Autor: Veronë Zymberi

  • Deri në 6 orë pritjet në pikën kufitare në Merdarë 

    Në pikën kufitare në Merdarë, qytetarët po vazhdojnë të përballen me kolona të gjata të pritjeve për të dalë nga Kosova. 

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njofton se në Merdarë pritjet janë deri në 6 orë. 

    Po ashtu tek Dheu i Bardhë, pritjet po shënohen deri në 30 minuta për të dalë nga vendi. 

    Ndërsa, tek pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë pritjet janë deri në 10 minuta.

    Edhe pikat e tjera kufitare, aktualisht nuk karakterizohen me pritje të gjata, mesatarisht prej 3 deri në 10 minuta. 

    Tutje, për shkak të kolonave dhe pritjeve të gjata në dalje të pikës kufitare në Merdarë, Policia e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të përdorin edhe pikat e tjera kufitare për qarkullim. 

    https://kallxo.com/lajm/pritjet-e-gjata-ne-merdare-policia-ben-thirrje-qe-te-shfrytezohen-pikat-e-tjera-kufitare-per-te-dale-nga-kosova/

    Në kohë reale gjatësinë e kolonave dhe orët e pritjes mund t’i përcillni KËTU.

  • Projekti i palestrës multisportive në Kryeqytet përplas të parin e Prishtinës dhe ministrin e Kulturës

    Projekti i Palestrës multisportive në kryeqytet, u bë shkas i përplasjes mes të parit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. 

    Të premten, më 03.01.2025, ministri Çeku përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka akuzuar Komunën e Prishtinës se ka një vit që ka neglizhuar ndajen e lokacionit për projektin e palestrës multisportive në Prishtinë, për ndërtimin e së cilës thotë se janë ndarë buxhet 3.5 milionë euro.

    “Ky është vetëm njëri nga projektet që jemi zotuar për të investuar në infrastrukturën sportive të kryeqytetit, por kemi hasur në neglizhencë totale të Komunës së Prishtinës. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ajo çfarë kemi dëgjuar përditë nga ta është kinse Qeveria po i pengon apo nuk po investon në Prishtinë”- ka shkruar Çeku më 03.01.2025. 

    Ndërsa kryetari Rama i është kundërpërgjigjur ministit Çeku duke thënë se kanë qenë asamblistët e LVV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për palestër. 

    “Lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë! Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim.Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën”- ka shkruar Rama më 04.01.2025 në Facebook. 

    Tutje, Rama është shprehur se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme politike duke thënë se “qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim dhe jo propagandë politike”.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it kryejnë patrullime në Komunën e Pejës

    Ushtarët italianë të KFOR-it të batalionit Kinetik kanë kryer patrullime për disa ditë në Komunën e Pejës, të udhëhequr nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. 

    Kështu bëhet e ditur përmes një shkrimi në profilin zyrtar të KFOR-it në Facebook, ku thuhet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”- thuhet tutje në njoftimin e publikuar më 04.01.2025.