kushte hapësinore specifike lokale në Kosovë dhe hap një diskurs ndërdisiplinor mbi pyetjen se si peisazhet dhe qytetet kosovare mund të reagojnë ndaj krizave të parashikueshme, siç është ndryshimi klimatik – duke u përshtatur dhe përmirësuar strategjitë ekzistuese.” – thuhet në Vendim.
Bienalja e Arkitekturës në Venedik (Itali) mbahet çdo dy vjet.
Në 2023, Kosova në këtë Bienale u përfaqësua me projektin “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) të Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorrit.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se ka shtyrë për 24 orë afatin e aplikimit në Konkursin për Subvencionim të projekteve për film të gjatë artistik.
Ky Konkurs mbetet i hapur deri në fund të datës 13.01.2025.
Sipas QKK-së, shtyrja e afatit për aplikim për këtë Konkurs po bëhet për shkak të problemeve që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online, gjatë datës 12.01.2025.
“Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë. Afati i ri për dorëzimin e aplikimeve është deri sonte, më 13 janar 2025, në ora 00:00.” – thuhet në njoftimin e QKK-së, më 13.01.2025.
Më 12.12.2024, QKK ka hapur Konkursin për Subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik.
Për dallim nga vitet e kaluara, QKK-ja nuk ka hapur Konkurs edhe për kategoritë tjera, si për filma dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër e të animuar – duke lënë jashtë këtij Konkursi këto kategori filmike.
Sipas Rregullores për Konkurset dhe Mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audiovizuale, QKK-ja brenda vitit hap një apo më shumë Konkurse. Po, sipas saj, në Konkurset e QKK-së prioritet kanë veprat filmike dhe audiovizuale vendase.
QKK-ja për vitin 2025 do të ketë një buxhet prej 2,139,694 euro.
Mbi gjysmë milioni euro ka kushtuar restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, e cila para tri vjetësh ishte bërë subjekt i një vale reagimesh pro dhe kundër restaurimit.
Nga dhjetori i vitit 2024 e deri më tani, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka publikuar disa njoftime me fotografi në llogarinë e tij në Facebook për restaurimin e kësaj shtëpie, duke e konsideruar si një ndër sukseset e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vitin që lamë pas.
Por, ekspertë të fushës thonë se nga restaurimi nuk ka mbetur thuajse asgjë nga origjinaliteti që kishte dikur kjo shtëpi. Vërejtje janë dhënë edhe për mbylljen e njërës prej dritareve të monumentit pas restaurimit.
Në një përgjigje për KALLXO.com nga MKRS kanë thënë se restaurimi i shtëpisë së Devës në Mitrovicë ka kushtuar gjithsej 584,176.56 euro.
“Kontrata bazë: 489,980.00 euro, punë shtesë: 48,980.06 euro, punë të pa-parapara: 45,216.50 euro”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së rreth shpenzimeve të bëra për restaurimin e këtij monumenti.
Ndërsa, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) kanë thënë se restaurimi është bërë sipas planit të miratuar nga ta dhe se dritarja e mbyllur në fasadën perëndimore nuk ka ekzistuar para viteve 1990.
“Projekti tash më i realizuar i asetit në fjalë është realizuar sipas projektit të miratuar në IKMM, ndërsa për dritaren e mbyllur në fasadën perëndimore, ajo ka qenë një hapësirë ndriçuese e cila është hapur gjatë shfrytëzimit të ndërtesës nga banorët gjatë viteve 1990/2000, kurse në dokumentet e gjendjes burimore të asetit fasada perëndimore është tërësisht e mbyllur pa hapësira ndriçuese, dokumentacion ky i cili është marrë për bazë gjatë hartimit të projektit për ndërhyrjet konservuese dhe restauruese”- kanë thënë nga IKMM për KALLXO.com.
Sa është ruajtur origjinaliteti i objektit?
Historiani, Enis Kelmendi ka thënë për KALLXO.com se thuajse asgjë nuk ka mbetur nga origjinaliteti i monumentit pas restaurimit.
“Sipas kritereve shkencore çdo objekt i trashëgimisë që ka nevojë për ndërhyrje duhet të rekonstruohet, ndërsa objekti në fjalë ka arritur në nivelin e renovimit ku nga origjinaliteti i saj thuajse nuk ka mbet asgjë, si nga fasada, dritaret, plastika e jashtme eksterieri i kornizave te dritareve, etj. Sa i përket dritares se mbuluar është e vërtete që ajo dritare nga ana perëndimore e objektit ka ekzistuar, por është mbyllur nga ana e MKRS-së”- ka thënë Kelmendi, për KALLXO.com.
Kelmendi ka thënë se edhe fasada e objektit pas renovimit nuk përkon me origjinalitetin.
“Ndryshime janë bërë edhe në kulmin e objektit, i cili nuk është me origjinali që ka qenë, fasada e këtij objekti është e ashtuquajtur në zhargonin e ndërtimtareve FULL FASADË që nuk përkon me origjinalin”- ka pohuar historiani Kelmendi.
Destimini i objektit
Nga MKRS kanë thënë se shtëpia e restauruar e Xhafer Devës do të jetë një qendër multifuksionale.
“Monumenti planifikohet të ketë destinim multifunksional: Hapësirë pune ku do të vendoset Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës; hapësirë pune ku do të vendoset OJQ me programe kulturore; hapësirë ku do të mund të ekspozohen vepra arti”- kanë thënë nga MKRS për KALLXO.com.
Debatet rreth restaurimit
Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës nisi në 2018, pas një zjarri që kishe kalpuar objektin më 2015.
Por në shkurt të 2022, plani për restaurimin e shtëpisë së Devës nxiti një valë reagimesh, nëse duhet restauruar.
Ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili më 7.02.2022, përmes një postimin ne ‘X” (Twitter) shfaqi shqetësimin e tij lidhur me planet e MKRS-së për restaurimin e këtij monumenti, ish-pronari i së cilës, Xhafer Deva, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skanderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas, Mbro Faktet”, pat shkruar në “X”, ambasadori Rohde”- pati deklaruar ambasadori Rohde.
Reagimi i tij u përcoll me kundër-reagime të shumta, ndërsa ministri Hajrulla Çeku, më 09.2.2022 pait bërë të ditur gjatë një konference për media se MKRS nuk do të heqë dotë nga restaurimi i monumentit.
Xhafer Deva nga Mitrovica njihet si bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Ai ishte organizator i themelimit të organizatës “Lidhjes shqiptare të Prizrenit” dhe konsiderohet si ideatori i themelimit të divizionit ushtarak SS “Skanderbeg”. Deva shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë viteve 1943-1944, kur vendi ishte nën kontrollin e regjimit nazist të Adolf Hitlerit.
Sipas të dhënave të MKRS-ë, shtëpia e Devës është ndërtuar në vitin 1930-të, në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës.
Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës pas restaurimit. Foto: KALLXO.com.Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës pas restaurimit. Foto: KALLXO.com.Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës pas restaurimit. Foto: KALLXO.com.
Pamje e Shtëpisë së Xhafer Devës para restaurimit.
Pamje e vjetër e Shtëpisë së Xhafer Devës. Foto: Facebook/Hajrulla Çeku.