Etiketë: Qeveria

  • Udhëheqësi sirian Sharaa premton një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse

    Presidenti i sapoemëruar i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha të enjten se do të formojë një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse që do të përfaqësojë komunitete të ndryshme, do të ndërtojë institucione dhe do të drejtojë vendin derisa të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

    Sharaa iu drejtua kombit në fjalimin e tij të parë që kur u emërua president për periudhën kalimtare të mërkurën nga fraksionet e armatosura që rrëzuan ish-presidentin sirian Bashar al-Assad në ofensivën e vitit të kaluar.

    Grupi i armatosur që udhëhoqi ofensivën, Hayat Tahrir al-Sham, që atëherë ka krijuar një qeveri të përkohshme që ka mirëpritur një numër delegacionesh të larta diplomatike perëndimore dhe arabe, që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në stabilizimin e vendit pas 13 vjetësh lufte civile.

    Sharaa në fjalimin e tij tha se do të formojë një organ të vogël legjislativ për të mbushur hendekun parlamentar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pasi parlamenti sirian u shpërnda të mërkurën. Ai tha se do të njoftojë gjithashtu në ditët në vijim formimin e një komiteti që do të përgatitet për të mbajtur një konferencë kombëtare të dialogut që do të jetë një platformë për sirianët për të diskutuar programin e ardhshëm politik të kombit.

    Kjo do të pasohej nga një “deklaratë kushtetuese”, tha ai, në një referencë të dukshme ndaj procesit të hartimit të një kushtetute të re siriane.

    Sharaa ka thënë më parë se procesi i hartimit të një kushtetute të re dhe mbajtjes së zgjedhjeve mund të zgjasë deri në katër vjet./VOA

  • Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme për terminalin doganor në Merdarë

    Në mbledhjen e 246-të të saj, të mbajtur në mënyrë elektronike, Qeveria e Kosovës më 22.01.2025 ka miratuar vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme për nevojat e terminalit doganor në Merdarë. 

    Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit në një komunikatë të lëshuar për media sonte, më 22.01.2025. 

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminalit Doganor Merdare, Komuna e Podujevës”- njofton ZKM.

  • Viti 2024 u përmbyll me rënie të numrit të përfituesve të ndihmave sociale, rritje evidentohet në kategori të tjera

    Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], në muajin e fundit të vitit 2024, tregojnë për një ndryshim në numrin e përfituesve të skemave sociale e të pensioneve. Në disa kategori, numri i tyre pësoi rënie e në disa të tjera pati rritje.

    Rënie të numrit të përfituesve pati te pensionet e Trepçës, pensionet invalidore, të ndihmave sociale, te skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si dhe pensionet kontributpaguese të moshës.

    “Në muajin dhjetor 2024 – krahasuar me muajin dhjetor 2023 – kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës (-20,8%); skema për pensionet invalidore (-14,9%); skema e ndihmës sociale (-11,1%); skema për pensionet familjare (-3,9%); skema e kompensimeve për personat e verbër (-2,1%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,7%); skema e pensioneve kontributpaguese të moshës (-1,3%).” – njofton ASK.

    Në anën tjetër, ASK rendit skemat e pensioneve, ku pati rritje të numrit të përfituesve.

    “Në muajin dhjetor 2024 – krahasuar me muajin dhjetor 2023 – kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për përkrahje financiare familjeve, që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,5); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (11,9%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit, që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,9%); skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (2,9%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (2,9%); skema e pensioneve bazike të moshës (2,9%); skema për veteranët e luftës (0,3%).” – tregon ASK.

    Lidhur me pensionet, në Konferencën e datës 10.01.2025, u bë e ditur se Qeveria e Kosovës miratoi Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit, derisa ministri i Financave, Hekuran Murati para mediave u shpreh se kjo bëhet për shkak të rritjes ekonomike.

    Po ashtu, më 07.10.2024, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte njoftuar se janë rritur pensionet për disa skema pensionale.

    Kurti kishte rritur pensionet 20% për pensionin bazik, kontributdhënësit, personat me aftësi të kufizuara, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë e personat e verbër, invalid i punës dhe për ish-punëtorët e Trepçës.

    Me këtë rritje, pensioni bazik u bë nga 100 euro në 120 euro.