Etiketë: Armë

  • Një person dyshohet se u godit në kokë me kondak të armës në Pejë

    Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar në Pejë.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 08.07.2026, rreth orës 11:50, në rrugën “Medlin Olbrajt” në Pejë.

    Viktima ka njoftuar se i dyshuari e ka goditur disa herë me kondak të pistoletës në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Pas sulmit, viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    Organet e rendit kanë bërë të ditur se i dyshuari, pas kryerjes së veprës, është larguar në drejtim të panjohur.

    Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

    Rasti mbetet në hetime.

  • Plagosje me armë zjarri në Prizren

    Pas një fjalosjeje në një Parking në Prizren, të mërkurën, më 29.01.2025, dy persona janë plagosur me armë zjarri – njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas Policisë personat e plagosur kanë kërkuar tretman mjekësor dhe po trajtohen aktualisht në Spitalin Rajonal të Prizrenit, teksa gjendja e tyre është stabile.

    Kurse pa specifikuar numrin, Policia në mes të tjerash njoftoi se disa të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në këtë rast janë në kërkim.

    “Më 29.01.2025, rreth orës 02:00, në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në Parkingun e një pike shitje të derivateve. Të dyshuarit menjëherë pas takimit  kanë filluar të fjalosen  dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të të dyshuarve të tjerë. Pas shkrepjes së armës  persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Me kohë janë njoftuar Sektori i Hetimeve të Stacionit dhe  hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë mbledhur provat dhe dëshmitë. Dy nga të dyshuarit gjenden në trajtim  mjekësor. Gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, kurse të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.” – thuhet në komunikatën e Policisë.

    Policia ka identifikuar personat e përfshirë dhe ka kryer kontrolle në disa vende – duke konfiskuar armë zjarri e automjete.

    “Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast. Janë kryer kontrolle në disa vende; tri armë zjarri (pistoleta) dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin. Në konsultim me Prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës.” – bëri të ditur Policia.

  • Arrestohet burri në Deçan, dyshohet se i shiti në treg të zi tri pistoleta

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Deçan, pasi dyshohet se ka shitur në treg të zi tri pistoleta, të cilat i kishte me leje. 

    Rasti raportohet të ketë ndodhur në Deçan, dje më 28.01.2025. 

    Sipas Policisë, i dyshuari kur është intervistuar ka deklaruar se dyshon se dy të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij, me ç’rast edhe i kanë vjedhur armët e shitura. 

    “Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti nën hetime.” – njofton Policia, sot më 29.01.2025.