Etiketë: Pagat

  • Haxhiu (AAK): Mësimdhënësit e Gjuhës shqipe në diasporë do t’i paguajë shteti i Kosovës

    “Mësuesit që japin lëndën ‘Gjuha Shqipe’ në shkollat në diasporë do të paguhen nga Qeveria e Kosovës”. Kështu planifikon koalicioni AAK-Nisma, nëse e fiton pushtetin pas Zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Këtë zotim të këtij koalicioni e ka transmetuar kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, në “Debat Përnime”, më 14.01.2025.

    Megjithëse nuk ka dhënë hollësi rreth këtij plani, ajo ka thënë se mësimin shtesë në diasporë, AAK do ta rregullojë me ligj, “pasi mësimdhënësit po punojnë atje në baza vullnetare ose të varur financiarisht nga bizneset”.

    “Për mësimdhënësit që janë në diasporë do të marrë përgjegjësinë vet shteti i Kosovës që të paguajë pagat e tyre.” – tha ajo, pasi u ballafaqua me konstatimin e Kreshnik Gashit, se për t’u paguar mësimdhënësit nga shteti i Kosovës është jetike një Marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe shtetit përkatës.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/plani-per-arsim-i-koalicionit-aak-nisma-rritje-te-pagave-per-mesimdhenesit-dhe-digjitalizim-te-shkollave/

  • LDK-ja hap zyrtarisht fushatёn, Abdixhiku zotohet pёr koeficient tё pagave në vlerë 150 euro

    Lidhja Demokratike e Kosovёs me kandidatin pёr kryeministër, Lumir Abdixhiku mё 11.01.2025 kanё hapur zyrtarisht fushatёn pёr zgjedhjet e 9 shkurtit me njё tubim nё “Pallatin e Rinisё”, nё Prishtinё.

    Në fjalimin e tij, Abdixhiuku theksoi angazhimin e tij për një Kosovë më të mirë dhe duke shprehur besimin e plotë në fitoren e LDK-së. Ndërsa, ftoi qytetarët që të bashkohen në përpjekjen për të sjellë ndryshimin e madh Kosovë.

    Ai tha se nuk do tё jap zotime qё nuk bёhen kurrё, ndёrsa theksoi se nё programin politik kanё 5 miliardё euro investime, 5 miliardё euro buxhet, 5 pёrqind rritje ekonomike.

    Ndёrsa, ka premtuar se qё nё javёn e parё tё gjithё shёrbyesve civil do tё ua rrisin pagёn me koeficient 150 euro.

    “500 milionё euro invesim pёr centralim me gaz amerikan. Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin për shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona, këtu në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim në të. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja, shëndetësi moderne siç e meriton vendi jonë bukur e përrallor”– tha ai.

    Ai ka premtuar mёsim gjithditor, tabela digjitale, mёsimnxёnie moderne nё tё gjithё Kosovё. Ndёrsa, ka premtuar mbulimin e shpenzimeve pёr foshnjat e lindura nё Kosovё.

    Abdixhiku ka premtuar program kombёtar pёr trajnime nё teknologji pёr tё rinjtё, qendrën mё tё madhe sportive nё Prishtinё, ndёrsa nё pesё qytete tjera ka premtuar stadiume, nё Brezovicё e nё Pejё komplekse sportive.

    “Do t`i kemi 6 mijё ushtarё, katёr kazerma tё reja ushtarake sepse siguria e mbrojtja janё detyrime tona”- u shpreh ai.

    Pas fjalimit, LDK-ja ka prezantuar listën prej 110 kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht sot, mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

    Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

  • Në grevë e pa Program të miratuar, Teatri Kombëtar e nis vitin me skenë të heshtur

    Në grevë dhe pa Program të miratuar Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) e ka nisur vitin 2025.

    Më 18.11.2024 Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSATKK) ka nisur një grevë me kërkesa për rritje të koeficientëve të pagave të punëtorëve të këtij Teatri.

    Greva ka bllokuar dhënien e shfaqjeve, duke bërë që të anulohet edhe Edicioni i tretë i Festivalit Mbarëkombëtar të Dramës “Moisiu”, i cili ishte planifikuar të mbahet nga 20 deri më 27.11.2024, në TKK në Prishtinë.

    Që nga dita e fillimit të grevës, më 18.11.2024 e deri në fund të vitit 2024, Këshilli grevist i SHSATKK-së dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ka arritur të gjejnë ndonjë rrugëdalje nga greva.

    Grevistët e TKK-së kanë mbajtur edhe disa aksione sindikale para dhe gjatë grevës. Grevistët janë të vendosur për vazhdimin e grevës, deri në një sinjal nga MKRS-ja për plotësim të kërkesave të tyre: rritjen e pagave.

    Pritja e përgjigjes

    Aktori i TKK-së, Ardian Morina, nga Këshilli grevist ka thënë për KALLXO.com. se nuk kanë ndonjë shenjë nga MKRS lidhur me kërkesat e tyre. Ai ka shtuar se kërkesat e tyre për ekuivalentimin e koeficientëve të pagave për  punëtorët-aktorët e TKK-së nuk janë marrë seriozisht nga MKRS – pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme që nga miratimi i Ligjit të Pagave.

    “Komunikim direkt nuk është që kemi, gjithashtu edhe me ndërmjetësin, që ne e kemi angazhuar qysh para fillimit të grevës, nuk është se ka pasur ndonjë kontakt, përveç që e ka kontaktuar sekretari i MKRS-së dhe ndërmjetësi ia ka shpjeguar procedurat e ndërmjetësimit. Dhe, ai (Sekretari) ka mbetur ta informojë Ministrin dhe me pa se cilat janë procedurat e mëtejme – nëse ajo (MKRS) do të vazhdojë komunikimin me ndërmjetësin për kërkesat që tashmë i kemi ngritur qe më shumë se 45 ditë. Kjo është çfarë kemi nga ana e MKRS, jo diçka më tepër.” – ka thënë Morina.

    Morina ka thënë se asnjëherë  nuk kanë marrë ndonjë zotim nga MKRS – lidhur me afatet për realizmin e kërkesave të tyre. Kjo, sipas tij, ka bërë që MKRS të duket joserioze edhe kur thotë se është duke punuar për realizmin e kërkesave të tyre.

    “Asnjëherë të vetme ne nuk kemi kërkuar që puna të kryhet sot për sot (rritja e pagave), por të paktën të kemi një zotim publik prej MKRS-së për punë që janë të thirrur me kry. Sepse, vërtet ka degraduar pozita e artistit (aktorit) në TKK në raport me atë të aktorëve të teatrove në rajon.” – ka thënë ai, duke lënë të kuptohet se greva do të  vazhdojë deri në realizmin e kërkesave të tyre.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje në edhe në adresë të  MKRS-së – lidhur me hapat që po bën për plotësimin e kërkesave të grevistëve të TKK-së, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

    Heshtja e skenës

    Në anën tjetër, Kushtrim Mehmeti, udhëheqës artistik (UA) në TKK ka thënë për KALLXO.com se greva e aktorëve të TKK-së ka bllokuar repertorin e teatrit.

    Por si menaxhment, ka thënë ai, janë në kontakt të vazhdueshëm me grevistët, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për vazhdimin e aktiviteteve artistike në teatër.

    Përveç se në grevë, TKK-ja ende nuk ka një projekt-program të miratuar për 2025.

    Mehmeti ka thënë për KALLXO.com se Plani dhe diskutimet për repertorin e vitit 2025 janë në fazën e fundit dhe, siç ka thënë ai, brenda gjysmës së parë të këtij muaji (janar 2025) pritet miratimi i Programit vjetor.

    “Për më tepër, kemi ideuar që viti 2025 të shpallet ‘Viti i Grave’ – duke përfshirë vetëm regjisore gra dhe jemi duke shqyrtuar mundësitë për ta realizuar këtë ide.” – ka shtuar Mehmeti.

    Kërkesa e aktorëve dhe Ligji i Pagave

    Pas disa aksioneve sindikale, SHSATKK nisi më 18.11.2024 një grevë, duke bllokuar dhënien e  shfaqjeve në TKK.

    Kërkesat e grevistëve janë për rishikimin dhe rritjen e koeficientëve të pagave për punëtorët – aktorët e TKK-së.

    “Arsyeja për mbajtjen e grevës: mosrealizimi i kërkesës për përmirësimin, ngritjen e koeficientëve pas degradimit që i është bërë Ansamblit Rezident nga Ligji i Pagave.” – thuhet në Vendimin e SHSATKK për mbajtjen e grevës.

    Sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, krijuesit dhe performuesit e kulturës e artit, ku përfshihen edhe aktorët e Ansamblit Rezident të TKK-së, janë të ranguar në tetë klasa.

    Në Shtojcën nr. 12 të Ligjit për Paga është dhënë edhe Tabela me koeficientët e pagave për krijuesit dhe performuesit e artit në Sektorin publik.

    Pas paralajmërimeve të shumta, më 16.09.2024, SHSATKK nisi një aksion sindikal paralajmërues me kërkesë për rishikimin dhe rritjen e koeficientëve të pagave për aktorët e Trupës Rezidente dhe të punëtorëve të tjerë të TKK-së.

    Së pari, duke filluar provat me 10 minuta vonesë, më 16.09.2024. Hapin e radhës lidhur me këtë kërkesë SHSATKK e mori më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984” në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024”, në Shkup, që nisi Edicionin me shfaqjen e TKK-së. Ndërsa, më  01.11.2024, SHSATKK e shtyu për 15 ditë grevën e përgjithshme në TKK.

    Më 15.11.2024 SHSATKK mori vendim për futjen në grevë dhe nga 18 nëntori 2024 skena e TKK-së është “kapluar” nga heshtja për shkak të grevës.