Etiketë: Albin Kurti

  • Kurti nuk sheh mundësi për koalicion me PDK-në, LDK-në e AAK-në, i quan “të pareformuara”

    Pak ditë para së të nisë fushata zgjedhore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk sheh mundësi për koalicione paszgjedhore. Ai përjashtoi mundësinë që të bëjë koalicion me PDK-në, AAK-në e LDK-në, duke i quajtur ato të pareformuara.

    Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se mu për këtë arsye i kanë bërë koalicionet parazgjedhore me partinë Guxo dhe atë Alternativa.

    Sipas Kurtit, me këto dy subjekte politike kanë bashkëqeverisur katër vjet mandat dhe kanë përvoja të mira me njëra-tjetrën.

    Për AAK-në, LDK-në dhe PDK–në, Kurti tha se nuk kanë parë që janë reformuar këto katër vjet dhe se muajt e fundit e kanë sulmuar qeverisjen e tij.

    “Kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaj qeverisjes së mirë dhe demokratike nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm.” – tha Kurti në një intervistë për KosovaPress, më 06.01.2025.

    Duke synuar 500 mijë vota Kurti tha se presin që të tejkalojnë rezultatin e vitit 2021, për shkak se para katër vjetëve i kishin grumbulluar 438 mijë vota.

    “Unë besoj që janë pretendime reale. Ma merr mendja që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë besuar që do të jemi mbi 50% më 14 shkurt 2021, që ju duket joreal që ne të kemi 500 mijë vota në vitin 2025.” – shtoi ai.

    Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118.

    KQZ-ja e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas Vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

  • Vuçiq: Albin Kurti e sheh Listën Serbe si kundërshtar thelbësor

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha të dielën se për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Lista Serbe është kundërshtari thelbësor në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke e akuzuar kryeministrin Kurti se po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

    Ai i bëri këto komente në një intervistë me televizionin shtetëror të Serbisë, gjatë së cilës tha se bashkësia ndërkombëtare deri më tani ka reaguar në mënyrë korrekte lidhur me këtë qasje.

    “(Albin) Kurti ka vetëm një kundërshtar thelbësor, ajo është Lista Serbe. Dhe tani të gjitha teoritë e konspiracionit dhe ata që thanë se po e bëjnë me marrëveshje kanë rënë në ujë. Gjithçka bëri Kurti, e bëri për të shkatërruar Listën Serbe dhe popullin serb”, tha presidenti serb.

    “Populli serb në Kosovë e di këtë dhe besoj se Lista Serbe, duke marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë, mund të luftojë për nëntë apo të dhjetë mandatet e serbëve, gjë që do ta vështirësojë dukshëm pozitën e (Albin) Kurtit në periudhën e ardhshme dhe të ndihmojë popullin serb që të mbijetojë në vatrat e tij”, tha zoti Vuçiq.

    Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti ka nisur një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

    Partia në pushtet thekson në ankesën e saj se “nxjerrja e vendimit në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por pa miratim të këtij komisioni është sulm ndaj rendit ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e tij. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në ankesë.

    Me 23 dhjetor dy anëtarë të Komisionit votuan për certifikimin e kësaj liste, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

    Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos certifikimin e saj dhe u ankua në Panelin Zgjedhor. Vendimi i panelit u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Kosovës pas një ankese të Vetëvendosjes.

    Nuk ka pasur ndonjë reagim të Panelit lidhur me ankesën e fundit të Vetëvendosjes por vëzhguesit e pavarur theksojnë se ajo nuk do të ndryshojë asgjë në certifikimin e Listës Serbe. Sipas vëzhguesve dhe diplomatëve perëndimorë, tërë rrëfimi rreth ceritifkimit të Listës është i motivuar politikisht.

    Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën prej më shumë se dy milionë votuesve, ndërsa të hënën hishet shorti për renditjen e partive në fletëvotime./VOA

  • Kurti për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme: Nuk kanë ku me shku ma

    Në një tubim me qytetarë në Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti kishte një mesazh për mërgimtarët që nuk kanë arritur të regjistrohen me kohë për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    “Ata të cilët nuk janë regjistruar u mbetet metoda e vjetër: me aeroplan, autobus ose veturë”- tha Kurti në fjalimin e tij në tubimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” më 05.01.2025.

    Gjatë këtij tubimi, Kurti ka përmendur ato që ai i ka quajtur suksese të qeverisjes së tij gjatë vitit 2024.

    Në mesin e tyre ka përmendur faturimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit.

    Gjithashtu, ai tha se ka përmirësime në shëndetësinë publike, pasi siç tha, ka transformime rrënjësore në klinikat e vendit.

    “Në shkurt çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta… Janë rritur pensionet. Paga minimale pas trembëdhjetë vjetësh është shumëfishuar” – shtoi i pari i Qeverisë.

    Kurti përmendi edhe funksionalizimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

    Dhe, si sukses tjetër, ai përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

    Kryeministri ka përmendur edhe rritjen ekonomike. Ai tha se kjo rritje nuk është bërë me borxh të ri. “Përkundrazi, e kemi zvogëluar”.

    “Në mandatin e ardhshëm patjetër duhet ta reformojmë me shpejtësi sistemin e drejtësisë” – tha Kurti, i cili përmendi Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    “Të dashur mitrovicas, deri tash e kanë shty, nuk munden ma. Një herë Gjykata Kushtetuese na rrëzoi 5 me 2. Tash prapë është në Gjykatë Kushtetuese (Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme). S’kanë ku me shku ma. Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret” – tha Albin Kurti, duke shtuar se nevojitet edhe reforma e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar është miratuar më 05.12.2024 në Kuvendin e Kosovës.

    Më 13.12.2024, PDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese 13 projektligjet e miratuara nga Kuvendi në seancën e 05.12.2024, përfshirë edhe Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Duke folur për situatën në veri të vendit, kryeministri tha se atje është shtrirë ligjshmëria e kushtetutshmëria.

    Ai foli edhe për sulmet terroriste në Banjskë dhe në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”.

    “Ato ishin aksione dëshpërimi dhe të dështuara. Ata sa herë të provojnë do të dështojnë” – theksoi ai.

    Në këtë tubim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Hekuran Murati dhe Arben Vitia.

    Ministri Sveçla: Për dallim nga qeverisjet e mëhershme, secili polic i Republikës se Kosovës ka armën e tij të gjatë

    Në tubimin në Mitrovicë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kushdo që ka menduar që Qeveria Kurti do ta realizojë luftën kundër krimit e korrupsionit e ta anashkalojë veriun ka gabuar rëndë.

    “Suksesi ynë kulmor në fushën e sigurisë është vendosja e sovranitetit në veri të vendit” – tha ministri në këtë tubim me qytetarë.

    Sipas ministrit, rinia e Kosovës ka qenë në fokus të punës së tyre, andaj, sipas tij, me ngulm janë luftuar narkotikët.

    “Janë konfiskuar lloje të drogave nga më të ndryshmet e janë shkatërruar laboratorë të drogave” – shtoi ai.

    Duke folur për veprimet e Qeverisë, ministri ka përmendur faktin se për vitin 2025, Policia e Kosovës ka 152 milionë euro buxhet.

    “Për dallim nga qeverisjet e mëhershme, secili polic i Republikës se Kosovës ka armën e tij të gjatë. Ne për katër vite kemi blerë  më shumë autoblinda sesa që janë blerë para 20 viteve” – shtoi Sveçla.

    Ministri Sveçla përmendi edhe dyfishimin e hetuesve që merren me krimet e luftës.

    Tutje, ai ka folur edhe për aksionet në veri të vendit.

    Sipas tij, ata që dikur janë trajtuar si të paprekshëm, e të cilëve iu hoqën aktakuzat, “pasi i hetuam ikën në Serbi”.

    “Ata kanë pasur institucione ilegale e nuk i kanë më. Kanë rrahur e dëbuar shqiptarë – nuk munden më. Kanë pasur targa ilegale e dinarin – nuk i kanë më. Kanë pasur laboratorë të drogës – nuk i kanë më. Kanë realizuar kontrabandë – nuk mund ta bëjnë më. Kanë provuar të pengojnë zgjedhjet demokratike – kanë dështuar. Kanë tentuar të mundësojnë funksionimin normal të vendit tonë me sulmin në kanalin ‘Ibër-Lepencit’ – kanë dështuar” – theksoi ministri i Punëve të Brendshme, duke shtuar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk ua ka lënë në dorë veriun e vendit atyre që “sulmin e Banjskës nuk duan ta cilësojnë sulm terrorist”.

    Ministri Peci: Në Qeverinë Kurti ka funksionuar buka, pushka dhe diplomacia

    Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në këtë tubim ka thënë se mund të dalin ballëhapur para mitrovicasve për atë që ka bërë Qeveria Kurti dhe Ministria që ai drejton.

    Ministri tha se janë mbi 40 përfitues të granteve nga Mitrovica.

    “Në Qeverinë Kurti ka funksionuar buka, pushka dhe diplomacia” – ka thënë ministri Peci.

    “Më duhet të them që Mitrovica është amaneti i Isa Boletinit, qytet ku ka lindur roku e lulëzuar sporti, ka marrë epilog me personalitetin që quhet Albin Kurti. Ne si Mitrovicë i kemi 1,001 arsye për ta votuar Albin Kurtin kryeministër” – ka theksuar ministri Faton Peci.

    Në këtë tubim, para mitrovicasve kanë shpalosur punët e tyre edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast janë shtuar edhe deklarimet e ministrave Xhelal Sveçla e Faton Peci. Koha e editimit: 05.01.2025, ora 20:32