Autor: Naser Sertolli

  • Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus në jug të Ukrainës

    Zyrtarët ukrainas njoftuan së të paktën 13 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror rus në qytetin jugor Zaporizhja.

    Sulmi i së mërkurës u krye në një qark industrial në qytet, tha Ivan Federov, kryetar i administratës rajonale.

    Pamje të publikuara nga shërbimet emergjente shfaqin trupat të coptuar dhe gjakosur njerëzish në trotuaret e qytetit, derisa zjarrfikësit nxitojnë për t’i shuar zjarret në vetura dhe në një ndërtesë administrative aty pranë.

    “Nuk ka asgjë më mizore se sulmet ajrore në qytet, duke ditur që qytetarët e thjeshtë do të pesojnë”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Është e paqartë se çfarë arme është përdorur, megjithatë përmasat e dëmeve dhe numri i viktimave lënë të kuptohet se është përdorur një armë e fuqishme.

    Autoritetet ukrainase, të cilat më herët kishin paralajmëruar përmes sirenave për sulme ajrore, paralajmëruan për mundësinë e një sulmi me raketë apo mbase me bombë – një armë e telekomanduar që hidhet nga ajri dhe që Rusia e ka përdorur me ndikim shkatërrues kundër mbrojtjeve ukrainase.

    Nga zyrtarët rusë nuk pati komente të menjëhershme lidhur me sulmin.

    Më herët, Ukraina pretendoi se e ka goditur një depo nafte brenda territorit rus, e cila shërbente për një bazë ajrore strategjike në rajonin jugor të Saratovit.

    “Forcat ukrainase të mbrojtjes goditën një depo ruse të naftës në Engels” në rajonin e Saratovit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.

    “Duhet të theksojmë se kjo depo nafte furnizonte me karburante bazën ajrore ushtarake, Engels-2, ku gjendet aviacioni strategjik i armikut”, u shtua në njoftim.

    Që nga fillimi i vitit 2024, rafineritë ruse janë goditur rregullisht nga dronët ukrainas. Në disa prej tyre, njësitë kryesore të përpunimit të naftës janë dëmtuar dhe kanë kërkuar riparime. Rusia ka deklaruar se ka rikthyer pjesërisht kapacitetin në disa rafineri kyçe të naftës.

    Ky sulm u krye derisa forcat ukrainase rifilluan operacionet e tyre sulmuese në disa drejtime brenda rajonit të Kurskut të Rusisë, gjë që, sipas analistëve, i jep Kievit përparësi në çdo bisedime të mundshme për armëpushim ose bisedime paqeje me Moskën.

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëriti më 7 janar se është i etur të shohë fillimin e negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pasi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, por nuk dha hollësi për kohën e mundshme të tyre.

    Trump tha se dëshiron që negociatat të fillojnë sa më shpejt sepse “Rusia po humb shumë të rinj, dhe po ashtu edhe Ukraina”.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • India nuk mbështet një monedhë të përbashkët për vendet e grupit BRICS

    Sipas analistëve në Nju Delhi, India nuk mbështet krijimin e një monedhe të përbashkët për organizatën BRICS të përbërë nga nëntë vende, por po përpiqet të nxisë tregtinë në monedhën e saj.

    Siç njofton nga Nju Delhi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anjana Pasricha, Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump, paralajmëroi rishtazi vendet e BRICS-it që të mos bëjnë përpjekje për ta zëvendësuar dollarin me një monedhë alternative.

    India nuk dëshiron krijimin e një monedhe të përbashkët BRICS, një iniciativë e mundshme që është përballur me një reagim të fortë nga Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% për produktet nga nëntë vendet anëtare të BRICS-it, nëse ky grup zëvendëson dollarin amerikan me një monedhë tjetër, ose mbështet një alternativë tjetër në vend të monedhës amerikane.

    Analistët thonë se mosbesimi dhe dallimet ndërmjet anëtarëve kryesorë të BRICS-it, si India dhe Kina, janë një pengesë e madhe për të kaluar drejt një monedhe të përbashkët.

    “India nuk e mbështet këtë iniciativë. Një monedhë e përbashkët nuk do të ndihmojë askënd; thjesht do të diktonin vendet dominuese si Kina. Pra, është shumë e vështirë të krijohet një konsensus për të patur një monedhë të përbashkët”, thotë eksperti Chintamani Mahapatra, nga Instituti Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

    Grupi kryesor i BRICS-it – ku merrnin pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut – u zgjerua këtë vit me Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Egjiptin. Ideja e një monedhe për grupin BRICS zuri vend në vitin 2022, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

    Por aleanca e vendeve në zhvillim është shumë e larmishme për ta bërë të zbatueshme një monedhë të përbashkët.

    “Nuk kemi një treg të përbashkët. Nuk kemi ndonjë politikë të përbashkët tregtare. Nuk kemi asgjë të përbashkët”, thotë për grupin BRICS eksperti Mahapatra.

    Megjithatë, India dhe disa vende të tjera të BRICS-it kanë shtuar përpjekjet për të bërë tregëti në monedhat e tyre, për të ulur varësinë nga dollari amerikan.

    “Janë 17 vende që janë identifikuar nga qeveria e Indisë, me të cilët India dëshiron të bëjë tregëti në monedhën rupi, ose në një monedhë dypalëshe”, thotë analisti për tregtinë Biswajit Dhar.

    Ndër këto vende është edhe Rusia. Nju Delhi, i cili nuk iu bashkua sanksioneve amerikane, po paguan për importet masive të naftës ruse në monedhën rupi. Por edhe tregtia në rupi paraqet probleme.

    “India ka një deficit të madh tregtar me Rusinë, që do të thotë se kur India blen shumë naftë dhe paguan në rupi, Rusia nuk di se çfarë të bëjë me sasinë e madhe të rupive që zotëron tashmë”, thotë analisti Dhar.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanian Jaishankar, ka thënë se largimi nga dollari amerikan nuk është pjesë e politikës ekonomike të Indisë. Kjo, thonë analistët, është për shkak se interesat strategjike të Indisë janë përgjithësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara./VOA

  • Pejë, gjatë legjitimimit i gjendet një pistoletë, në stacionin policor tregon se në shtëpi ka edhe një “Kallashnikov”

    Policia e Kosovës ka njoftuar më 05.01.2025 se patrulla policore në Pejë ka ndaluar njё person pёr legjitimim gjatё kontrollit rutinё dhe nё çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletё “Zoraki M”, një karikator të sё njëjtёs armё dhe 8 fishekë.

    Sipas Policisë, i dyshuari ёshtё arrestuar dhe gjatё intervistimit nga hetuesit e stacionit policor nё Pejё ai ka deklaruar se posedon edhe njё armё nё shtёpi.

    Njёsitet kompetente tё stacionit policor nё Pejё, nё koordinim me prokurorin e shtetit, kanё kryer kontroll/bastisje nё shtёpinё e tё dyshuarit dhe aty kanë gjetur dhe sekuestruar njё armё automatike “AK47” dhe njё karikator të zbrazёt.

    I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit me vendim tё prokurorit tё shtetit lirohet nё procedurё tё rregullt.

    Sipas Policisë, i dyshuari ishte ndalur për legjitimim mbrëmë  (04.01.2025), rreth orёs 21:50, nё rrugën “Mbretëresha Teutё” nё Pejё.