Autor: Krenare Ferati

  • Gjykimi për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, dëgjohen katër dëshmitarë

    Një bombë e përgatitur në një vend të pazakontë, në një fermë delesh në një fshat të Kaçanikut, shpërtheu në kohën e syfyrit më 24.09.2007 në Prishtinë dhe i mori jetën Pleurat Sllamnikut e Naim Muratit dhe la të lënduar 11 persona të tjerë.

    Cak i këtij sulmi, sipas aktakuzës së Prokurorisë, ishte lokali “Sekiraqa”, e motiv ishte hakmarrja për vrasjen e policit Triumf Riza që kishte ndodhur më 30 gusht të atij viti.

    Polici Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007 sipas Prokurorisë nga Arben Berisha.

    Prokuroria pretendon se të akuzuarit me këtë veprim dëshironin të merrnin hak ndaj Enver Sekiraqës për ish-kolegun e tyre.

    Për këtë shpërthim të akuzuar janë Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi e Mehmet Mehmeti, dhe Afet Dalloshi.

    Sot, më 29.01.2025, janë dëgjuar 4 dëshmitarë.

    Mbi të akuzuarit rëndojnë tri akuza: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, dhe – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

    I pari i cili e dha dëshminë e tij ishte dëshmitari Liridon Nishevci, i cili tha se qëndron prapa deklaratave që i ka dhënë në vitin 2014 dhe se nuk ka ndonjë gjë tjetër.

    “Kanë kaluar 20 vjet, qato deklarata që i kam jep qato janë” – tha Liridon Nishevci. “Ma nuk është e freskët ajo” – shtoi tutje Nishevci.

    Dëshmitari i dytë i cili e dha dëshminë ishte Vigan Zeneli.

    Ai gjatë dëshmisë së tij tha se qëndron prapa deklaratave të cilat i kishte dhënë në fazat e hetimeve.

    “Atë natë me shokë kemi luajtur futboll dhe pastaj kemi shkuar në lokalin ‘Pasazh’ që ka qenë në pronësi të shokut tonë, Blerim Syla, edhe u kanë Ramazan dhe kemi vazhdu me nejtë aty. Diku para orës 2:00, kur jemi kanë tuj nejtë ulur kanë ardhur dy persona, për të tretin nuk e di sigurt, e kanë hapur derën edhe kanë pyetur a ka cigare këtu” – tha Zeneli.

    Ai rrëfeu se kishte qenë ulur përballë derës dhe i kishte parë kur ishin afruar dhe ata persona ishin çuditur në momentin kur i kishin parë këta në lokal. Dëshmitari tha se iu kishte përgjigjur se nuk kishte cigare aty.

    Sipas këtij dëshmitari, të njëjtit ishin larguar në drejtim të parkingut dhe pa kaluar dy minuta, katër persona me uniforma të njësisë ROSU të Policisë së Kosovës, me maska kishin kaluar.

    “Dy kishin kaluar nga ana e djathtë, dy nga ana e majtë dhe kanë shkuar në drejtim të atyre personave që kishin kërkuar cigare, duke bërtitur. Se çka kishin bërtitur nuk e di” – tha Zeneli.

    Ai tregoi se më nuk i kishte parë. “Mirëpo Gëzimi, që ka qenë me ne në lokal, kishte dalë jashtë te dera e lokalit dhe aty i kishte parë dhe ka thënë se Policia i ka ndalur ata dy persona të cilët ishin më herët te parkingu dhe po shtyhen me fjalë”.

    “Unë i kam thanë: Gëzim hyr brenda, mos na e thirr Policinë këtu. Nuk ka shkuar as një minutë a dy edhe u bë terr. Gëzimi hini brenda, e msheli derën edhe u ndal rryma. Ma nuk mbaj sen mend” – tha Zeneli.

    Më vonë ai tregoi se e kishte kuptuar se eksplozivi ku kishte qenë i vendosur kishte qenë përballë trafos kryesore.

    “Në atë moment më është dukur normal, ndërsa më pas e kam kuptuar arsyen e ndaljes”- tha Zeneli.

    Dëshmitari i tretë ishte Naim Hyseni, i cili tha se për arsye se kanë kaluar vite nuk i kujtohet saktë se çfarë ka ndodhur.

    “Janë bërë disa vjet, nuk më kujtohet saktë mirëpo mbetem prapa deklarimeve të dhëna në fazën hetimore” –  tha Naim Hyseni.

    “Nuk kam kurrfarë filmi, nuk muj me dëmtu veten as dikë tjetër”- shtoi tutje Hyseni.

    Ndërsa dëshmitari i katërt i cili dha dëshminë e tij në seancën e sotme ishte Shkëlqim Syla.

    I njëjti tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 26.09.2006.

    “Mbetem në tërësi pranë asaj deklarate dhe tjetër nuk kam çfarë të shtoj” – tha Syla.

    Lidhur me natën kritike ai tregoi se atë natë kishte pasur mysafirë dhe se kanë qenë duke punuar. Dëshmitari tha se kanë qenë mysafirë të rregullt, miq, shokë.

    “Atë natë në orët e vona me sa më kujtohet ka qenë 1 person që ka kërkuar cigare” – tha Syla.

    Para se të ndodhte shpërthimi sipas tij një person kishte kërkuar cigare mirëpo para se të kërkonte personi cigare, kishte parë të tjerë që kishin kaluar nga lokali, se ata kishin qenë me rroba civile, me maska, me armë mirëpo nuk i kujtohej se sa persona kishin qenë.

    “Sa kohë ka kaluar kur kanë kaluar këta persona me rroba civile, me maska, deri te eksplozivi?”- e pyeti prokurori Armend Hamiti.

    “Nuk më kujtohet saktë, mirëpo nuk ka qenë kohë e gjatë”- tha Syla.

    Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Alban Ajvazi (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me ketë çështje pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.

    Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Afet Dalloshi, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti ishin liruar nga akuzat lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, që Prokuroria pretendon se u krye si hakmarrje ndaj Enver Sekiraqës pas vrasjes së policit Triumf Riza.

    Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit ishte ankuar Prokuroria që pretendonte se vendimi i Themelores nuk ishte i drejtë.

    Vendimi i Gjykatës së Apelit që mban datën 04.04.2017, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, anulon vendimin e Gjykatës Themelore të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthen çështjen në rigjykim.

    Ndryshe nga gjetjet e Gjykatës Themelore se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës sipas Kodit të Procedurës Penale.

    Dosja e Prokurorisë

    Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe ishin plagosur 11 të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës këtë hap e kishin ndërmarrë afër një muaj pasi ishte vrarë në Prishtinë polici Triumf Riza. Sipas Prokurorisë dyshohet se motiv i sulmit ishte hakmarrja.

    Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa Policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

    Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren A.I., që kishte qenë ish e dashura e Sekiraqës.

    Siç shkruan aktakuza, një fjalosje mes Rizës dhe Sekiraqës më 2006 në “Swiss Cassino”, eskaloi në shkëmbim me armë zjarri mes tyre, ku u lënduan dy persona, njëri nga ta anëtar i grupit të Sekiraqës. Riza ndihej i kërcënuar nga grupi i tij, prandaj edhe i kishte informuar eprorët e tij.

    Më 24 shtator 2007, rreth orës 02:10 të mëngjesit, të pandehurit vendosën eksploziv poshtë shkallëve që të shpinin në kafenenë “Sekiraqa”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin në dijeni që mund të shkaktonin vdekjen e disa personave.

    “Të pandehurit e dinin se shpërthimi mund t’i vriste klientët, por ata e vazhduan planin e tyre. Këta klientë u bënë viktima të zemërimit dhe hakmarrjes së të pandehurve kundër Enver Sekiraqës” – thuhet në aktakuzë.

    Bomba u montua në fermën e deleve

    Sipas aktakuzës, mjeti shpërthyes ishte montuar në një fermë të deleve në fshatin Rakaj të komunës së Kaçanikut.

    Për këtë kishte dëshmuar edhe Basri Sejdiu, i cili ka treguar se punonte në fermën e deleve në këtë fshat. Ai kujdesej për fermën e deleve dhe punonte në një zyrë te porta, ku edhe flinte.

    Sejdiu ka deklaruar në Prokurori se kishte parë dy vetura policie që kishin mbërritur brenda 15 minutave njëra pas tjetrës natën në këtë fermë dhe gjithashtu kishte parë të vinte me to edhe një veturë civile.

    Një automjet vozitej nga Besnik Hasani, i cili i kishte thënë atij të futej brenda dhe të flinte.

    Të pandehurit, sipas aktakuzës, nuk arritën të vendosnin bombën brenda lokalit “Sekiraqa” ashtu siç ishte planifikuar.

    “Bari “Sekiraqa” ndodhet në katin e parë të ndërtesës. Në atë kohë, porta prej hekuri para derës së barit ishte e mbyllur, dhe ata nuk mundën ta këpusnin drynin. Kështu që, të pandehurit nuk arritën të hyjnë në bar. Prandaj, ata vendosën ta vinin bombën poshtë shkallëve që të shpinin në të” – shpjegohet në aktakuzë.

    Ndërkaq, bomba e vendosur te dera e lokalit kishte shkaktuar edhe dëme materiale te të paktën tetë biznese, që ishin në afërsi të këtij lokali.

    Ata akuzohen edhe për shkaktim të dëmit të madh pasuror në pronën dhe pasurinë e disa bizneseve, si: “Ciko”, “Besa”, “Uran Shped”, “Oslo”, “Pasazh”, “Noti”, “Kojota”, “FitnessClub”.

    Dëshminë e vet Prokuroria e mbështet edhe në bazë të korrespodencave përmes telefonave të këtyre personave, në atë kohë dhe atë natë.

    I pandehuri Arbresh Dalipi, më 23 gusht 2013, ka deklaruar në Prokurori se nga të pandehurit njihte vetëm Luan Qerkinin dhe Bekim Sumën, porse nuk mban mend numrin e tij të telefonit që e mbante më 2007, e as që ka shkuar në Prishtinë në atë kohë për ta takuar Besnik Hasanin, Nusret Cenën, ose Bejtullah Hasanin.

    Ndërkaq, i pandehuri Mehmet Mehmeti, fillimisht para Prokurorisë kishte mohuar takimin me Besnik Hasanin një ditë para shpërthimit. Por, kur Prokuroria i tha se kishte njohuri se ai kishte qenë në Prishtinë, Mehmeti kishte deklaruar se “mund të kem qenë duke e dërguar gruan për në Prishtinë dhe nuk e di pse Shpend Qerimi e ka përmendur”.

    I pandehuri tjetër Afet Dalloshi ka mohuar përfshirjen në vënien e bombës në lokalin “Sekiraqa”, ashtu siç kanë bërë edhe të pandehurit Luan Qerkini dhe Besnik Suma.

    Derisa Bejtullah Mehmeti deklaronte se i kishte thënë Policisë se po shihte serialin “Familja Moderne”. Por, ai nuk mund ta shpjegonte se si mobili i tij ishte ndodhur në Prishtinë në një kohë kur ai thoshte se ishte në shtëpi duke parë televizion.

    Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë ndërsa Afet Dalloshi për ndihmë, lidhur me shpërthimin e shtatorit të vitit 2007.

  • Gjykata e Prishtinës e dënon me 2,000 euro gjobë të akuzuarin për kanosje ndaj prokurorëve që e ftuan kryeministrin Kurti në intervistë

    Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 2,000 euro gjobë të pandehurin Merxhan Rexhepi, i akuzuar për kanosje ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”.

    Ky ishte komenti që Merxhan Rexhepi kishte postuar për dy prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, më 12.12.2024.

    I pandehuri obligohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Nëse i pandehuri nuk e paguan gjobën brenda afatit, ajo i zëvendësohet me burg, 20 euro një ditë burg.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të akuzuarit Rexhepi nuk i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti lihet në liri.

    I pranishëm në gjykatore nuk ishte i akuzuari Merxhan Rexhepi.

    Po ashtu të pranishëm nuk ishin as të dëmtuarit, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën e Prishtinës.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas aktakuzës të datës 23.01.2025, Merxhan Rexhepi po akuzohet se më 12.12.2024, në kohë të pacaktuar, në Prishtinë, ka kanosur seriozisht personat zyrtarë, me fjalët se do t’i privojë nga jeta dhe atë lidhur me punën e pozitën e tyre si prokurorë të shtetit.

    Sipas aktakuzës, në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim “Prokurori i PDK-së, Valdet Gashi është i njëjti Prokuror që kishte pamundësuar Albin Kurtin me qenë bartës i listës në Zgjedhjet 2021. Sot i njëjti ka nisur një luftë të re ndaj demokracisë në Kosovë. Ky është një sulm frontal i kastës së vjetër… L Haliti.” – ku këtij shkrimi i është bashkëngjitur një foto e prokurorit Valdet Gashi me mbishkrimin në foto: “Prokurori i PDK-së Valdet Gashi”, e shkrimi në fjalë ka të bëjë me ftesën dërguar kryeministrit Albin Kurti për intervistë nga prokurorët e PSRK-së, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se lidhur me këtë postim, i pandehuri Merxhan Rexhepi komenton dhe poston mbishkrimin: “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”, dhe se këto fjalë te personat e kanosur, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, shkaktojnë shqetësim dhe ankth.

    Me këto veprime i pandehuri Merxhan Rexhepi po akuzohet se ka kryer veprën penale – kanosja.

  • Gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve, dështon seanca fillestare

    Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj Nagip Krasniqit, Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës sot, më 28.01.2025. Seanca dështoi të mbahet për shkak se mungoi i akuzuari, Ymer Dragusha.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi, Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Për dallim nga Ymer Dragusha të pranishëm në Gjykatore ishin dy të akuzuarit e tjerë, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna.

    Gjyqtari Rrahman Beqiri bëri të ditur se të akuzuarit Ymer Dragusha Gjykata më 15 janar 2025 i ka dërguar ftesën për këtë seancë, ndërsa deri më tani fletëdorëzimi nuk është kthyer në Gjykatë, për çka Gjykata nuk mund të konstatojë nëse është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo.

    Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Ymer Dragusha, avokatja Sabrije Krasniqi tha se nuk ka ndonjë informatë pse i njëjti nuk është i pranishëm sot.

    “Unë Ymer Dragushën e mbroj sipas detyrës zyrtare dhe prej se kam marrë kallëzimin penal e këto, kam tentuar me ra në kontakt me të dhe prej atij momenti që e kam marrë ftesën kam tentu të bi në kontakt përmes telefonit, që unë e posedoj numrin e tij, mirëpo i njëjti nuk ka pasur qasje në telefon.” – tha avokatja Sabrije Krasniqi.

    Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me kryetar të Trupit Gjykues, Rrahman Beqirin.

    Ndërsa Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

    Kujtojmë se Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-Kryeshef i KEK-ut.

    Lidhur me Aktakuzën e parë Krasniqi nuk kishte pranuar fajësinë, ndërsa rasti është në procedim e sipër.

    Çka thotë Aktakuza e dytë e Prokurorisë Speciale për Nagip Krasniqin?

    Nagip Krasniqi si Kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit) akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.

    Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Litwin S.A” – në rastin e aktivitetit të prokurimit, lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.

    Tutje, sipas Prokurorisë, më 27.12.2022, Krasniqi kishte ftuar në zyrë të akuzuarin Ymer Dragusha, duke i kërkuar të njëjtit që të fillohet procedura për hulumtimin e tregut, që të fillohet procedura e negociuar për tenderin për riparimin e kalldasë së bllokut A5. Sipas Prokurorisë, Dragusha e kishte vënë në dijeni Krasniqin se një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Tutje, Prokuroria pretendon se Dragusha pasi kishte marrë kërkesën nga Krasniqi, i kishte thënë zyrtarit E.T., që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e Operatorëve Ekonomikë: “Intering”, “Monting Energjitika”, Litwin S.A”, të cilët Operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Tri ditë më vonë – sipas Prokurorisë – më 29.12.2022, Krasniqi dhe i akuzuari tjetër Dragusha kishin zhvilluar negociata me Operatorët Ekonomikë, lidhur me tenderin “Riparimi kapital i kalldasë së bllokut A5” – pa qenë në Komisionin për vlerësim dhe negocim dhe ende pa u bërë njoftimi për shpallje në faqen E-Prokurimi. Ndërsa, më 16.01.2023, pas përfundimit të negociatave, kanë bërë njoftimin për shpallje – duke i eliminuar nga gara Operatorët: “Intering”, “Monting Energjetika” dhe duke e favorizuar Operatorin “Litwin S.A”.

    Themelimi i Komisionit për vlerësim dhe negocim për “Riparimin kapital emergjent të kalldasë së bllokut A5” ishte bërë katër ditë më vonë. Pikërisht, më 20.01.2023, prej kur ishte bërë shpallja për njoftimin për kompaninë “Litwin S.A”. Ky Komision – sipas Dosjes – kishte ardhur me një konstatim, më 25.01.2023, se Operatori në fjalë nuk i plotësonte kushtet që kërkoheshin në Dosjen e tenderit dhe se nuk iu kishte përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, me ç’rast Komisioni kishte rekomanduar që të anulohet aktiviteti i prokurimit.

    Sipas Komisionit, Operatori në fjalë kishte kërkuar të ndryshohen kushtet e tenderit, të zgjatet afati për kryerjen e punëve, të ulet përqindja në penallti dhe të zvogëlohet garancia bankare.

    Ndonëse kryeshefi i asaj kohe Nagip Krasniqi kishte dijeni për Raportin e Komisionit dhe gjetjet e tij – siç theksohet në Dosje – ai kishte urdhëruar të pandehurin tjetër, Ymer Dragusha që të nënshkruajë Kontratën. Këtë e kishte bërë përmes e-mail-it, më 25.01.2023.  Kontrata ishte nënshkruar më pas, ndonëse ende nuk ishte siguruar garancia bankare, e cila do të ekzekutohej në rast të dështimit të Kontratës.

    Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, nga 19.07.2022 e deri më 06.05.2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit. Andaj, siç theksohet nga ana e Prokurorisë, KEK-u u detyrua që të importojë energji në vlerë prej mbi 36 milionë euro.

    Me këtë në Dispozitivin e parë, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Tutje, Aktakuza vazhdon me Dispozitivin e dytë, në të cilin prapë Krasniqi e Dragusha akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

    Në këtë Dispozitiv, Krasniqi e Dragusha akuzohen – sipas Prokurorisë – se i kanë mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, Operatorit Ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit “Angazhimi i një kompanie konsulente ligjore”, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna i cili është aksionar i kësaj kompanie ligjore më 02.03.2023 dhe ka kërkuar nga i akuzuari tjetër Dragusha që të iniciohet procedura e prokurimit e negociuar për angazhimin e Konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për Kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut, ndonëse në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve nuk ishte paraparë – duke e përcaktuar si Operator të vetëm kompaninë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.

    Sipas Prokurorisë ekzistonin raporte të ngushta shoqërore në njërën anë mes palëve

    Dosja elaboron tutje se Dragusha përkundër faktit që e dinte se kërkesa e Krasnqit ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, kishte filluar procedurën e prokurimit më 02.03.2023, me titull “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Ndonëse, organi kompetent për komentimin e Ligjeve të Prokurimit publik kishte lëshuar një Rekomandim se duhet të ketë procedurë të hapur, Krasniqi e Dragusha kishin zhvilluar procedurë të negocimit me kompaninë ligjore dhe më 03.04.2023, pas urdhrit të Krasniqit, Dragusha nënshkruan Kontratën me kompaninë ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë prej 60 mijë euro – theksohet në Dosje.

    Aktakuza voluminoze 68-faqëshe në Dispozitivin e tretë përsëri akuzon Krasniqin e Dragushën për “keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Sipas Dispozitivit të tretë nga dhjetori i vitit 2022 e deri më 18.04.2023, Krasniqi në të njëjtën cilësi dhe Dragusha po ashtu në të njëjtën cilësi – duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë tejkaluar kompetencat duke i mundësuar përfitim pasuror personit tjetër, Operatorit Ekonomik “Ergotem S.A”, duke i shkelur të drejtat personave të tjerë për aktivitetin e prokurimit “Pllaka rrëshiqtëse në PF – kanalet e mullinjëve të thëngjillit”.

    Krasniqi – sipas Prokurorisë – disa muaj para se të bëhej njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetin e njëjtë, i kishte ftuar në mënyrë të kundërligjshme përfaqësuesit e Operatorit “Ergotem S.A”, me qëllim që të zhvillohet një vizitë në punishtet e KEK-ut. Tutje, i urdhëron zyrtarët përgjegjës që t’ia dërgojë kësaj Kompanie specifikat teknike të tenderit, ende pa u bërë shpallja e tenderit.

    Kështu – sipas Prokurorisë – më 15.12.2022, Krasniqi i shkruan të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallej më 16.12.2022 të ftohet Operatori Ekonomik “SBB” dhe “Ergotem S.A” – duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj që në të njëjtën datë të bëhet shpallja e njoftimit për Kontratë.

    Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e Komisionit, Operatori “Ergotem S.A” shpallet fitues i tenderit. Para nënshkrimit të Kontratës, kjo kompani kërkon nga KEK-u që të ndryshohen kushtet e tenderit lidhur me garancinë bankare, nga 50%, sa ishte në Dosje të tenderit, të zbritet në 10% . Kështu nga dy të pandehurit pranohet kjo kërkesë, por duke e rritur pakëz vlerën e përqindjes në 15 % – duke u nënshkruar Kontrata më 07.04.2023 nga Dragusha. Kurse, më 18.04.2023, nënshkruhet nga Krasniqi në vlerë prej mbi 1 milion euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 25.01.2023, në Prishtinë, me dashje, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, i pandehuri Nagip Krasniqi si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut  dhe Ymer Dragusha si ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurimit (ZEP), më 25.01.2023, në Prishtinë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast Operatorit Ekonomik ‘’Tuv Hellas’’ dhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë, ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”, në tenderin me nr. të prokurimit KEK-23-348-2-1-5, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me LPP.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 24.01.2023, ende pa u bërë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Nagip Krasniqi i kishte shkruar të pandehurit Ymer Dragusha dhe e kishte obliguar kundërligjshëm që të kontaktonte me Operatorin Ekonomik “Tuy Hellas” dhe ta ftonte që të aplikonte për tender të negociuar. Mirëpo, zyrtarët e KEK-ut e kishin njoftuar fillimisht të pandehurin Nagip Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me Nenin 7 të LPP. Përkundër, kësaj i pandehuri Krasniqi thuhet në Aktakuzë përmes e-mail-it e kërcënon zyrtarin A.K., se do ta largojë nga puna – nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij.

    Në Aktakuzë thuhet, tutje, se nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri e kishte kontaktuar Kompaninë në fjalë dhe i kishte ofruar udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender. Krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit, sepse më 25.01.2023 ishte bërë njoftimi për shpalljen e tenderit në E-Prokurim.

    Po ashtu, në Aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kishin shpërfillur njoftimin dhe kishin vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me Operatorin Ekonomik ‘”TUV Hellas’’, të cilin sipas Aktakuzës veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Nagip Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se gjatë procedurës së negocimit në mënyrë të kundërligjshme të pandehurit i kishin bërë favor këtij Operatori: kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se Operatori Ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në Dosjen e tenderit për pikat tenderuese, si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001.

    Në Aktakuzë përshkruhet se bazuar në faktin se gjatë procedurës së negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij Operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që Operatori Ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë Kontratë me këtë Operator, në vlerë prej 628,425.00 euro, më 30.03.2023.

    Andaj, me këtë në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu – sipas Dosjes së Prokurorisë – i pandehuri Nagip Krasniqi prej muajit korrik deri më 25.11.2022, në Prishtinë me dashje në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut duke keqpërdorur detyrën zyrtare në Aktakuzë thuhet se kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësonte përfitim personit tjetër. Pra, në këtë rast Operatorit Ekonomik “Bahri Asllan & FAM” dhe ua shkel të drejtat personave të tjerë, në këtë rast pra Operatorit Ekonomik “Takraf” dhe i shkaktoi dëm buxhetit të Kosovës – ashtu që me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar i emërtuar si “Punë shtesë në riparimin e ekskavatorit E9 – Montimi i shtratit sferik”, me numër të prokurimit ‘’KEK-22-11643-5-2-5’’ kishte shkelur rëndë rregullat e përcaktuara me LPP, në atë mënyrë që kishte urdhëruar fillimisht aktivitet prokurimi të lartcekur.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – pastaj ai kishte zhvilluar të ashtuquajturën “faza fillestare të negociuara’’ me Operatorin Ekonomik  “Bahri Asllan & FAM”. Mirëpo, për shkak të kushteve të negocimit i kishte pezulluar negociatat me këtë Operator dhe kishte hapur negociata të reja me Operatorin Ekonomik “Takraf”, me të cilin pas disa takimeve më 26.07.2022 – sipas Aktakuzës – arriti një marrëveshje e cila nuk u ekzekutua menjëherë, për shkak të kushteve në terren. Andaj, u shty deri në krijimin e kushteve atmosferike.

    Në Aktakuzë përshkruhet se përkundër faktit që me Operatorin Ekonomik “Takraf” kishte një marrëveshje të dakorduar, siç u përshkrua më lartë, i pandehuri Nagip Krasniqi përmes zyrtares së tij i ka dërguar e-mail Operatorit Ekonomik  “Bahri”.

    Andaj – sipas Dosjes së Prokurorisë – me këtë në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Tutje, në Dispozitivin e Gjashtë të Aktakuzës i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit, të cilat po zhvilloheshin në KEK.

    Sipas Aktakuzës, këto fshehtësi i pandehuri Krasniqi i ka ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në Administratën shtetërore e për të cilat informata i pandehuri Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike. Mihali është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 02.07.2022, i pandehuri Krasniqi, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me znj. Mihaili i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it – sipas Marrëveshjes së datës 24.06.2022, në mes të KEK-ut dhe KESH-it.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se më 22.04.2022, i pandehuri Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar znj. Mihali dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars-prill 2022. Pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali “Reporteri’”, me titullin ‘’Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’’.

    Sipas Aktakuzës thuhet se i pandehuri Krasniqi, më 24.02.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore, si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.

    Tutje, thuhet se më 12.04.2023, i pandehuri i lartcekur gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal” i ka dërguar Mihalit një draft-Autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G.B.

    Gjithnjë – sipas Aktakuzës – thuhet se më 04.08.2022, gjatë komunikimeve i pandehuri Krasniqi në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit Kërkesën drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Ministrave të Qeverisë për plotësim-ndryshimin e Vendimit për Shpalljen e emergjencës energjetike.

    Sipas Aktakuzës, më 29.09.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social “WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup i pandehuri Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve, të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë” dhe “Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

    Tutje – në Aktakuzë – thuhet se më 13.10.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘”WhatsApp’’ në grupin ku bënte pjesë Mihali, i pandehuri Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i Komisionit të vlerësimit dhe negocimit S.I., në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga Operatorët Ekonomikë. Si dhe, komunikime të tjera në këto platforma.

    Tutje – sipas Aktakuzës – i pandehuri Krasniqi po akuzohet se më 16.05.2022 gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D.B, E.T. dhe M.K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.

    Me këtë, i pandehuri Nagip Krasniqi po akuzohet se e ka kryer veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Në Dispozitivin e shtatë të Aktakuzës i pandehuri Isuf Zejna në cilësinë e përfaqësuesit të Kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” po akuzohet se në periudhën kohore dhjetor 2021 deri në prill të vitit 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, e ka ndihmuar të pandehurin Nagip Krasniqi që në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut ta keqpërdorë detyrën zyrtare në lidhje me tenderin me numër KEK-23-1630-2-2-5, i titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulentë ligjor”.

    Në Aktakuzë thuhet se, më 14.02.2023, i pandehuri Zejna i ka ndihmuar të pandehurit Nagip Krasniqi në përgatitjen e termave të referencës për tenderin në të cilin ishte vetë pjesëmarrës.

    Sipas Aktakuzës thuhet se fillimisht i pandehuri Krasniqi ia dërgon një draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi. Ndërsa, ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit në KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të negociuar.

    Tutje, në Aktakuzë thuhet se me të kuptuar lidhur me këtë procedurë KRPP i shkruan KEK-ut shkresën, përmes së cilës e rekomandon se kjo procedurë duhet të zhvillohet me procedurë të hapur, me qëllim të rritjes së transparencës dhe konkurrencës.

    Në Aktakuzë thuhet se Nagip Krasniqi për shkak të raporteve të ngushta me të pandehurin, Isuf Zejna e injoron këtë Rekomandim dhe më 03.04.2023 e nënshkruan Kontratën me Operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, respektivisht me të pandehurin, Isuf Zejna – duke e shpërblyer me shumën prej 60.000.00.

    Me këtë i pandehuri Isuf Zejna po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale: “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Shënim: Artikulli është edituar më 07.02.2025, ora 12:08.