Etiketë: Policia

  • Policia po kryen hetime për zjarrin e mbrëmshëm në “Kalabri”

    Dy vetura të djegura tërësisht dhe katër të tjera të dëmtuara, është bilanci i zjarrit që shpërtheu në një garazh nëntokësor në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, rreth orës 18:00 të enjten.

    KALLXO.com ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku përveç veturave janë dëmtuar edhe kabllot elektrike dhe për pasojë dy ndërtesa kanë mbetur pa rrymë.

    Hetuesit policor për gati dy orë kanë qëndruar në vendin ku janë djegur veturat për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa rasti është duke u hetuar. Policia ka marrë edhe pamje nga kamerat në lokalet afër vendit të ngjarjes. Megjithatë, Policia nuk dha detaje duke shtuar se duhet pritur përfundimin e hetimeve për të dalë me një përgjigje.

    Banorët të cilët folën për KALLXO.com, ngjarjen e përshkruan si të tmerrshme.

    “Jemi kanë t`u nejtë edhe t`u këqyrë TV. E kam dëgjuar një krismë të madhe në derë. Mendova mos është dikush i dehur a i çmendur. Kur e kam hapë derën, s’kam pa asgjë prej tymi. Ndoshta edhe personi që ka trokitur në derë ka qenë aty, por nga tymi nuk e kam pa. Kemi dalë, nuk e kemi ditë nëse po digjet një banesë apo diçka tjetër. Pasi kemi zbrit poshtë, e kemi marrë një informatë se po digjet një veturë në garazhin e përbashkët, është shumë e madhe. Ka qenë e tmerrshme, se nuk e kemi ditë çka po ndodhë. Ka pasur raste kur njësia speciale mbi njëri-tjetrin i kanë nxjerrë banorët nga tymi”- tha Haki Shala, banor i ndërtesës ku u dogjën veturat.

    Ndërkohë, për shkak të ekspozimit në tym, 13 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare. Drejtori i Klinikes Emergjente, Naser Syla, konfirmoi për KALLXO.com se të gjithë janë liruar për në shtëpi.

    https://kallxo.com/lajm/zjarri-ne-objektin-banesor-ne-prishtine-policia-13-personave-u-eshte-ofruar-tretman-mjekesor/

  • Tre gra viktima të dhunës në familje, arrestohen tre burra

    Tre raste të dhunës në familje ku viktimat janë gra u raportuan gjatë datës 15.01.2025.

    Në Lipjan u arrestua një burrë, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Në Kryeqytet po ashtu u arrestua një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij.

    Policia bën të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Derisa, me vendim të Prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Edhe në Istog u arrestua një burrë, pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Sipas Raportit policor, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Aeroporti i Prishtinës -Dy persona tentojnë të udhëtojnë për në Vjenë me lejeqëndrim që dyshohet të jetë i falsifikuar

    Një burrë dhe një grua dyshohen se tentuan të udhëtojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Vjenë, me lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar.

    Policia e Kosovës bën të ditur se burri është dërguar në mbajtje, derisa gruaja së bashku më një fëmijë është dërguar në Qendrën për Punë Sociale.

    Rasti ka ndodhur më 15.01.2025.

    “Raportohet se të dyshuarit: një mashkull dhe një femër me shtetësi të huaj kanë tentuar që të fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës për në Vjenë – duke prezentuar lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër së bashku me fëmijë në Qendrën për Punë Sociale.” – thuhet në Raportin policor.

    Rasti po trajtohet si “falsifikim i dokumentit”.