Etiketë: Palestina

  • Të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 30 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Gazë nga sulmet izraelite të kryera gjatë natës dhe mëngjesin e 03.01.2025 – thanë zyrtarët spitalorë.

    Stafi i spitalit “Martirët e Al-Aksës” tha se gra dhe fëmijë janë në mesin e të vrarëve në sulmet ajrore që goditën disa vende në Gazën qendrore, përfshirë në Nuseirat, Zavaida, Magazi dhe Deir al Bala. Edhe një ditë më parë kishte pasur viktima nga sulmet, duke bërë që numri i të vrarëve në 24 orë të arrijë në 56.

    Ushtria izraelite nuk ka komentuar sulmet e fundit ajrore. Megjithatë, në një deklaratë të premten tha se gjatë ditës paraprake kishte sulmuar dhjetëra pika kontrolli dhe qendra të komandës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në mbarë Gazën, nga ku tha se Hamasi po planifikonte të kryente sulme. Ushtria izraelite tha se ka ndërmarrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve – duke përdorur municione precize dhe teknologji të vëzhgimit nga ajri.

    Teksa lufta në Gazë po vazhdon, bisedimet për arritjen e një armëpushimi pritet të rinisin të premten.

    Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ka autorizuar një delegacion nga Agjencia e inteligjencës, “Mossad”, nga agjencia për siguri të brendshme “Shin Bet”dhe ushtria për të vazhduar negociatat në Katar.

    Bisedimet, që udhëhiqen nga SHBA-ja, vazhdimisht kanë ngecur gjatë 15 muajve luftë, që u nxit pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Hamasi vrau afër 1.200 persona, shumica civilë dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje ende janë brenda Gazës dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 45.500 palestinezë në Gazë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo Ministri thotë se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë./REL

  • Të paktën 54 të vrarë nga sulmet ajore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 54 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten (01.01.2025), duke përfshirë tre fëmijë dhe dy oficerë të rangut të lartë të forcave policore të Hamasit, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

    Forcat izraelite goditën të enjten (01.01.2025) herët në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli, të njohur si Muwasi, ku qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë të strehuar në tenda në dimrin e ftohtë dhe me shi. Në këtë sulm u vranë të paktën 11 njerëz, përfshirë gra dhe tre fëmijë.

    Në sulmet e tjerë në pjesën qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës u vranë të paktën 43 palestinezë. Viktimat në një sulm në Gazën qendrore ishin anëtarë të komisioneve lokale që ndihmojnë në sigurimin e autokolonave të ndihmave, sipas punonjësve të Spitalit Martirët e Al-Aksës, ku u dërguan kufomat. Një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili ndodhej në spital konfirmoi numrin e viktimave.

    Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite mbi sulmet e ditës së enjte (01.01.2025).

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shendëtësisë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite, që filluan në tetor të vitit 2023, janë vrarë më shumë se 45 mijë njerëz, më shumë se gjysma e tyre, gra dhe fëmijë. Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve të Hamasit në raportet e tyre mbi numrin e viktimave.

    Lufta filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 07.10.2023. Sipas të dhënave izraelite gjatë sulmit u vranë 1200 vetë, kryesisht civilë dhe u morën peng 250 të tjerë. 100 pengje mbahen ende në Gazë dhe një e treta e tyre besohet se ka vdekur./VoA