Etiketë: masat

  • Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani

    Krimet me bazë propagandistike, nxitje e urrejtjes, dhunë: veprat penale me sfond ekstremist të djathtë po shtohen, sipas një raporti mediatik.

    Ministria e Brendshme gjermane ka regjistruar vitin e kaluar një rekord të veprave kriminale të ekstremistëve të djathtë. Sipas një raporti mediatik, numri i krimeve të ekstremistëve të djathtë në Gjermani arriti nivel të ri rekord, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, në pyetjen e deputetëve nga e Majta në Bundestag. Deri me 30 nëntor 2024 janë regjistruar 33.963 vepra kriminale nga krahu i djathtë ekstrem, thuhet në raport. Shifra përfundimtare pritet të prezantohet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në maj 2025. Dyshohet se shifrat do të jenë edhe më të larta, për shkak të krimeve të kryera në dhjetor dhe regjistrimeve të vonuara.

    Krimet e propagandës

    Në vitin 2023, BKA regjistroi gjithsej 28.945 krime politike të motivuara nga ekstremistët e djathtë. Ndërsa në vitin 2024, numri i krimeve është rritur me të paktën 17,34 për qind. Nga pothuajse 34.000 krime të regjistruara, 1.136 ishin krime të dhunshme. Ndërsa përqindja më e madhe e krimeve në vitin 2024 ishin krime të propagandës (21.311 raste) dhe nxitje dhune (5.097). Policia ka regjistruar edhe 1.942 raste të dëmtimit të pronës.

    Kërkohen masa

    Deputetja nga e Majta dhe ekspertja e ekstremizmit të djathtë Martina Renner foli për një zhvillim alarmues. “Numrat janë rritur vazhdimisht me 20 deri në 25 për qind në vitet e fundit. Nuk ka masa drastike të politikës së brendshme për të ndaluar këtë zhvillim të rrezikshëm,” tha Renner për RND. Shumica e autorëve të dhunshëm janë të rritur, megjithëse edhe përqindja e dhunuesve të rinj është rritur kohët e fundit.

    “Nëse nuk duam të mësohemi me më shumë se 3.000 krime të kryera nga neo-nazistët në muaj, duhet të merren masa”, tha Renner./ DW

  • Polonia merr drejtimin e Këshillit të BE-së, Osmani: Koha për t’i dhënë Kosovës statusin kandidat dhe heqjen e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 01.01.2025 ka uruar Poloninë për marrjen e drejtimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

    Përmes rrjetit “X”, Osmani ka theksuar se është koha që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat si dhe t’i hiqen masat e BE-së.

    “Urime Polonisë që merr drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së. Pres me padurim të vazhdojmë punën me Presidentin Andrzej Duda dhe Kryeministrin Donald Tusk për të siguruar të ardhmen që Kosova meriton. Ka ardhur koha për dhënien e statusit të kandidatit dhe heqjen e masave të padrejta të BE-së kundër popullit të Kosovës”- ka shkruar Osmani.

    Bashkimi Europian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

    BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

    Autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë të padrejta.

    Tutje, Osmani i ka shprehur mirënjohje Hungarisë për përkushtimin gjatë Presidencës së saj.