PDK zotohet për rinegociim të Marrëveshjes së Ohrit

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e konsideron Marrëveshjen e Ohrit për të cilën është pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dëmin më të madh që i është bërë Kosovës në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Lidhur më këtë marrëveshje, ajo tha se është kërkuar llogari, mirëpo nuk kanë marrë sqarime.

“Në dialog dëmi më i madh që i është bërë Kosovës është Marrëveshja e Ohrit. Këtë e kemi thënë në fjalimet tona në Kuvendin e Kosovës. Kemi kërkuar llogari edhe në Komisionin për Punë të Jashtme, por marr parasysh që PDK-ja i ka pasur vetëm 18 deputetë, e kemi pasur të pamundur që të kemi një fuqi më të madhe legjislative që ta kundërshtojmë”- tha ajo.

Derisa përmendi pikat e kësaj marrëveshje për të cilat nuk pajtohet PDK-ja, ajo tha se me ardhjen e tyre në pushtet do ta rinegociojnë këtë marrëveshje.

“Në Marrëveshjen e Ohrit preket interesi kombëtar i vendit tonë. Aty flitet për Rezolutën 1244. Njohja e ndërsjellë nuk është në asnjë nen. Kemi të bëjmë me vetëmenaxhim dhe vetëfinancim. Kemi të bëjmë me Gjykatën e Arbitrazhit. Të gjitha këto pika janë të papranueshme për PDK-në, dhe ne patjetër që do ta rinegociojmë këtë marrëveshje. Kështu si është, kemi deklaruar edhe më herët, po e them edhe sot, që nuk e zbatojmë”- tha Musliu-Shoshi.

Tutje, ajo tha se nuk ka marrëveshje që nuk mund të negociohet.

Marrëeshja e Ohrit e arritur më 18 mars 2023, në fakt është Aneks i zbatimit të Marrëveshjes Bazë, për të cilën kishin gjetur pajtueshmëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt të atij viti, në Bruksel.

Në “Debat Përnime”, u diskutua edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm nëse brenda tij ka kompetenca ekzekutive, sepse është i dëmshëm. Në asnjë mënyrë ne nuk e pranojmë një Asociacion ku Rezoluta 1244 është pjesë e marrëveshjes. Në asnjë mënyrë ne nuk e pranojmë një Asociacion brenda së cilit në funksion vihet një Gjykatë e Arbitrazhit që është jashtë rendit ligjor të Republikës tonë”- tha Musliu-Shoshi.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

https://kallxo.com/gjate/fuqizimi-i-marredhenieve-me-aleatet-shtimi-i-njohjeve-dhe-anetaresimet-zotimet-e-pdk-se-per-politiken-e-jashtme/