Etiketë: Policia

  • Vjedhje e veturave e marketeve – Gjashtë të arrestuar në 24 orët e fundit në disa qytete

    Gjashtë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit, nën dyshime për vjedhje në disa qytete të Kosovës.

    Në Leposaviq janë arrestuar dy persona, pasi dyshohet se kanë vjedhur një veturë.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë vjedhur një veturë me targa të Serbisë, e cila ishte pronë e ankuesit mashkull kosovar. Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit të të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – theksoi Policia.

    Kurse, në Fushë Kosovë, sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer disa rasteve të vjedhjeve – përfshirë vjedhje të rënda.

    “Me dyshimin e bazuar për kryrjen e disa rasteve të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar – shtetas i Maqedonisë së Veriut. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – bëri të ditur Policia e Kosovës.

    Ndërkaq, në Prishtinë, cak i vjedhjeve ishin disa dyqane. Dy persona janë arrestuar, meqë dyshohet e kanë vjedhur në një market.

    Sipas Policisë, gjësendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë kthyer pronarit, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

    Për vjedhje në një market, në Prishtinë u arrestua gjithashtu edhe një shtetase e Maqedonisë së Veriut, për shkak se e njëjta dyshohet të ketë kryer vjedhje në dyqanin e ankuesit kosovar.

  • Mbi 1 mijë gjoba të shqiptuara e 29 aksidente në rajonin e Ferizajt në një javë

    Policia Rajonale e Ferizajit ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba javën e kaluar, si pjesë e aktiviteteve për parandalim të aksidenteve në komunikacion.

    Derisa, janë raportuar 29 aksidente, prej tyre 11 me persona të lënduar dhe 18 me dëme materiale.

    “Në kuadër të këtyre aktiviteteve Policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që kaloi, nga data 13-19/01/2025 ka shqiptuar 1,009 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 6 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor.” – thuhet në një komunikatë për media të Policisë.

    Policia Rajonale e Ferizajit thekson se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, si dhe u bëri thirrje shoferëve që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.

    “Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më Policinë.” – thekson më tej Policia.

     

  • Policia gjen drogë dhe fishekë në një shtëpi në Podujevë

    Rreth dy kilogramë marihuanë dhe mbi 70 fishekë të kalibrave të ndryshëm janë gjetur në një shtëpi, në rajonin e Podujevës – njoftoi Policia.

    “Në koordinim me Prokurorin është kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, ku janë gjetur dhe sekuestruar 1.994 kg – substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 75 fishekë kalibrash të ndryshëm, 7 peshore të ndryshme, mbështjellës të ndryshëm të substancave narkotike dhe një radiolidhje.” – bëri të ditur Policia.

    Lidhur me rastin, në cilësi të dëshmitarëve, janë intervistuar dy persona.