Etiketë: lufta në Ukrainë

  • Seuli konfirmon se Ukraina i ka kapur dy ushtarë koreanoveriorë

    Koreja e Jugut ka konfirmuar të dielën se Ukraina i ka kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se autoritetet ukrainase të sigurisë janë duke i marrë në pyetje dy luftëtarët e zënë në rajonin Kursk të Rusisë.

    “Përmes bashkëpunimit në kohë reale me agjencinë e inteligjencës së Ukrainës… [Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Koresë së Jugut] ka konfirmuar se ushtria ukrainase zuri dy ushtarë koreanoveriorë më 9 janar në fushëbetejën e Kurskut në Rusi”, tha Seuli në një komunikatë.

    Të shtunën, Zelensky tha se hetuesit ukrainas janë duke i marrë në pyetje dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët u zunë nga forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë.

    Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur. Ai nuk dha dëshmi që ata ishin koreanoveriorë, por deklarata e Koresë së Jugut i jep më shumë besueshmëri pretendimit.

    Shërbimi i Inteligjencës i Ukrainës (SBU) publikoi të shtunën një video që tregon dy burra në shtretër spitali, njëri me duar të lidhura me fashë dhe tjetri me nofull të mbështjellë me fashë.

    Zyrtarët ukrainas thanë se të burgosurit po flisnin përmes përkthyesve që punojnë me Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës të Koresë së Jugut (NIS).

    SBU-ja tha se njëri prej të burgosurve, i cili tha se ishte lindur në vitin 2005, pretendoi se besonte se “po shkonte për trajnim, jo për të luftuar në luftë kundër Ukrainës”.

    Burri tjetër u detyrua t’i shkruante përgjigjet e tij për shkak të dëmtimit në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ishte lindur në vitin 1999 dhe se është snajper në Ushtrinë e Koresë së Veriut.

    NIS-i tha gjithashtu se një nga ushtarët e kapur tha se ishte stërvitur nga ushtria ruse pasi arriti në vend në nëntor.

    “Ai fillimisht besonte se po dërgohej për stërvitje, por e kuptoi pasi mbërriti në Rusi se ishte dërguar në luftë”, tha agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.

    Ajo shtoi se njëri prej të burgosurve “qëndroi pa ushqim apo ujë për rreth katër-pesë ditë, para se të kapej” nga forcat ukrainase.

    Ata u kapën pak ditë pasi Ukraina e nisi një ofensivë të re në Kursk, për ta parandaluar Rusinë nga rimarrja e territoreve të humbura. Ushtria ukrainase e kreu një ofensivë të rrufeshme dhe befasuese në gusht të vitit 2024, duke kapur pjesë të mëdha të rajonit të Kurskut. Ky ishte inkursioni më i madh në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut i dërgoi rreth 11.000 trupa në rajonin e Kurskut për t’i mbështetur forcat ruse atje. Moska e ka rimarrë rreth 40 për qind të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë më shumë se 500 kilometra katrorë në Kursk, dhe trupat e Koresë së Veriut raportohet se po përjetojnë humbje të mëdha.

    Zelensky tha më 23 dhjetor se më shumë se 3.000 trupa, ose rreth një çerek i forcave speciale të Koresë së Veriut të dërguara në Rusi, janë vrarë ose plagosur, megjithëse ai nuk dha prova për këtë./REL

  • Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në takimin e radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të mbajtur në Gjermani.

    “Me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua sot (09.01.2025) në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein të Republikës Federale të Gjermanisë.”- thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Sipas njoftimit, gjatë këtij forumi, gjeneral Jashari pati një takim me gjeneralin Christopher Cavoli, komandant i Forcave Amerikane për Europë.

    “Të dy ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në shërbim të paqes dhe sigurisë euroatlantike. Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj”- thuhet në njoftim.

    Në këtë takim, që sipas njoftimit të FSK u bashkëdrejtua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, dhe ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, mori pjesës edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus.

    Rusia ka nisur agresionin kundër Ukrainës në vitin 2022.

  • SHBA-ja i ofron ndihmë të re Ukrainës, që mund të jetë e fundit nga Biden

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin ka njoftuar për një Paketë të re të Ndihmës Ushtarake prej 500 milionë dollarësh, si pjesë e qëllimit të Administratës në largim të presidentit Joe Biden, për të dërguar sa më shumë të jetë e mundur mbështetje për Ukrainën, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump të rikthehet në detyrë.

    Paketa përfshin “raketa shtesë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, më shumë municione, më shumë pajisje ajër-tokë dhe pajisje të tjera për të mbështetur F 16-shat e Ukrainës.” – tha Austin.

    Austin foli në një takim me grupin e kontaktit në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, i cili përbëhet prej rreth 50 shtetesh partnere që Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së mblodhi për të koordinuar mbështetjen me armë, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili gjithashtu po merr pjesë në takim, u bëri thirrje vendeve evropiane që të bashkohen rreth Kievit, nëse mbështetja amerikane dobësohet nën Administratën e re të Shtëpisë së Bardhë.

    “Është e qartë se një kapitull i ri po fillon për Evropën dhe të gjithë botën, vetëm 11 ditë nga tani, një kohë kur duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë, të mbështetemi te njëri-tjetri edhe më shumë dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha së bashku. E shoh këtë si një kohë mundësish.” – tha ai.

    Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, gjithashtu në Ramstein, tha se pret që liderët e koalicioneve të mbrojtjes të miratojnë “udhërrëfyes” për qëllimet strategjike dhe nevojat kyçe për ndihmën ushtarake, deri të paktën në fund të vitit 2027.

    “Këto dokumente, të zhvilluara dhe të dakorduara së bashku nga Ukraina dhe partnerët, do të bëhen bazë për mbështetjen dhe alokimin e ndihmës në fusha si mbrojtja ajrore, artileria, automjetet e blinduara, dronët, forcat ajrore, siguria detare dhe fusha të tjera të rëndësishme. Ka shumë punë përpara.” – shtoi ai pas takimit me sekretarin Austin.

    Takimi në Ramstein u mbajt një ditë pasi Ukraina pësoi një nga humbjet më të rënda në njerëz në javët e fundit – një sulm në qytetin jugor të Zaporizhjas që vrau 13 civilë. Autoritetet besojnë se Rusia e kreu sulmin duke përdorur bomba rrëshqitëse të drejtuara mbi një objekt industrial.

    Ukraina pretendoi më herët më 8 janar se forcat e saj goditën një depo nafte brenda Rusisë, që shërbente si bazë strategjike ajrore në rajonin jugor të Saratovit. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se sulmi krijoi probleme serioze logjistike për aviacionin rus dhe uli ndjeshëm aftësinë e tij për t’i sulmuar qytetet dhe objektet civile ukrainase.

    Anëtarët e Grupit të Kontaktit kanë thënë se takimi i 9 janarit mund të jetë i fundit, pasi fati i tij mbetet i paqartë nën Administratën e Trumpit.

    Administrata në largim e SHBA-së ka punuar për të dërguar sa më shumë ndihmë të jetë e mundur për Ukrainën para se Trumpi të marrë detyrën më 20 janar, për të përmirësuar pozicionin negociues të Kievit. Trump, i cili ka kritikuar në mënyrë të përsëritur ndihmën amerikane për Kievin, ka pretenduar se mund të negociojë shpejt për t’i dhënë fund luftës pasi të rikthehet në detyrë.

    Kjo ka ngritur frikën në Ukrainë se çdo negociatë e organizuar me ngut do të përdoret nga Rusia, për të mbajtur territoret ukrainase që ajo pushton dhe për t’i lejuar trupat e saj të pushojnë e të armatosen sërish.

    Austin ka thënë se është e rëndësishme që Grupi i Kontaktit të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ka paralajmëruar gjithashtu kundër dobësimit të mbështetjes nga Perëndimi për Ukrainën./REL