Autor: Naser Sertolli

  • TikTok rikthehet në SHBA

    Rreth 12 orë pas ndalimit në Shtetet e Bashkuara, TikTok është rikthyer për shumë përdorues, pothuajse sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke ia atribuar kthimin një vendimi të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të shpëtuar aplikacionin, raporton CNN.

    TikTok mirëpriti përdoruesit me një njoftim që thoshte: “Faleminderit për durimin dhe mbështetjen tuaj. Si rezultat i përpjekjeve të Presidentit Trump, TikTok është rikthyer në SHBA!”.

    Ky veprim i papritur për të rikthyer aplikacionin ndodhi pasi TikTok u bë i papërdorshëm për amerikanët të shtunën vonë në mbrëmje. Përdoruesit që përpiqeshin ta hapnin aplikacionin në atë kohë, merrnin një mesazh që thoshte se aplikacioni ishte offline dhe u kërkohej të “prisnin për informacione të tjera.”

    “Një ligj që ndalon TikTok është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo do të thotë se nuk mund ta përdorni TikTok për momentin” – thuhej në mesazhin e TikTok-ut.

    Gjithashtu, aplikacioni nuk ishte i disponueshëm as në Apple dhe Google Play store, së bashku me aplikacionet Lemon8 dhe CapCut, të cilat gjithashtu janë në pronësi të kompanisë mëmë me bazë në Kinë, ByteDance.

    Të dielën në mëngjes, Trump tha se do të nxirrte një urdhër ekzekutiv pas inaugurimit të tij të hënën për të shtyrë zbatimin e ligjit që kërkon ndarjen ose ndalimin e aplikacionit. Brenda pak orësh, qasja në aplikacionin dhe faqen e internetit të TikTok filloi të rikthehej për përdoruesit në SHBA./CNN

  • Balje: Nuk e votoj Kurtin e asnjë qeveri pa u plotësuar kushtet e boshnjakëve

    Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU) dhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se vota e saj për formimin e qeverisë do të kushtëzohet me përmbushjen e kërkesave që lidhen me interesat e komunitetit që ajo përfaqëson.

    “Nëse fitoj ulëse në Kuvend dhe Albin Kurti apo dikush tjetër është në pushtet për të formuar qeverinë, unë pa m’i plotësuar kushtet që kam në letër, nuk e votoj asnjë qeveri. Kërkesat tona përfshijnë themelimin e komunës së boshnjakëve, reforma në arsim, respektimin e gjuhës dhe lëvizje konkrete për punësimin e boshnjakëve në Kosovë”, ka deklaruar Balje.

    Ajo ka shtuar se përkushtimi ndaj çështjeve të komunitetit boshnjak mbetet prioritet i saj dhe se nuk do të bëjë kompromis me kërkesat që janë jetike për përfaqësimin dhe përmirësimin e kushteve të këtij komuniteti.

    Balje ka deklaruar se komunitetet e vogla, përfshirë atë boshnjak, nuk kanë logjikë të jenë në opozitë, por duhet të jenë pjesë e pozitës për të adresuar më mirë nevojat e tyre.

    “Ne si komunitet, sikurse edhe komunitetet e tjera të vogla, nuk është logjike të jemi në opozitë. Jemi shumë të vegjël dhe kemi nevojë të jemi pjesë e pozitës. Zakonisht, pas luftës deri më sot, gjithmonë kemi qenë pjesë e qeverisjes, pa marrë parasysh se cila parti shqiptare ka fituar”, ka theksuar Balje.

    Kur u pyet nëse do të votonte Kurtin për kryeministër nëse vota e saj do të ishte vendimtare, Balje sugjeroi se përfaqësuesit e komuniteteve të vogla kanë prirje të bashkëpunojnë me pozitën për të garantuar përfaqësimin e tyre në vendimmarrje. /Dukagjini

  • Shtëpia e Bardhë, si realizohet zhvendosja e presidentëve brenda vetëm gjashtë orëve

    Kur Donald Trump të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë.

    Për rreth gjashtë orë, sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij do të hiqen nga rezidenca ekzekutive.

    Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, rezidenca private do të shndërrohet në shtëpinë e presidentit të sapobetuar.

    Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit – zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm.

    “Si u pëlqen që të jetë e pajisur Zyra Ovale? Çfarë tapeti? Çfarë perdesh, çfarë tavoline, etj, sepse kjo është zona e parë që përgatitet”, thotë Angella Reid, ish-punonjëse në Shtëpinë e Bardhë.

    Fotot tregojnë se Presidenti Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij.

    Por duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat.

    Familja e presidentit jeton në katin e dytë dhe të tretë të Shtëpisë së Bardhë.

    Përpara ditës së zhvendosjes, presidenti i ardhshëm dhe zonja e parë përzgjedhin mobiljet dhe veprat e artit që dëshirojnë nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë. Në kohën kur presidenti i ri mbërrin në shtëpi në Ditën e Inaugurimit, i gjen të vendosura mobiljet, së bashku me fotot personale.

    “Kur hyjnë presidenti i ri dhe zonja e parë, ata gjejnë shampon e tyre të preferuar në dush. Kanë furçën e dhëmbëve, pastën e dhëmbëve, rrobat e tyre të varura në dollap”, thotë Kate Andersen Brower, autore e librit “Rezidenca” (“The Residence”).

    Gjithçka ndodh në më pak se gjashtë orë dhe për këtë angazhohen rreth njëqind punonjës të Shtëpisë së Bardhë.

    “Nuk realizohet nga profesionistë të ndonjë firme private. Është personeli i rezidencës që e bën këtë. Pra ndihmojnë të gjithë dhe këta nuk janë njerëz që janë të trajnuar për zhvendosjen. Nuk punësohen profesionistë për shkak të shqetësimeve të sigurisë”, thotë zonja Brower.

    Shumë nga personeli i rezidencës së Shtëpisë së Bardhë punuan për Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë nga janari 2017 deri në janar 2021.

    “Pra, punonjësve vërtet u pëlqente Donald Trump-i, sepse ai është mësuar të ketë njerëz përreth që i shërbejnë // dhe, ai madje u jepte bakshish në para të thata, me kartëmonedha 20-ëshe dhe 50-ëshe dhe ata e vlerësojnë këtë. Ata nuk janë persona politikë. U intereson vetëm se si i trajton presidenti”, thotë zonja Brower.

    Presidenti Barack Obama e punësoi zonjën Angella Reid si drejtuese për shërbimet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2011. Ajo mbikëqyri ditën e zhvendosjes në janar 2017, kur u largua familja Obama dhe hyri familja Trump.

    “Përdornim termin ‘kaos i organizuar’, por në të vërtetë është një operacion shumë i koordinuar. // Bëhen prova disa herë për atë ditë; të gjithë mezi presin të vijë momenti”, tregon zonja Reid.

    Kishte disa probleme, si për shembull mund të përdorej vetëm një ashensor.

    “Ashensori nuk përdorej në maksimum. E korrigjova këtë dhe fituam një orë kohë. Kishte raste për shembull kur dysheku i caktuar për ndonjë dhomë nuk ishte në madhësinë e duhur”, thotë zonja Reid.

    Por sfida kryesore është gjithmonë kufizimi kohor. Dhe ka vetëm rreth gjashtë orë për të bërë gjithçka gati, për ta mirëpritur familjen e re presidenciale në shtëpinë e tyre të re./VOA