Etiketë: Kosovë

  • A ka pasur heqja e dinarit “efekt pozitiv” në sistemin financiar të Kosovës?

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që transaksionet financiare të kryhen vetëm në euro, nuk e ka arritur qëllimin e saj, pasi valuta e Serbisë, dinari ende qarkullon në zonat serbe në Kosovë dhe të ardhurat nga buxheti i Serbisë nuk konvertohen në euro, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

    “Kjo rregullore ishte një vendim i nxituar. Një vendim politik i kësaj Qeverie”, mendon ai dhe shton se çështja e heqjes së dinarit duhej të zgjidhej nëpërmjet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Bektashi thekson se edhe pas një viti nga miratimi i rregullores, nuk ekziston një marrëveshje për transferimin e parave që do t’i siguronte Bankës Qendrore të Kosovës qasje në këto fonde.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, duke e komentuar këtë rregullore në konferencën vjetore në fund të dhjetorit, tha se ajo ka pasur një “efekt pozitiv” në të gjithë sektorin financiar, duke sjellë “unifikimin e sektorit dhe ndërprerjen e financimeve të paligjshme”.

    Rregullorja, e cila ndalon pagesat me valuta të tjera pos euros – rrjedhimisht edhe me dinarë – u miratua në fund të dhjetorit 2023 dhe hyri në fuqi më 1 shkurt 2024.

    Pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë në dinarë, reaguan ashpër ndaj kësaj rregulloreje, ndërsa ajo u kritikua edhe nga komuniteti ndërkombëtar me arsyetimin se mund të ketë pasoja negative për komunitetet pakicë.

    Profesor Bektashi thotë se e vetmja gjë që ka ndryshuar gjatë këtij viti është se qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb duhet të shkojnë në Serbi për t’i marrë të ardhurat e tyre në dinarë.

    “Periudha e tranzicionit duhej të kishte një kuptim, që Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Serbisë të arrinin një marrëveshje për konvertimin e dinarit në euro dhe të sigurohej qarkullimi i parave për pensionistët dhe të tjerët që marrin të ardhura në dinarë”, konsideron Bektashi.

    Banka Popullore e Serbisë ka insistuar që çështja e dinarit të diskutohet në kuadër të dialogut, gjë që Kosova përgjithësisht e ka refuzuar, duke argumentuar se kjo është çështje e brendshme.

     

    Cila është gjendja reale në terren?

    Petar nga Mitrovica e Veriut është punëtor i një prej institucioneve të mbyllura, që funksiononin sipas sistemit serb, të cilat Kosova i ka mbyllur me arsyetimin se “funksiononin në mënyrë të paligjshme”.

    Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Petari thotë se aktualisht nuk shkon në punë, porse pagën e merr rregullisht.

    “Paga më transferohet në një llogari që është në dinarë. Ndoshta edhe kjo duhej të zgjidhej, që paga të konvertohej disi dhe ta merrnim normalisht në euro në Kosovë, përmes bankave si NLB Banka ose Raiffeisen Banka, që ndodhen në qytetin tonë”, thotë ky qytetar.

    Ai vëren se “asnjëra palë nuk dëshiron t’i kushtojë vëmendje popullit që po kalon nëpër vështirësi”.

    Banka Qendrore e Kosovës ka pohuar se heqja e transaksioneve financiare në dinarë nuk e ndalon pagesën e të ardhurave nga buxheti i Serbisë, por ato duhet të jenë ekskluzivisht në euro, për të mundësuar qasjen në rrjedhën e parasë.

    Megjithatë, deri më sot, këto të ardhura kanë mbetur në dinarë. Gjithashtu, në disa zona serbe – kryesisht në komunat në veri – dinari vazhdon të qarkullojë si mjet pagese në objektet tregtare.

    Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë institucionet e veta në Kosovë, dhe disa prej tyre janë transferuar në vendet kufitare në Serbi. Aty janë vendosur edhe bankomatë, prej nga qytetarët e Kosovës tërheqin të ardhurat e tyre në dinarë.

    “Për dinarë, në Serbi”

    Radomiri nga Leposaviqi thotë se tani, “si zakonisht”, i tërheq të ardhurat e tij në dinarë në Rashkë, një qytet kufitar në Serbi, rreth 30 kilometra larg kësaj komune me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Zakonisht shkojmë atje (në Rashkë) dhe blejmë edhe produkte serbe që këtu (në Kosovë) ishin të ndaluara për një periudhë. Jemi mësuar të paguajmë edhe me kartelë… në përgjithësi, nuk është shumë e thjeshtë, por po përshtatemi”, thotë ai.

    Ai vë në dukje se në pikat kufitare krijohen radhë të gjata gjatë kohës kur bëhen pagesat nga buxheti i Serbisë, dhe shpesh ndodh të presin për disa orë për të kaluar nga Kosova në Serbi ose anasjelltas.

    “Duhet të armatosesh me durim, sepse krijohen turma të mëdha kur bëhet pagesa e pensioneve ose ndonjë e ardhur tjetër. Në familje kam dy pensionistë (prindërit), i kam çuar në Rashkë, por tani kam marrë një autorizim dhe ua tërheq pensionet vetë”, tregon Radomiri.

    Miloradi nga Graçanica, një komunë me shumicë serbe pranë Prishtinës, deri në heqjen e dinarit e merrte pensionin me çek, pra paratë i jepeshin në sportelin e Postës që funksiononte në sistemin serb ose i dërgoheshin në adresën e shtëpisë nga postieri.

    Ai shpjegon se në muajt e parë pas ndalimit të përdorimit të dinarit, shkonte çdo muaj në Serbi për ta tërhequr pensionin, por më pas ka hapur një llogari në bankën e Kursimores së Postës serbe , ku i transferohen paratë.

    Tani, siç thotë, kartën bankare ua jep fëmijëve të tij, të cilët e tërheqin pensionin e tij në Serbi.

    Çdo vit Serbia ndan miliona euro për pagesën e të ardhurave për serbët në Kosovë.

    Përveç pagave dhe pensioneve, aty përfshihen edhe ndihmat financiare si asistenca sociale, shtesat për fëmijë dhe të ngjashme.

    Në fund të tetorit të vitit 2024, Qeveria e Serbisë shpalli territorin e Kosovës si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, gjë që parashikon ndihmë shtesë financiare për të papunët, pensionistët dhe fëmijët./ REL

  • S’ka vend si shtëpia e prindërve për të rinjtë kosovarë

    Për qejf a për zor, shumica e të rriturve kosovarë jetojnë me prindërit.

    Nëse dikush e sheh këtë si prapambetje, i ngjashëm është trendi edhe në disa vende të Perëndimit.

    Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e Byrosë së Regjistrimit për vitin 2024 tregojnë se përafërsisht 1 në 3 të rritur amerikanë të moshës 18 deri në 34 vjeç, jeton në shtëpinë e prindërve.

    Në një pjesë të madhe të Evropës, sipas Agjencisë së Statistikave – Eurostat, ky proporcion është më shumë se një në tre.

    Në Kroaci, për shembull, janë shtatë të rinj në dhjetë që zgjedhin shtëpinë e prindërve.

    Për sociologun Artan Krasniqi, familja është një aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm i jetesës në Kosovë.

    “Jemi shumë të lidhur”.

    “Unë nuk mund të paramendoj të jetoj vetëm”, thotë Genita Rafuna.

    “Ne jemi familje e madhe – dy prindërit dhe gjashtë fëmijë. Jam shumë-shumë e lidhur me ta”, thotë 23-vjeçarja nga Prishtina.

    Genita, aktualisht, është studente në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Thotë se nuk ka pronë të veten, por edhe sikur të kishte, nuk do të jetonte vetëm.

    “Unë jam mësuar në një ambient me shumë njerëz, me atmosferë, zhurmë e të qeshura në familje”, shprehet ajo.

    Këtë ndjesi ndan edhe Faton Rexhepi. Tregon se i ka 37 vjet, punon në sektorin privat dhe jeton nën një çati me prindërit, vëllezërit e motrat.

    Ky “mentalitet bashkëjetese”, siç e quan ai, “është krejt normal”.

    “E ndiej veten rehat. Dua të kujdesem edhe për prindërit, sepse janë në moshë të shtyrë dhe kanë nevojë”, thotë Fatoni.

    Ndryshe prej tij, Namon Muçiqi, 28 vjeç, do të donte të jetonte vetëm, por nuk i ka kushtet ekonomike.

    Thotë se paga që merr nga puna në sektorin privat, nuk i mundëson të paguajë qiranë e një banese.

    “Kështu që jetoj me prindërit. Është më lirë. Faturat për shërbime paguhen për të gjithë anëtarët. Ushqimi përgatitet për të gjithë. Ky stil i jetës është më i lirë”, sipas tij.

    Çka thonë shifrat?

    Një studim i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung, i publikuar në nëntor të vitit 2024, nxori në pah se 86 për qind e të rinjve në Kosovë nga mosha 14 deri në 29 vjeç jetojnë me prindërit e tyre, meqë është opsion më i thjeshtë dhe më i përshtatshëm.

    Sipas studimit, vetëm 11.5 për qind e të anketuarve do të jetonin vetëm, nëse rrethanat financiare do t’u lejonin.

    Të rinjtë që jetojnë në viset urbane, përbëjnë përqindjen më të lartë – mbi 37 – sa u përket preferencave për të jetuar vetëm, nëse do t’u mundësonin kushtet financiare.

    Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se familjet në vend kanë mesatarisht 4.33 anëtarë.

    Faktori kulturor dhe ai ekonomik

    Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se faktori i parë që i lë të rinjtë e rritur në shtëpitë e prindërve, është ai kulturor.

    Sipas tij, vajzat e kanë edhe më të vështirë të vendosin të jetojnë vetëm pa u martuar, kryesisht për shkak të mentalitetit patriarkal.

    Krasniqi thotë se një faktor tjetër që i kontribuon dukurisë, është edhe ai ekonomik.

    “Sikur të kishin mirëqenie, punë të sigurt, banim me kosto të përballueshme, me siguri se do të rritej numri i atyre që do të donin të jetonin vetëm”, thotë ai.

    Shkalla e papunësisë te të rinjtë në Kosovë është gati 20 për qind.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023, mbi 62 mijë është numri i të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç që llogariten fuqi punëtore, kurse mbi 52 mijë prej tyre janë të punësuar.

    Qiratë e banesave në Prishtinë sillen nga rreth 200 euro e lart, varësisht madhësisë, kushteve që i ofron dhe lokacionit ku ndodhet.

    Çmimi për blerje të banesave, ndërkaq, nis nga 1.000 euro për metër katror deri në mbi 2.200 euro. Më së shtrenjti, ato janë në Prishtinë dhe në Prizren.

    Marrë parasysh këto shifra dhe pagën mesatare në vend prej rreth 570 eurosh, profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, thotë se në Kosovë nuk është krijuar standard i tillë ekonomik që të rinjtë të jetojnë të pavarur.

    “Të jetuarit bashkë është më lehtë dhe më lirë”, thotë ai, duke shtuar se institucionet duhet të krijojnë mundësi, që çmimet e pronave për banim të jenë më të përballueshme.

    Institucionet, përkatësisht Qeveria aktuale e vendit ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore, kur është zgjedhur para gati katër vjetësh.

    Asnjë prej tyre nuk është ndërtuar ende, por së paku në katër komuna janë caktuar lokacionet dhe është hapur tenderi për ndërtim.

    “Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, e shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna të tjera”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook në fund të nëntorit.

    Ai tha se vlera e projektit është mbi 38 milionë euro.

    Pak ditë më vonë, më 5 dhjetor, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për banim social dhe të përballueshëm.

    Në bazë të këtij ligji, mosha e njërit të çiftit që mund të përfitojë nga ky program, duhet të jetë nën 37 vjeç, nuk duhet të ketë në pronësi njësi banimi dhe të ketë mundësi të limituara financiare për të blerë banesë me çmime të tregut.

    Sipas programit, familja përfituese do të bëhej pronare e banesës me këste mujore prej 120-150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.

    Në Perëndim, faktori ekonomik është arsye më e fortë e të rinjve që jetojnë me prindër, sesa ai kulturor.

    Ai është bërë më i theksuar pas pandemisë COVID-19 dhe shpërthimit të luftës në Ukrainë – ngjarje këto që kanë shkaktuar rritje të inflacionit gjithandej, por edhe humbje të vendeve të punës.

    Në një anketë që ka publikuar Qendra e Kërkimeve Pew në vitin 2022, mbi një e treta e amerikanëve apo 36% kanë thënë se është një gjë e keqe për shoqërinë që më shumë të rinj të rritur jetojnë me prindërit e tyre, ndërsa 16% kanë thënë se është gjë e mirë për shoqërinë./REL

  • Moti gjatë fundjavës në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se të shtunën më 04.01.2025, parashihet të ketë kryesisht të vranët dhe vende-vende me kushte për riga shiu dhe reshje bore.

    Temperaturat minimale priten të jenë -6 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale -1 deri në 2 gradë Celsius.

    Ndërsa të dielën me 05.01.2025, IHMK-ja njofton se do të mbizotërojë mot i vranët dhe me intervale kohore me diell.

    Temperaturat minimale priten të jenë nga -7 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -2 deri në 2 gradë Celsius.