Autor: Veronë Zymberi

  • KQZ drejtuar qytetarëve: Fuqia jonë qëndron në votën tuaj

    Pak javë para mbajtjes së Zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u është drejtuar qytetarëve se më 09.02.2025 mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. 

    Sipas KQZ-së përmes votës së lirë dëshmohet zhvillimi demokratik i shtetit të Kosovës. 

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është plotësisht i angazhuar për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe me integritet – duke garantuar të drejtën tuaj për të votuar. Mos harroni, fuqia juaj qëndron në votën tuaj. Vota Jote për Kosovën.” – shkruan KQZ, sot më 28.01.2025.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë. Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë – thotë Izraeli

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

    “Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

    Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

    “Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

    Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

    Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

    Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

    Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL

  • IPK nis hetime për një rast të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit të një zyrtari policor në Mitrovicë të Jugut

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka nisur hetimet për një rast të shkrepjes aksidentale të armës të një zyrtari policor.

    Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në një pompë të derivateve në afërsi të Mitrovicës së Jugut, të martën, më 28.01.2025. 

    Beka tha se për këtë rast nuk ka ndonjë të lënduar, por se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim më prokurorin kompetent kurse veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”- theksoi Beka. 

    Për rastin ai tha se IPK është njoftuar nga Policia.