Dogana agjëson mbi 6 mijë bluza për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka asgjësuar mbi 6 mijë bluza, të cilat janë konstatuar se cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale.

Rasti kishte nisur më 02.06.2026, kur në Terminalin Doganor në Mitrovicë ishte paraqitur për zhdoganim një dërgesë me mall, pa specifikuar markën tregtare të produkteve.

Bazuar në analizën e riskut, dërgesa ishte përzgjedhur për kontroll fizik dhe dokumentar. Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kishin identifikuar elemente që ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.Pas verifikimeve, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës kontaktoi bartësin e së drejtës, i cili konfirmoi se produktet përbënin shkelje të të drejtave të mbrojtura.

Në bazë të këtij konstatimi, Dogana bëri të ditur se kishte ndërmarrë masa ligjore, duke ndaluar lirimin e mallit, duke iniciuar procedurën e kundërvajtjes doganore ndaj importuesit dhe duke nisur procedurën për asgjësimin e produkteve.

Dogana njoftoi se më 08.07.2026 mallrat u asgjësuan nën mbikëqyrjen e saj, me qëllim që ato të mos qarkullojnë në tregun e Kosovës.

“Veprimet janë ndërmarrë në zbatim të Ligjit për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, si dhe dispozitave përkatëse të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës”- thuhet në njoftimin e Doganës të datës 09.07.2026.

Shënim: Më 09.07.2026, në ora 15:39, titulli është redaktuar.

Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *