Autor: Florinda Kelmendi

  • Qytetarë të komunitetit serb sërish protestuan në Mitrovicë të Veriut në mbështetje të protestave në Serbi

    Qytetarë të komunitetit serb në një tubim në Mitrovicë të Veriut, të hënën, më 27.01.2025, kanë mbajtur 15 minuta heshtje për personat që vdiqën nga shembja e çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ngjarje tragjike që ka ndodhur më 01.11.2024.

    Sikurse të premten, më 24.01.2025, qytetarët protestuan edhe të hënën më 27.01.2025 afër Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut.

    Në mesin e protestuesve kishte edhe studentë të Universitetit që gjendet në Mitrovicë të Veriut.

    Qytetari Milentije Jakshiq shprehet mirënjohës për studentët që ngrenë zërin, ndërsa i zhgënjyer me Qeverinë e Serbisë.

    “Ka ardhur koha. Populli ka duruar 10 vite padrejtësi nga kjo qeveri. Studentëve, profesorëve të tyre, u jam pafundësisht mirënjohës në emrin tim dhe mendoj, edhe në emër të qytetarëve të Kosovës që kanë drejtuar kërkesën që institucionet përkatëse shtetërore të merren me punën e tyre, ndërsa ato që nuk janë kompetente të mos ndërhyjnë”- tha ai.

    Për dhjetë vite, siç thotë ai, nën pushtetin aktual në Republikën e Serbisë, Milentije Jakshiq ka kritika për subjektin – Partia Progresive Serbe.

    “Për fatin tonë të keq, dhe për fatin e mirë të të tjerëve të cilët janë pasuruar falë ardhjes së Partisë Progresive Serbe. Shumë njerëz kanë lënë këto vatra, kanë marrë me vete fëmijët e tyre, brezat më të rinj dhe më të vjetër. Shumë prej tyre nuk mund as të vijnë për të vizituar trojet e paraardhësve të tyre”- tha Jakshiq.

    Milentije Jakshiq- qytetar

    Organizatori i kësaj proteste, Sërxhan Gjorgjeviq tha para mediave se ndihet krenar që e ka përcjellë këtë mesazh te studentët dhe thekson faktin se në këtë protestë, sipas tij, nuk kishte profesorë.

    “Unë mendoj që mund të kenë qenë disa (profesorë) apo asnjë fare. Ndoshta janë duke na shikuar nga dritarja dhe shpresoj që një ditë të ndjejnë turp”- tha ai.

    Sërxhan Gjorgjeviq – organizator i protestës
    Policia e Kosovës, 27.01.2025Të premten, më 24.01.2014 qytetarë serbë protestuan për të njejtën çështje- për viktimat në Novi Sad.

    Pas 15 minutash heshtje, protestuesit brohoritën “Vuçiqi në burg”, duke aluduar në presidentin e Serbisë.

    Të pranishëm ishin ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Radoica Radomiroviq dhe lideri i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.

    Në vendin e ngjarjes u panë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët e përcollën ngjarjen edhe me dron.

    Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë–Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se protesta kaloi e qetë.

    Studentët në Serbi përmes protestave nga nëntori i 2024-ës po kërkojnë përgjegjësi institucionale pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024.

    Ndërkohë në të gjithë Serbinë është mbajtur të premten (24.01.2025) një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

    Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera. Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

    Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Beograd të Ri. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit ndaj demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

    Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

    Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

    Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.

  • Aktivitetet e Policisë në Ferizaj: Mbi 1 mijë gjoba të shqiptuara brenda javës

    Brenda gjashtë ditëve nga data 20.01.2025 deri më 26.01.2025, Drejtoria Rajonale në Ferizaj njofton se ka shqiptuar 1,183 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 11 patentë-shofer për drejtuesit të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor.

    Ndërsa, janë raportuar 42 aksidente, prej tyre: 16 aksidente me lëndime, 26 persona të lënduar dhe 26 aksidente me dëme materiale.

    Policia Rajonale e Ferizajt njofton se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Teksa i thërret qytetarët për bashkëpunim.

    “Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Stacionin më të afërt të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406”. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Pas raportimit të KALLXO.com fillon të rregullohet rruga që të çon në QKMF “Nexhat Çuni”

    Disa javë pas raportimit të KALLXO.com për gjendjen e rrugës së papërfunduar, e cila të shpie në drejtim të projektit milionësh – Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, filloi të rregullohet më 23.01.2025.

    Projekti i QKMF-së “Nexhat Çuni” në Mitrovicë të Jugut, i cili u përurua më 06.01.2025, kushtoi 6 milionë e 16 mijë e 953 euro. Ndonëse Bedri Hamza së bashku me humanistin Halil Kastrati, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, e prenë shiritin për përurimin e kësaj qendre, hyrja dhe rruga që të çon aty ende nuk ishin gati.

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, tha për KALLXO.com se te rruga ka qenë duke u punuar edhe para përurimit të QKMF-së mirëpo sipas tij, punimet janë ndërprerë shkaku i kushteve atmosferike.

    “Aty është duke u punu me projektin e oborrit, parkingut edhe rrugës deri te rruga kryesore. Ka fillu para se me u përuru na por për shkak të temperaturave të ulëta operatori i ka ndalu punimet. Tash i ka rifillu dje. Aty do të përfundohet projekti i parkingut, i oborrit dhe i rrugës”- tha Shabani më 24.01.2025.

    I pyetur nga KALLXO.com se a rregullohet rruga e pastaj ofrohen shërbimet për pacientët apo do të ndodhë e kundërta, Shabani tha fillimisht do të rregullohet çështja infrastrukturore – rruga.

    “Nuk fillojnë shërbimet pa u kriju kushtet e përshtatshme për qytetarë që me pasë qasjen. Nuk ka kuptim ata duke punu, njerëzit me ardhë me marrë shërbime, s’ka logjikë ajo. Nuk muj me dhanë datën e saktë se varet edhe prej kushteve atmosferike”- përfundoi ai.

    Fillon rregullimi i rrugës që të çon drejt QKMF-së së re në Mitrovicë,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025

     

    Fillon rregullimi i rrugës që të çon drejt QKMF-së së re në Mitrovicë,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025

     

    Fillon rregullimi i rrugës që të çon drejt QKMF-së së re në Mitrovicë,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025

     

    https://kallxo.com/lajm/investim-6-milionesh-ne-objektin-e-qkmf-se-ne-mitrovice-te-jugut-rruga-qe-te-con-aty-e-paperfunduar-video/