Autor: Naser Sertolli

  • BE thirrje Malit të Zi të intensifikojë përpjekjet për të mbyllur kapitujt e negociatave deri në vitin 2026

    Komisioneria evropiane për Zgjerim, Marta Kos tha të enjten në Podgoricë, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, se “inkurajon Malin e Zi që të punojë edhe më shumë nëse dëshiron të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në deri në vitin 2026”.

    Ajo theksoi se “Mali i Zi ka mundësi t’i përfundojë negociatat gjatë mandatit të saj dhe se presidenti malazez Jakov Milatoviç dhe kryeministri Milojko Spajiç kanë konfirmuar se qytetarët e duan një gjë të tillë”.

    Zonja Kos tha se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë në përputhje me dëshirat e qytetarëve për hyrjen në BE.

    “Zgjerimi duhet të përfshijë të gjitha shtresat e shoqërisë, institucionet,” tha ajo.

    “Mali i Zi ka një mundësi historike dhe nuk ka kohë për të humbur. Unë kam besim tek ju që të më bëni krenar,” tha Komisionerja për Zgjerimin.

    Zonja Kos tha se mënyra më e mirë për të ecur përpara është përfshirja e opozitës dhe mbështetja e reformave dhe shtoi se duhet kuptuar gjithashtu se parlamenti është një vend për të diskutuar dallimet.

    “Pres që shumica në parlament të mbështesë reformat”, tha zonja Kos.

    Marta Kos shprehu ngushëllimet e saj për familjet e të vrarëve në tragjedinë në Cetinë me 1 janar dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

    Kryeministri malazez Milojko Spajiç tha se vizita e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos është një detyrim i madh për Malin e Zi të punojë edhe më shumë.

    “Është një nder i madh dhe një detyrim i madh për ne që t’i mbyllim kapitujt deri në vitin 2026. Ne duhet të fokusohemi në reformat që kërkojnë dhe kërkojnë një kompromis midis qeverisë dhe opozitës,” tha zoti Spajiç.

    Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që Marta Kos viziton në cilësinë e saj si Komisionere për Zgjerimin.

    Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor dhe shihet si anëtari i parë i ardhshëm i BE-së.

    Pas një vlerësimi pozitiv të standardeve kalimtare në fushat e shtetit të së drejtës, vendi ka dalë nga një ngërç shumëvjeçar në negociatat e anëtarësimit dhe po punon për të mbyllur të gjithë kapitujt në procesin e anëtarësimit./VOA

  • Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Hamasin se ishte tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë dhe tha se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

    Përmes një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të “siguronte lëshime të minutës së fundit”.

    Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

    Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

    Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

    Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

    Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

    Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë “një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit”./VOA

  • Fico e fton Zelenskyn për bisedime për transitin e gazit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime për transitin e gazit, në mes të mosmarrëveshjeve lidhur me vendimin e Kievit për të ndalur dërgesat me gazin rus.

    Ukraina ndërpreu dërgesat e gazit për në Evropë në fillim të vitit, pas përfundimit të një marrëveshjeje për transit mes Kievit dhe Moskës. Me këtë vendim, Kievi po synon të ndalë të ardhurat nga energjia që Moska i përdor për të financuar pushtimin e Ukrainës, që ka nisur gati tre vjet më parë.

    Fico tha se vendimi ka ndikuar te Sllovakia, që gjendet në kufi me Ukrainën, përmes çmimeve më të larta të gazit dhe humbjes së tarifave për dërgimin e gazit më tej në Evropë. Ai tha se synon që të rinisin dërgesat.

    Fico tha në një letër të hapur drejtuar Zelenskyt, e cila u publikua nga zyra e tij, se një takim që do të mund të mbahej në Sllovaki pranë kufirit me Ukrainën dhe në të do të mund të diskutohej për zgjidhjet teknike për këtë çështje.

    “Një takim i tillë do të krijonte bazë të mirë për një diskutim të hapur lidhur me furnizimet me gaz për Sllovakinë dhe shtetet e tjera përmes territorit ukrainas”, tha Fico.

    Fico në të kaluarën ka thënë se është afër arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte vazhdimin e dërgesave të gazit përmes Ukrainës, duke ndryshuar paraprakisht pronësinë e gazit.

    Por, ai ka deklaruar se Zelensky kishte refuzuar zgjatjen e afatit për dërgesat e gazit përmes Ukrainës gjatë një samiti të Bashkimit Evropian të mbajtur dhjetorin e vitit të kaluar.

    Fico ka argumentuar se Evropa ka humbur miliarda euro nga rritja e çmimeve të gazit, që u shkaktuan nga mungesa e rreth 13.5 miliardë metra kub gaz që kaloi përmes Ukrainës vitin e kaluar, përfshirë 3 miliardë metra kub për konsum në Sllovaki./REL