Etiketë: Albin Kurti

  • LVV gjobitet 3,500 euro për deklaratën e Kurtit për LDK-në

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 3,500 euro Lëvizjen Vetëvendosje pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës me pretendimin se kryetari i LVV -së, Albin Kurti, ka shkelur Kodin për Mirësjellje.

    Ankesa e LDK-së ishte për deklarimet e Kurtit me fjalët “LYDYKYHI, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratike. E në përgjithësi, me nder me thanë, opozita po i japin zor mule anej mule knej për vend të dytë, po get e kanë pa edhe ata vetë që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës”.

    Këtë deklaratë Kurti e ka bërë më 15.01.2025 në një tubim elektoral në qytetin e Podujevës.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar ankesën e LDK-së dhe ka gjobitur LVV-në me 3,500 euro.

    Sipas vendimit, LVV-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    Lëvizja Vetëvendosje, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën duke thënë se kjo bën pjesë në suazat e humorit dhe nuk gjen mbështetje në nenin e referuar.

    Më 20.01.2025, PZAP ka pranuar edhe një tjetër ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke e dënuar me 3,500 euro.

    Sipas PZAP, Lidhja Demokratike e Kosovës pretendon se LVV ka bërë shkelje të Rregullores Zgjedhore me rastin e vendosjes së posterit të kandidatit për deputet, Raif Qavolli, në hapësirat publike te stadiumi “Shahin Haxhiislami” në Pejë.

    Lëvizja Vetëvendosje, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën duke thënë se kandidati i tyre ka pasur një marrëveshje valide me gojë të cilën e ka lidhur në mirëbesim me ofruesin e shërbimeve, ku si detyrim ka qenë pagesa e një shume të caktuar në bazë të marrëveshjes.

    “Po ashtu në përgjigje theksohet edhe se hapësira nga e cila janë të drejtuara këto reklama është jashtë kufirit të stadiumit “Shahin Haxhislami”, çka nuk e bën përgjegjës kandidatin tonë për akuza se ka vendosur poster në pronën publike, ashtu siç e ndalon ligi shfrytëzimin e saj për qëllime të fushatës”- thuhet në përgjigjen e LVV për PZAP.

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta shihni në këtë LINK.

  • Kryeministri Kurti për presidentin Rugova: I ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore

    Në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar duke e cilësuar si një njeri paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë.

    Sipas Kurtit, Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillim të viteve 1990.

    “Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”- tha Kurti.

    Kurti tha se Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, duke theksuar se është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për presidentin Rugova.

    “Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”- tha Kurti.

    I pari i Qeverisë shtoi se këto botime u bënë në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për presidentin Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

  • Kurti në Forumin Ekonomik në Davos do të nënshkruajë Marrëveshjen me shtetet e EFTA-s

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me dy ministret atë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe të Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

    Shefi i Ekzekutivit kosovar atje do të nënshkruajë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë). 

    “Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo Marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet vendit tonë dhe Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës si shtete anëtare të EFTA-s.” – shkruan në njoftimin e Kryeministrisë.

    Pas katër raundeve negociata të filluara në vitin 2022, Kosova ka përmbyllur me sukses më 26.09.2024 kapitujt negociues për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s: Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

    Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë (EFTA) është një organizatë ndërkombëtare që promovon tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet shteteve të saj. EFTA ka si qëllim heqjen e barrierave tregtare dhe lehtësimin e fluksit të mallrave dhe shërbimeve midis vendeve anëtare. Organizata është e ndryshme nga Bashkimi Evropian (BE), megjithatë ajo bashkëpunon ngushtësisht me BE-në përmes marrëveshjeve të ndryshme.

    Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti do të ketë takime me përfaqësues shtetërorë të vendeve mike e partnere dhe me investitorë potencialë – sipas Zyrës së Kryeministrit (ZKM). Gjithashtu, ai do të marrë pjesë në Panelin e diskutimit me titull “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit” dhe Panelin “Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: inovacioni etik në epokën e Inteligjencës”. 

    “Të dy këto Panele do të mbahen në Shtëpinë e Kosovës (House of Kosova) në Davos, e cila është hapur për herë të parë.” – njofton ZKM.

    Më 18.12.2024, gjatë mbledhjes Qeveria e Kosovës ka ndarë 350 mijë euro për pjesëmarrje në Forumin Ekonomik në Davos, e përfaqësuar nga Kosova House.

    Prej 20 deri më 24 janar 2024, derisa Konferenca e Davosit mbledh lojtarët kryesorë ekonomikë dhe përfaqësuesit qeveritarë, Kosova ka hapur hapësirën e saj “House of Kosovo”, kryesisht fal dy zhvilluesve të suksesshëm të patundshmërive, Esat Lika nga fshati Carrabreg në Kosovë dhe Ertion Axha nga Durrësi në Shqipëri.

    Këta dy merren me biznesin e patundshmërive dhe ia kanë dalë të sigurojnë një shesh prej 11.500 metrash katrorë të një ish-Sanatoriumi, që ndodhet rreth 800 metra larg prej Sallës së Kongresit të FEK-ut, me synim ta kthejë në një resort luksoz.