Etiketë: Veri

  • Pas raportimit të KALLXO.com, Policia mbyll institucionin paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

     

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si zyrë tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    Elshani shtoi se kanë gjetur edhe prova.

    “Në këtë vend kemi hasë në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokurorin, njerëzit që janë hasë aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve.” – theksoi ai.

    Zyrtari i PK-së shtoi se rasti është hapur dhe po hetohet si “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa nuk ka persona të arrestuar.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka konkretisht po ofrohet, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

  • Krishtlindjet ortodokse në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

    Në shënimin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, situata në veriun e vendit vazhdon të jetë e qetë.

    Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani. Ai tha se vigjilenca dhe patrullimet e policisë kanë qenë të pranishme sidomos gjatë mesnatës.

    “Situata në mbarë veriun e vendit paraqitet të jetë e qetë. Nuk kemi pasur ndonjë rast të raportum që ka të bëjë me festat e krishtlindjeve. Kemi pasë policë të mjaftueshëm në veri të vendit. Situata vazhdon të jetë e qetë”- tha ai.

    Ndër të tjera, ai foli edhe për planin operativ në veri i cili sipas tij nuk shihet si diçka “e jashtëzakonshme” sidomos në kohë festash.

    “Sikurse edhe në çfarëdo rasti tjetër, festave të fundvitit apo fetare në çdo ngjarje ku ka mundësi të grumbullohen njerëzit nuk është përjashtim edhe kjo që ne kemi plane operacionale. Nuk është diçka e jashtëzakonshme”- potencoi Elshani.

    KALLXO.com ju sjell pamje nga Mitrovica e Veriut.

  • Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë patrullime ne veri të vendit (VIDEO)

    KFOR-i ka njoftuar se ushtarët amerikanë të Komandës Rajonale në Lindje, kanë kryer patrullime të monitoruara dhe të zbarkuara në veri të vendit. 

    Përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook, ata bëjnë të ditur se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    Tutje, KFOR-i njofton se do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes.

    “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”- thuhet në njoftimin e datës 04.01.2025