Etiketë: dhunë në familje

  • Djali dyshohet se rrahu babain, Policia gjen armë në shtëpi

    Nën dyshimin se rrahu babain e tij, një djalë është arrestuar nga Policia, më 02.01.2025, në Viti.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij, ndërsa pas marrjes së informacionit njësitet policore ishin drejtuar për në vendin e ngjarjes.

    Përveç arrestimit të të dyshuarit, në shtëpinë e të njëjtit është kryer edhe një bastisje.

    Gjatë bastisjes është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri.

    Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, derisa ky i fundit ka marrë vendim që pas intervistimit të të dyshuarit, i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është duke vazhduar të trajtohet, ndërsa është iniciuar si “dhunë në familje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

     

     

  • Babë e bir probleme me ligjin, njëri dyshohet se përdori armën e tjetri e sulmoi gruan me të cilën bashkëjetonte

    Babë e bir në Istog janë përballur me organet e rendit, më 02.01.2025, pasi të njëjtit po dyshohen se kryen vepra penale: atë “dhunë në familje” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, si dhe e kishte kërcënuar me armë një grua, me të cilën bashkëjetonte prej disa ditësh.

    Në anën tjetër, babai i të dyshuarit për “dhunë në familje” – sipas Policisë – dyshohet se në ndërrimin e motmoteve kishte gjuajtur me armë zjarri në ajër.

    Pas marrjes së informacionit për “dhunë në familje” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa kishte konfiskuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur edhe në ndërrimin e motmoteve.

    Në këtë rast nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa viktima e dhunës në familje, sipas Raportit të Policisë, me dëshirën e saj, pasi dyshohet se ishte rrahur nga partneri, është kthyer te familja e saj.

    Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar. Ndaj babait të të dyshuarit për “dhunë në familje” është iniciuar rasti për “përdorim i armës” dhe i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, Policia ka njoftuar se ndaj djalit është iniciuar rasti për “dhunë në familje” dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • IPK arreston një zyrtar policor në Graçanicë, dyshohet për dhunë në familje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë ditur se ka arrestuar një zyrtar policor dje me 31.12.2024 në Graçanicë, pasi që dyshohet për dhunë në familje.

    Sipas IPK-së, rasti fillimisht ishte raportuar të ketë ndodhur në orët e pasditës në Graçanicë.

    “Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar” – thuhet në njoftim.

    IPK ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë të ndërmarrë veprime të tjera hetimore, për të zbardhur të gjitha rrethanat që ndërlidhen me rastin.