Autor: Kallxo

  • Pejë – Gruaja pranon tretman mjekësor pas dhunës në familje

    Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

    Sipas Policisë, rastet janë regjistruar në Prishtinë dhe në Pejë.

    Në rastin e parë në Kryeqytet, më 30.01.2025, rreth orës 07:10, është raportuar se i dyshuari ka kryer veprën “dhunë në familje” ndaj një gruaje.

    “Lidhur me rastin palët janë intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, janë liruar.” – thuhet në Raportin policor.

    Ndërkaq, në rastin e dytë në Pejë, më 30.01.2025, rreth orës 17:40, Policia ka deklaruar se një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje në familje është sulmuar fizikisht nga një burrë.

    “Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftim.

  • Studentët protestues serbë vazhdojnë marshin drejt Novi Sadit

    Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga Kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet, për të bllokuar Urat më 1 shkurt.

    Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin e trenave në Novi Sad.

    Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në Stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.

    Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30, nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.

    Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.

    Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad, të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë Urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në Stacionin e trenave të këtij qyteti.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha të martën se pjesëtarë të kësaj Ministrie do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve – duke i përcjellë edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.

    Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë – duke nxjerrë në rrugë dhjetëra-mijëra njerëz.

    Në dy muajt e fundit protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra Universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.

    Qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre – duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat./REL

  • Paraburgim për policin i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në fshatin Çubrel

    E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona. E. R. dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

    Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel, ku mbetën të vdekur tre persona.

    Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.

    Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, E. R. nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.

    Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.

    “Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar, pasi që Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në Kërkesën e Prokurorisë.” – thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës – Dega Skenderaj.

    Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.

    Tutje, në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë -Pejë.

    “I pandehuri zyrtar policor E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë, ndërsa automjetin tjetër Golf IV, ngjyrë hiri, e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë – Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasi që ishte një kthesë në të djathtë, ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Mitrovicë – Pejë dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G. ka vdekur. Ndërsa, tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku nga mjeku kujdestar është konfirmuar vdekja e të dy pasagjereve të tjera – femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.