Etiketë: Policia

  • Grabitje e armatosur në Prishtinë, të dyshuarit ishin të maskuar

    Një grabitje ka ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku”, në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më 21.01.2025, rreth orës 12:30.

    “Pas marrjes së informacionit, Policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.” – deklaroi Ahmeti për KALLXO.com.

    Tutje, ajo shton se njëri nga të dyshuarit është arrestuar pak minuta pas raportimit të rastit.

    “Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar.” – shton Ahmeti.

    Të dyshuarit e këtij rasti – sipas Policisë – dyshohet se janë të përfshirë edhe në një grabitje tjetër të datës 17.01.2025, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

  • Në Gjilan e Shtërpcë, dy persona raportohen të zhdukur

    Dy persona, një në Gjilan dhe një në Shtërpcë, raportohen të zhdukur në 24 orët e fundit.

    Në Gjilan një shtetas kosovar – sipas Policisë – ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

    Kurse në Shtërpcë raportohet se një grua që nga 18.01.2025 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    Për të dy rastet, Policia ka ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme hetimore.

  • Digjet Fabrika e Plastikës në Rahovec – dyshohet për zjarrëvënie

    Një Fabrikë e Plastikës në Fortesë (Bellacerkë) të Rahovecit është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 21.01.2025.

    Aktualisht, zjarrfikësit janë duke u angazhuar për shuarjen e zjarrit, teksa nuk raportohet për të lënduar.

    Policia Rajonale e Gjakovës konfirmoi për KALLXO.com se zjarri është iniciuar si “zjarrëvënie”.

    “Rreth orës 05:50 të mëngjesit, një zjarr ka përfshirë një Fabrikë për Produkte plastike në fshatin Bellacerkë-Rahovec. Njësitë policore përkatëse kanë dalë menjëherë në vendngjarje. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë aktualisht të angazhuar në shuarjen e zjarrit. Nuk është raportuar për pasoja në njerëz. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti, si: ‘zjarrëvënie’.” – tha Sheremet Elezaj, nga Policia e Gjakovës.

    Sipas Policisë, zjarri është lokalizuar.