Etiketë: Policia

  • Kreu gjueti të kundërligjshme, arrestohet një burrë në Podujevë

    Një burrë është arrestuar në fshatin Orllan të Podujevës, nën dyshimin se kreu gjueti të kundërligjshme.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërsa, nga i dyshuari është sekuestruar një pushkë gjuetie, një fishek dhe një gëzhojë.

    I dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar.

    Rasti, që ka ndodhur më 30.01.2025, është iniciuar si: “gjueti e kundërligjshme/armëmbajtje pa leje”.

  • Raporti i Policisë së Prishtinës: rënie e veprave penale, shtim i rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2024

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, më 30.01.2025, ka publikuar Raportin vjetor për vitin 2024. Sipas Raportit në vitin 2024 janë raportuar 19 mijë e 874 raste, duke pësuar një ulje prej -4.60% – krahasuar me vitin 2023, kur ishin raportuar 20 mijë e 831 raste.

    Nga këto raportime 10 mijë e 908 raste janë iniciuar si vepra penale, duke pësuar rënie për -3.40% nga viti 2023, ku si vepra penale ishin iniciuar 11 mijë e 290 raste.

    Kurse, nga 10 mijë e 908 raste të veprave penale, janë zbuluar 6669 raste, apo 118 raste më shumë sesa në vitin 2023.

    Rënie për -4.50% kanë pësuar edhe incidentet. Në vitin 2023 ishin raportuar 10 mijë e 158 incidente, kurse në vitin 2024 u raportuan 96 mijë e 99 incidente.

    Veprat penale kundër rendit kushtetues – sipas Raportit – kanë shënuar një rritje për 233.3%. Në vitin 2023 si vepra penale kundër rendit kushtetues ishin raportuar 3 raste, kurse në vitin 2024 – 10 raste. Pra, 7  më shumë.

    Ndërkohë, veprat penale si: “vrasje” dhe “vrasje e rëndë” kanë pësuar rënie për -20%. Derisa gjatë vitit 2023 u iniciuan 10 raste, në vitin 2024 – sipas Raportit – u iniciuan 8 raste.

    Rastet e dhunës në familje kanë shënuar ngritje për 5.5%, teksa në vitin 2023 u evidentuan 799 raste, gjatë vitit 2024 u evidentuan 843 raste.

    Gjatë vitit 2024 Policia e Rajonit të Prishtinës ka realizuar mbi 800 plane operative dhe ka arrestuar 2718 persona, apo 3% më tepër se në vitin 2023.

    Drejtori i Policisë së Rajonit të Prishtinës, nënkoloneli Basri Shabani tha se si prioritet ka qenë rritja e sigurisë publike. Ai vlerësoi se siguria në territorin e Prishtinës është e qetë.

    “Mbështetur në analizat e gjendjes së sigurisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, konstatoj para juve se rendi dhe siguria publike në territorin e Rajonit të Prishtinës, nga të gjithë parametrat, vlerësohet e qetë. Njëkohësisht, ne zotohemi që do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, profesional dhe të përkushtuar gjatë gjithë kohës, me qëllim të përmbushjes së misionit fisnik të Policisë së Kosovës.” – theksoi Shabani, duke shtuar se rënia e numrit të veprave penale kundrejt jetës dhe trupit, si dhe veprave penale kundër pasurisë është rezultat i një Policie moderne e parandaluese.

    Ai shtoi se gjatë vitit 2024 ka pasur shtim të aktiviteteve vetëdijësuese për siguri në trafik.

    “Kemi arritur uljen e numrit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet për -34%. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe punës, lidhur me sigurinë në shkolla, me ç’rast janë marrë masa parandaluese, janë hartuar Plane operative dhe Programe të veçanta, janë realizuar shumë ligjërata dhe është bashkëpunuar ngushtë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Drejtorët e Shkollave përkatëse, si në aspektin vetëdijesus edhe në atë të sigurisë – duke realizuar projekte të përbashkëta.” – tha nënkoloneli Shabani.

    Sipas Raportit vjetor, në vitin 2023, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 10 mijë e 125 aksidente, kurse në vitin 2024 ka pasur rënie të aksidenteve për -4.10%, pasi që janë raportuar 9712 aksidente.

    Teksa në vitin paraprak numri i aksidenteve me fatalitet ka qenë 29, gjatë vitit 2024 u regjistruan 19 aksidente me fatalitet apo -34%.

    Kurse, numri i tiketave të shqiptuara ka shënuar ngritje për 14.90%. Gjatë vitit 2024 në Rajonin e Prishtinës janë shqiptuar 212 mijë e 931 tiketa, kurse në vitin 2023 – 185 mijë 356 tiketa.

    Derisa, koha e reagimit nga 14 minuta u shkurtua në 11 minuta sipas Raportit, informacionet inteligjente janë në rritje.

    Gjatë vitit 2024, 29 policë ishin suspenduar përkohësisht, kurse 2 u larguan nga puna.

    Policia e Rajonit të Prishtinës prezantoi edhe objektivat për vitin 2025, duke u nisur nga: parandalimi dhe lufta kundër kriminalitetit, funksionimi i Drejtorisë së Kryeqytetit, hapja e dy Nënstacioneve Policore në Hajvali dhe Komoran, siguria në dhe përreth shkollave, parandalimi i aksidenteve të trafikut, forcimi i bashkëpunimit me institucione të tjera të sigurisë etj.

    I pranishëm gjatë prezantimit të Raportit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Ai tha se ndihmesë për Policinë e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve do të jetë instalimi i qytetit inteligjent, me fokus instalimin e kamerave që do të monitorohen nga Policia.

    Policia e Rajonit të Prishtinës mbulon territorin e shtatë Komunave: Prishtinë, Podujevë, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë.

  • Dronë, helikopterë e “mbrojtje të mençur”: Planet e partive për sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili Koalicion që garon në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitojë Zgjedhjet dhe ta mbajë pushtetin edhe për një mandat katërvjecar ka premtuar për Policinë dhe institucionet e Sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat, si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.

    “Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë – duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit, si dhe në rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.” – thuhet në Programin e kësaj partie.

    Kufijtë sipas LVV-së do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.

    Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vjetët e ardhshme për Ushtrinë.

    Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.

    Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.

    1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.

    Një Njësi e Përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e Ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.

    Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet sipas tyre në tërë vendin, si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.

    Zotimet për digjitalizim të sektorit të Sigurisë

    Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto Zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie, që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.

    “Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e Sigurisë kombëtare dhe Mbrojtjes – duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas.” – thuhet në mes të tjerash në Programin zgjedhor të kësaj partie.

    Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje ka folur në “Debat Përnime” Besa Kabashi-Ramaj.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë Regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n.” – ka thënë ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi-Ramaj ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitit të Helikopterëve.

    PDK premton po ashtu investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake, si dhe ngritjen e Gardës Kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

    “Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme.” – thuhet tutje në këtë Program.

    Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.

    “Do ta rrisim sigurinë publike, duke ristrukturuar Policinë bazuar në të dhënat e popullsisë dhe krimit, si dhe duke investuar në iniciativa për ngritjen e kapaciteteve. Nëpërmjet policimit në komunitet do të ndërtojmë besim dhe do ta nxisim ndërveprimin e rregullt midis Policisë dhe komuniteteve – duke inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.” – premton PDK-ja.

    “Mbrojtja e mençur”

    Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër synon rritjen e partneritetit me NATO-n.

    Buxhetin për Ushtrinë e Kosovës LDK e planifikon përmes rritjes së tij në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    Kjo parti planifikon edhe ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Përbërja e Forcës në planin tonë parashihet të jetë me 6000 pjesëtarë aktivë (sot janë 4000 sosh), 3000 rezervë aktive dhe 20000 rezervë e përgjithshme.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Në kuadër të këtij Programi parashihet edhe edukimi dhe stërvitja e nxënësve të Shkollave të Mesme në fushën e Mbrojtjes.

    LDK premton ndërtimin e katër kazermave ushtarake për FSK-në.

    “Do të riorganizohen Kazermat aktuale, duke ia përshtatur misionit të FSK-së dhe do të rrisim numrin e Kazermave për 4 sosh në regjione të ndryshme të Kosovës. Në Prizren (ish-Kazerma e kontingjentit Gjerman të KFOR-it); në Gjinoc të Suharekës (Kazerma aktuale e KFOR-it); në Gjakovë (Aeroporti i Gjakovës) dhe në Podujevë. Shuma e gjithmbarshme e investimeve në këtë projekt, pra në përditësimin e Kazermave të tanishme dhe në ndërtimin e 4 Kazermave të reja do të jetë rreth 60 milionë euro.” – premton LDK.

    Krahas kësaj LDK planifikon edhe ndërtim të vendbanimeve për personelin ushtarak – duke ndërtuar lagje ushtarake, që do të jetë në shërbim të personelit ushtarak dhe familjeve të tyre.

    LDK parasheh Programe që pas pensionimit të pjesëtarëve të FSK-së, ata të integrohen në jetën civile.

    “Këtë do ta arrijë përmes: a) profilizimit dhe trajnimit të pjesëtarëve të FSK-së në fusha të veçanta dhe zhvillimin e tyre në fushat respektive gjatë karrierës ushtarake; b) ndryshimet ligjore që u mundësojnë pjesëtarëve të FSK-së angazhimin në të gjitha fushat e jetës publike – përfshirë edhe në FSK-në (si civil), e sidomos në fushën akademike dhe doktrinore edhe pas pensionimit.” – thuhet tutje në Programin e LDK-së.

    Kjo parti parasheh edhe konceptin “Smart Defence” që parasheh ndihmë reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit Marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në Qendrën e saj simulative. Kurse, mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë Marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore.” – ka thënë Anton Quni në “Debat Përnime”.

    LDK parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve për operacione ndërkombëtare – duke krijuar një Njësi Batalion të kombinuar për këto operacione. Kjo Njësi pritet të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare, me rotacion. Ky aktivitet sipas LDK-së ka vlerësim fillestar prej rreth 12 milionë eurosh.

    “Direkt në NATO”

    Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët si premtim kryesor për mbrojtjen e kanë anëtarësimin direkt në NATO.

    Ky anëtarësim pritet të bëhet përmes tri aspekteve kryesore: atij politik, ushtarak dhe ekonomik.

    “Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; përmbushja e obligimeve në Dialog; konsolidimi i demokracisë në Kosovë; përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; zhvillimi i industrisë mbrojtëse; prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake; përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Sipas këtij Koalicioni anëtarësimi do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit, si dhe do të inkurajojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.

    “Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – ka thënë në “Debat Përnime”, kandidati për Deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi.

    Koalicioni për Familjen në anën tjetër premton modernizimin e institucioneve të Sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e Sigurisë.

    Ky Koalicion thotë se fokus do të ketë në intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Sigurisë për të rritur kapacitetet e tyre.

    “Mbikëqyrja, ndërkaq, do të jetë sistematike dhe rigoroze, duke iu dhënë përparësi trajnimeve të rregullta e të avancuara, përmes bashkëpunimit e binjakëzimit me forcat policore dhe institucione të tjera të Sigurisë të shteteve të zhvilluara, që kanë standarde të larta dhe praktika të suksesshme.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Reformimi i Policisë

    Koalicioni për Familjen premton edhe reformimin e Policisë së Kosovës.

    “Reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas Ligjit dihet se cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësor. Ligji është në proces, andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky Ligj të kalojë.” – ka deklaruar në “Debat Përnime” kandidati për Deputet nga Koalicioni për Familjen, Bejtush Gashi.

    Programi i këtij Koalicioni sa i përket Policisë përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e strukturave organizative për një reagim më të shpejtë dhe efikas.

    FSK-ja sipas Koalicionit për Familjen po ashtu do të transformohet përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje dhe në infrastrukturë.

    Gjithashtu parashihet rritja e integritetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kjo përmes garantimit të buxhetit dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për të luftuar kërcënimet kibernetike e terroriste.

    Tutje, ky Koalicion parasheh edhe zhvillimin e industrisë private të Sigurisë.

    “Kjo do të përfshijë licensimin e Kompanive të Sigurisë private dhe krijimin e kuadrit ligjor që do të sigurojë që këto Kompani të operojnë në përputhje me standardet etike e profesionale.” – thuhet tutje.

    Koalicioni për Familjen parasheh edhe krijimin e ekipeve të specializuara për siguri që monitorojnë dhe menaxhojnë rreziqet në kohë reale, si dhe investime në infrastrukturë të re dhe rezistente.

    Strategjia e Sigurisë

    Përmirësimi i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit parashihet edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

    Në këtë Strategji parashihet riorganizimi i Policisë së Kosovës.

    “Do të rishikojë organizimin e saj të brendshëm, për të shfrytëzuar burimet njerëzore në mënyrë sa më efikase për të kryer detyrat e rregullta, të veçanta dhe të specializuara policore. Do të themelohet Policia Rezervë, e cila do të mund të angazhohet për ta ndihmuar Policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente. Në Policinë e Kosovës do të investohet vazhdimisht në ngritjen dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në furnizimin me pajisje të nevojshme për të kryer detyrat e saj operacionale, si dhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.” – thuhet mes të tjerash në këtë Strategji.

    Në këtë Strategji flitet edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për synimin drejt anëtarësimit në NATO.

    “FSK vazhdon të ngritë dhe të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit, të mirëmbajë dhe të zhvillojë kapacitetet për mbështetje ushtarake për autoritetet civile, si dhe të kontribuojë në siguri përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake jashtë vendit. FSK-ja zhvillon doktrinën, standardet dhe kapacitetet në linjë me ato të NATO-së dhe do të shtojë aktivitetet trajnuese dhe stërvitjet e përbashkëta me vendet e NATO-së, me qëllim të aftësimit për ndërveprim me forcat e armatosura të tyre.” – thuhet në Strategji.

    Në Strategji përmendet edhe synimi i Kosovës që të rritë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    “Republika e Kosovës do të vlerësojë mundësinë për zhvillimin e modeleve të përshtatshme të forcave rezerviste, si dhe atë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas praktikave bashkëkohore të shteteve perëndimore, në përputhje me rrethanat, kushtet dhe burimet vendore.” – thuhet po ashtu në këtë Strategji.

    Sipas Ligjit të Buxhetit Policia e Kosovës për vitin 2025 ka buxhet prej 152 milionë e 624 mijë e 469 euro.

    Bazuar në të njëjtin Ligj, buxheti për vitin 2025 për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 202 milionë e 828 mijë e 715 euro, kurse i përgjithshmi për Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn edhe FSK-ja është 207 milionë e 875 mijë e 243.