Autor: Rexhep Maloku

  • Ambasadori i ardhshëm britanik në SHBA: Kritika ime ndaj Trumpit ishte e gabuar

    I përzgjedhuri i Mbretërisë së Bashkuar për Ambasador në Shtetet e Bashkuara, Lord Peter Mandelson i ka përshkruar kritikat e tij të mëhershme për presidentin amerikan Donald Trumpin si të bazuara mbi gjykime të gabuara – raporton më 29.01.2025 televizioni britanik BBC.

    Peter Mandelson ka thënë se tani gëzon “respekt të freskët” për presidentin amerikan – duke shtuar se është “goxha konfident” se Trumpi do ta aprovojë emërimin e tij Ambasador.

    Si pjesë e procesit, kredencialet e Lordit Mandelson duhet t’i dorëzohen Trumpit, për të cilat raportohet se Presidenti do t’i miratojë.

    Në vitet e mëhershme Lordi Mandelson e ka përshkruar Trumpin si “të pamatur” dhe “ngacmues”.

    Në një intervistë dhënë një gazetari italian më 2019, ai e kishte përshkruar Trumpin si “të pamatur dhe rrezik për botën”.

    Kjo pasoi një intervistë të vitit 2018 për “Evening Standard”, ku Trumpin e kishte përshkruar si “ngacmues”.

    Por ai ka deklaruar për Fox News: “I kam thënë ato fjalë gjashtë vjet më parë më 2019, prirë mbase prej një gazetari italian… ishte një kohë kur në Britani meqë ra kishte një politikë të ngarkuar dhe kishte emocione të mëdha për shumë gjëra në Britani atëherë”.

    Ai ka thënë se krahasuar me atëherë ka ndryshuar pikëpamje për Presidentin aktual amerikan.

    Duke e pranuar fitoren “e jashtëzakonshme” të mandatit të dytë të Trumpit, Lordi Mandelson ka thënë se Trump ka fituar “respekt të ri” prej tij dhe ka theksuar se nuk ka dëgjuar asnjë fjalë nga Shtëpia e Bardhë se do të përbëjë telash për emërimin e tij.

    “Mendoj se presidenti Trump do të vlerësojë kredencialet e mia dhe do të shqyrtojë cila do të jetë marrëdhënia më e mirë para nesh.” – ka thënë ai.

    “Presidenti është një person i këndshëm, person i drejtpërdrejtë dhe kjo është arsyeja pse kam besim se kur them se kur do të shikojë kredencialet e mia, ai do të thotë ‘Në rregull, mendoj se ky njeri mund të punojë mirë për të dy vendet tona dhe për marrëdhëniet tonë speciale’”.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Shkon në 30 numri i të vdekurve në turmën e Festivalit fetar në Indi

    Autoritetet kanë konfirmuar të mërkurën, më 29.01.2025, se të paktën 30 persona kanë vdekur dhe 60 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë turme në Festivalin masiv “Kumbh Mela” në Indi – raporton BBC.

    Një prej të mbijetuarve i cili foli me ekipin e BBC-së në terren përshkroi se ishte shtyrë në lumin Gang, ndërsa po merrte pjesë në larje rituale.

    Samira Hussain e BBC-së ka përshkruar skena “kaosi absolut” në bregun e lumit: me rroba, këpucë, batanije dhe çanta shpine të shpërndara e të hedhura përtokë, ndërsa turmat po përpiqeshin të arratiseshin.

    Zyrtarët parashikuan që deri në 100 milionë njerëz pritej të merrnin pjesë në Ditën e Larjes në Festivalin fetar hind.

    Ngjarja ndodhi midis ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës së asketëve, ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali – raporton Reuters.

    Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.

    “Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.

    Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.

    Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që barteshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.

    Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.

    Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Alibaba nxjerr modelin e vet të AI-së – thotë se ia kalon DeepSeekut

    Kompania kineze e teknologjisë “Alibaba” ka nxjerrë të mërkurën, më 29.01.2025, një version të ri të modelit të saj të Inteligjencës Artificiale Qwen 2.5 për të cilin  se tejkalonte DeepSeek-V3, tashmë shumë të vlerësuar – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.

    Koha e pazakonshme e nxjerrjes në treg të Qwen 2.5-Max, në ditën e parë të Vitit të Ri Hënor, kur shumica e kinezëve janë në pushime dhe me familjet e tyre, tregon presionin që rritja meteorike e Startupit kinez të Inteligjencës Artificiale, DeepSeek në tre javët e fundit është ushtruar jo vetëm ndaj rivalëve jashtë shtetit, por edhe ndaj konkurrencës vendase.

    “Qwen 2.5-Max performon më mirë pothuajse në të gjithë bordin GPT-4o, DeepSeek-V3 dhe Llama-3.1-405B.” – thuhet në njoftimin e Njësisë Cloud të Alibabas, postuar në llogarinë e zyrtare WeChat – duke iu referuar OpenAI dhe modeleve më të avancuara të Inteligjencës Artificiale të Meta-s.

    Publikimi i 10 janarit i Inteligjencës Artificiale të DeepSeek, mundësuar nga modeli DeepSeek-V3, si dhe publikimi i modelit të tij R1 më 20 janar, ka tronditur Luginën e Silikonit (në Shtetet e Bashkuara) dhe ka shkaktuar rënien e aksioneve të teknologjisë, me zhvillimin e supozuar të lirë të Startupit kinez dhe kostot e përdorimit që i kanë bërë investitorët të vënë në dyshim planet e mëdha të shpenzimeve nga firmat kryesore të AI në Shtetet e Bashkuara.

    Por, suksesi i DeepSeek ka nxitur gjithashtu përplasje midis konkurrentëve të tij vendas për të përmirësuar modelet e tyre të Inteligjencës Artificiale.

    Dy ditë pas lëshimit të DeepSeek-R1, pronari i TikTok ByteDance publikoi ​​​​një përditësim të modelit të tij të Inteligjencës Artificiale, për të cilin pretendoi se ishte më i mirë se O1 i OpenAI, mbështetur nga Microsoft në AIME, një test standard që mat se sa mirë modelet e AI kuptojnë dhe u përgjigjen udhëzimeve komplekse.

    Kjo i dha jehonë pretendimit të DeepSeek se modeli i tij R1 rivalizonte o1 të OpenAI, në disa standarde të performancës.

     

    DeepSeek karshi konkurrentëve vendas

    Paraardhësi i modelit V3 të DeepSeek, DeepSeek-V2 nxiti luftë çmimesh të modelit të AI në Kinë pas publikimit majin e kaluar.

    Fakti që DeepSeek-V2 ishte me burim të hapur dhe jashtëzakonisht të lirë, vetëm 1 juan (0,14 dollarë) për 1 milion argumente – ose Njësi të të dhënash të përpunuara nga modeli i AI – bëri që Njësia Cloud e Alibabas të shpallte ulje çmimi deri në 97% në gamën e modeleve.

    Kompanitë e tjera kineze të teknologjisë ndoqën të njëjtin shembull, duke përfshirë Baidu (9888.HK), me nxjerrjen e ​​ekuivalentit të parë të Kinës me ChatGPT në mars 2023 dhe Kompanisë më të vlefshme të internetit në vend Tencent.

    Liang Wenfeng, themeluesi enigmatik i DeepSeek, ka deklaruar në një intervistë të rrallë për mediumin kinez Waves në korrik se Startupit “nuk i interesonte” lufta e çmimeve dhe se arritja e AGI (Inteligjencës së përgjithshme Artificiale) ishte qëllimi i saj kryesor.

    OpenAI e përcakton AGI-në si sisteme autonome, që i tejkalojnë njerëzit në detyrat më të vlefshme ekonomikisht.

    Ndërsa Kompanitë e mëdha kineze të teknologjisë si “Alibaba” kanë qindra-mijëra punonjës. DeepSeek funksionon si një Laborator kërkimor, i pajisur kryesisht nga të rinj të diplomuar dhe studentë të doktoratës nga Universitetet më të mira kineze.

    Liang ka theksuar në intervistën e tij të korrikut se beson se Kompanitë më të mëdha të teknologjisë në Kinë mund të mos ishin të përshtatshme për të ardhmen e industrisë së AI-së – duke krahasuar kostot e tyre të larta dhe strukturat e komandimit nga lart-poshtë me funksionimin e dobët të DeepSeek dhe stilin më të butë të menaxhimit.

    “Modelet e mëdha themelore kërkojnë inovacion të vazhdueshëm. Aftësitë e gjigantëve të teknologjisë kanë limitet e tyre.” – ka deklaruar ai.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com