Etiketë: Veri

  • Arsenijeviq flet për padinë e LVV-së kundër partisë së tij dhe për vendimet e Qeverisë Kurti për veriun dhe strukturat paralele serbe

    Në një konferencë për media më 15.01.2025, politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe, ka ngritur çështjen e ankesës apo padisë së Lëvizjes Vetevëndosje (LVV) kundër partisë që ai drejton dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

    Arsenijeviq kritikoi Listën Serbe për shkak të mosreagimit në mënyrë demokratike kundër vendimeve që i ka marrë kryeministri Kurti për mbylljen e strukturave paralele e për heqjen e dinarit.

    Ai tha se kur është mbyllur posta vetëm njëzet serbë shprehën revoltën e tyre. Sipas tij po të kishin qenë 5 mijë serbë situata do të ndryshonte.

    “Vetëm për shkak nesh rreth 20 personave, pati reagime serioze nga komuniteti ndërkombëtar. A mendoni se herën tjetër do të guxonin të bënin diçka të tillë? Jo!”- u shpreh Arsenijeviq.

    Ndër të tjera, Arsenijeviq ngriti edhe çështjen e padisë së Vetëvendosjes kundër Demokracisë Serbe. Sipas tij, LVV është ankuar për prishje të fushatës së tyre zgjedhore.

    Më 12.01.2025 në të njejtën ditë kur kryeministri Kurti ishte për fushatë në Mitrovicë, Arsenijeviq është arrestuar e më pas liruar nga Policia e Kosovës.

    Nga Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veri e Policisë së Kosovës patën konfirmuar për KALLXO.com se Arsenijeviqit i është shqiptuar tiketë për moszbatim të urdhrit policor. Ky i fundit kishte protestuar me pretendimet se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq.

    Për padinë e LVV-së ndaj partisë së tij thotë se nuk e ka fyer as Kurtin e as grupin e tij. Madje ankesën e Vetëvendosjes e cilëson si të pabazë për faktin se tubimi i tyre nuk ka qenë i regjistruar zyrtarisht në veri. Sipas tij, Kurti nuk ka pasur aktivitet fushate në veri por thjesht kanë pirë kafe.

    “Sipas nenit 34, gjobat zbatohen për ata që prishin ngjarjet e regjistruara të fushatës, sipas rregulloreve zgjedhore. Mora një shembull të formularit të cilin Vetëvendosje nuk e kishte plotësuar dhe nuk është paraqitur në formë të shkruar apo elektronike te KKZ”- tha Arsenijeviq.

    Ai shtoi se Kurti duhet ta ketë parasysh se sipas sistemit të Kosovës ekziston Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. Gjithashtu arrestimin nga Policia, Arsenijeviq e cilëson joadekuat.

    “Më 12 janar kur për pak më thyen qafën. Pra nuk mjaftoi që për pak më vranë, për pak më thyen qafën por duan të na shkatërrojnë edhe finaciarisht që mos të jemi faktorë politikë në këto zgjedhje”- përfundoi Arsenijeviq.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherazi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër është parë në Mitrovicën e Veriut pak minuta para fillimit të tubimit të kësaj partie në Mitrovicën e Jugut.

    Afër tij është parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

    https://kallxo.com/lajm/kurti-kalon-ne-sheshin-e-mitrovices-se-veriut-pamje/

    https://kallxo.com/lajm/kurti-ne-mitrovice-kritikon-ish-qeverite-per-rritje-ekonomike-jemi-tri-here-me-te-shpejte/

     

  • Renovimi i shtëpive në veri, ministri Rashiq e quan “të improvizuar” mënyrën se si punon MAPL

    Në një takim informues në Komunën e Mitrovicës së Veriut mbi statuset e regjistrimit civil, ku ishte i pranishëm ministri Nenad Rashiq, asamblisti i Iniciativës Qytetare, Betim Osmani ngriti çështjen e renovimit të banesave në Mitrovicën e Veriut, rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë luftës e kthimin e qytetarëve shqiptarë në këto vendbanime.

    Sipas këtij të fundit, ministritë nuk janë duke punuar në këtë drejtim.

    “Këto ministritë që po ndërtojnë, shumica as ujin e kanalizimin nuk janë duke e rregulluar nëpër shumicën e këtyre ndërtimeve që po ndodhin. Nuk e di sa jeni të informuar ose sa doni me u involvu në këtë çështjen e kthimit. Se me këtë trend të kthimit ne do të presim edhe dhjetë vite për t’u kthyer në pronat tona. Aq dobët edhe ngadalë është duke funksionu kthimi në veriun e Mitrovicës”- tha ai.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se mënyrën se si punon ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e konsideron të improvizuar, duke potencuar se “nuk dua të punoj kështu”.

    “Këto dy vitet e fundit e konsideroj temën komplekse dhe ju duhet më shumë kohë për të iniciuar. Ne e kemi pranuar trashëgiminë dhe me kaq duhet të merremi… mendoj se kur të fillojmë me rikthim në Mitrovicë duhet të jemi mjaft të organizuar dhe më lejoni të them qartë se nuk do të ketë konfuzion. Unë mendoj se mënyra se si funksionon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kolegu im i nderuar Elbert, është për mendimin tim, të improvizuar. Nuk dua të punoj kështu. Unë dua të punoj me elementet që përmende, jo një shtëpi si e tillë, por me pajisje percjellëse si edhe mobilje…”- u shpreh Rashiq.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, kishte thënë se Komuna e tij nuk ka fonde për renovimin e rreth 40 banesave në Mitrovicën e Veriut.

    Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq ka thënë se për këto renovime e pret ndihmën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

    “Ministria, njëra prej ministrive me gjasë më të madhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do ta bëjë renovimin e ndërtesave të cilat i ka liruar Agjensioni për Verifikimin e Pronës, nën një. Nën dy edhe ne si Komunë kemi kërkesa, nuk shkon një javë dy, në javë një herë minimumi kam takim me qytetarët që kërkojnë sanimin. Nuk kemi pare, me pasë pare e kishim bo, por s’kemi”- kishte thënë Atiq.

    Në shtator të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive individuale në Mitrovicë të Veriut për familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë gjatë periudhës kohore 1998-1999.

    Më 23.11.2023 është hapur thirrja për ndërtimin e shtëpive në veri, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë për 1 milion euro.

  • Ushtarët gjermanë dhe letonezë të KFOR-it patrullojnë në Veri

    Ushtarët gjermanë dhe letonezë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR kanë kryer patrullim të përbashkët në veri të Kosovës.

    KFOR-i tha se patrullimi lejon që ushtritë e të dy kombeve të punojnë së bashku, për të rritur sigurinë në mbarë Kosovën.

    “Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it, për të mbështetur të gjitha komunitetet brenda Kosovës.” – thuhet në njoftimin e KFOR-it, të publikuar më 13.01.2025.

    KFOR theksoi se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).” – vazhdon njoftimi.